50,000-vjeçar: Dalin pamje të jashtëzakonshme të mamuthit më të ruajtur në botë - NACIONALE

50,000-vjeçar: Dalin pamje të jashtëzakonshme të mamuthit më të ruajtur në botë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Mamuthi femër 50,000-vjeçar, me nofkën Yana, është një nga vetëm shtatë mbetjet e plota të zbuluara në botë.

Shkencëtarët rusë kanë ekspozuar mbetjet e jashtëzakonshme të ruajtura mirë të një mamuthi të vogël, të gjetur në rajonin e mbuluar me përmafrost të Jakutisë, në Siberi.

Mamuthi femër 50,000-vjeçar ka marrë nofkën Jana, sipas lumit në basenin e të cilit u zbulua këtë verë. Ekspertët thonë se është kufoma më e ruajtur e një mamuthi në botë dhe është një nga vetëm shtatë mbetjet e plota të zbuluara ndonjëherë.

Studimet do të kryhen për të përcaktuar moshën e saj të saktë në kohën e vdekjes, e cila vlerësohet të jetë “rreth një vjeç ose pak më shumë”.

Kufoma u ekspozua në Universitetin Federal të Veri-Lindjes në kryeqytetin rajonal të Jakutskut, tha institucioni në një deklaratë. “Të gjithë u befasuam nga ruajtja e jashtëzakonshme e mamuthit,” tha rektori i universitetit, Anatoli Nikollajev. Maksim Çeprasov, një studiues, e quajti këtë një “zbulim unik”.

Mbetjet peshojnë 180 kg dhe janë 120 cm të larta dhe 200 cm të gjata.

Kufoma u nxor afër stacionit kërkimor Batagaika, ku janë gjetur mbetje të tjera të kafshëve parahistorike – përfshirë një kalë, një bizon dhe një leming.

Para këtij zbulimi, vetëm gjashtë kufoma mamuthësh ishin gjetur në botë – pesë në Rusi dhe një në Kanada, tha universiteti.

Jakutia është një rajon i largët që kufizohet me Oqeanin Arktik. Përmafrosti i saj funksionon si një frigorifer gjigant që ruan mbetjet e kafshëve parahistorike.

Artikull i The Guardian, përkthyer nga Nacionale.

Lajme të ngjashme