11 vite luftë në Siri - shumë vdekje, shkatërrim e miliona emigrantë - NACIONALE

11 vite luftë në Siri - shumë vdekje, shkatërrim e miliona emigrantë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Një kryengritje paqësore kundër presidentit të Sirisë 10 vjet më parë u shndërrua në një luftë civile në shkallë të gjerë. Deri më tani ky konflikt ka lënë gjysmë milioni njerëz të vdekur, qytete të shkatërruara dhe njerëz të shumtë që kanë ikur në vende të tjera.

Si filloi lufta në Siri?

Edhe para fillimit të luftës, shumë sirianë ankoheshin për papunësinë e lartë, korrupsionin dhe mungesën e lirisë politike nën presidentin Bashar al-Assad, i cili pasoi babain e tij, Hafez, pasi vdekjes së tij në vitin 2000.

Demonstratat e para pro-demokratike shpërthyen në muajin mars të vitit 2011, në qytetin jugor të Deraa, këto protesta ishin të frymëzuara nga kryengritjet në vendet fqinje kundër sundimtarëve represivë. Por, për shtypjen e këtyre protestave, qeveria siriane përdori forcë vdekjeprurëse, e këtë herë nisën protesta në mbarë vendin duke kërkuar dorëheqjen e presidentit, shkruan BBC.

Trazirat u përhapën shpejtë e mbështetësit e opozitës morën armët, fillimisht për të mbrojtur veten dhe më vonë për të pastruar zonat e tyre nga forcat e sigurisë. Ndërsa, presidenti Assad u zotua të shtypë atë që ai e quajti "terrorizëm i mbështetur nga jashtë".

Në këtë formë, dhuna u përshkallëzua me shpejtësi dhe vendi ra në luftë civile. U krijuan qindra grupe rebele dhe ky konflikt nisi të bëhej një betejë mes sirianëve pro ose kundër Assadit.

Fuqitë e huaja filluan të mbanin anën, duke dërguar para, armatime dhe luftëtarë, e ndërsa kaosi përkeqësohej, organizatat xhihadiste ekstremiste me qëllimet e tyre, të tilla si grupi Shteti Islamik (IS) dhe Al-Kaeda, u përfshinë në luftë. Nga kjo gjë u krija një shqetësim i thellë edhe në komunitetin ndërkombëtar, që i shihte këto organizata si një kërcënim të madh.

Një anë krejt të veçantë mbanin kurdët e Sirisë, të cilët duan të drejtën e vetëqeverisjes, por nuk kanë luftuar kundër forcave të Assadit.

Sa njerëz kanë vdekur?

Kombet e Bashkuara kanë verifikuar se të paktën 350,209 civilë dhe luftëtarë janë vrarë midis marsit 2011 dhe marsit 2021, por ka paralajmëruar se kjo shifër është vetëm një "nën numërim i numrit aktual".

Ndërsa, shefja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet ka bërë të ditur se 26,727 viktima ishin gra dhe 27,126 ishin fëmijë.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), një grup monitorues me bazë në Mbretërinë e Bashkuar me një rrjet burimesh në terren, ka dokumentuar vdekjen e 494,438 njerëzve deri në qershor 2021. Ai tha se të paktën 159,774 civilë ishin vrarë, e përgjegjës për këto vdekje mbahet qeveria siriane bashkë me aleatët e saj.

Ky grup monitures ka vlerësuar se numri aktual i viktimave të luftës ishte më shumë se 606,000, duke thënë se 47,000 civilë besohet të kenë vdekur nga torturat në burgjet e drejtuara nga qeveria. Po ashtu, grupi ka informuar se për shkak të mungesës së informacionit nuk ka qenë në gjendje të dokumentojë pothuajse 53,000 vdekje të raportuara.

Në dokumentimin e shifrave të viktimave merr pjesë edhe një grup tjetër monitorues, Qendra e Dokumentimit të Shkeljeve, që mbështetet në informacione nga aktivistë anembanë vendit. Ky grup ka dokumentuar 238,716 vdekje të lidhura me luftën, duke përfshirë 144,956 civilë. 165,490 nga këto vdekje ju atribuuan forcave të qeverisë siriane dhe 35,610 të tjera opozitës.

Cilat janë vendet e përfshira?

Mbështetësit kryesorë të qeverisë së Assadit kanë qenë Rusia dhe Irani, ndërsa Turqia, fuqitë perëndimore dhe disa shtete arabe të Gjirit kanë mbështetur opozitën.

Rusia e cila para fillimit të luftës kishte baza ushtarake në Siri, në vitin 2015 nisi një fushatë ajrore në mbështetje të Asadit, e cila u bë vendimtare për ta kthyer valën e luftës në favor të qeverisë.

Edhe pse ushtria ruse thotë se sulmet e saj kanë në synim vetëm "terroristët", aktivistët thonë se ajo vret rregullisht rebelët kryesorë dhe civilë.

Në anën tjetër, besohet se edhe Irani ka dislokuar qindra trupa dhe ka shpenzuar miliarda dollarë në ndihmë të Assadit.

Përkrahë ushtrisë siriane kanë luftuar edhe mijëra militantë myslimanë shiitë të armatosur, të trajnuar dhe të financuar nga Irani - kryesisht nga lëvizja e Hezbollahut të Libanit, por në mbështetje të qeverisë kanë luftuar edhe nga Iraku, Afganistani e Jemeni.

ShBA, Britania e Madhe dhe Franca fillimisht ofruan mbështetje për ato që ata i konsideronin grupe rebele "të moderuara", por, që kur xhihadistët u bënë forca dominuese në opozitën e armatosur, kjo gjë ka ndryshuar.

Sulme ajrore në Siri që nga viti 2014 janë kryer edhe nga një koalicion global nën udhëheqje të ShBA-së, duke vendosur edhe forca speciale në mbështetje të një aleance të quajtur Forcat Demokratike Siriane, (SDF) e cila përbëhet nga milicë kurdë dhe arabë.

Edhe pse Turqia është një mbështetëse e madhe e opozitës, fokusi i saj ka qenë kontrolli i milicisë kurde të YPG-së, e cila dominon aleancën Forcat Demokratike Siriane, pasi që e mendon se është pjesë e një grupi rebel kurd të ndaluar në Turqi.

Arabia Saudite, e cila është e prirur të kundërshtojë ndikimin Iranian, që në nisje të luftës armatosi dhe financoi rebelët, e të njejtën gjë e bëri edhe Katari.

Ndërkohë, Izraeli ka qenë shumë i shqetësuar nga ajo që e quan "ngulitje ushtarake" e Iranit në Siri dhe nga dërgesat e armëve iraniane për Hezbollahun dhe milicitë e tjera shiite, sa që ka kryer sulme ajrore me frekuencë në rritje në përpjekje për t'i penguar ato.

Si është prekur popullsia e këtij vendi?

Njëmbëdhjetë vjet luftë i kanë shkaktuar vuajtje të pamasë popullit sirian. Më shumë se gjysma e popullsisë së Sirisë prej 22 milionësh të paraluftës janë larguar nga shtëpitë e tyre. Rreth 6.9 milionë janë të zhvendosur brenda vendit, me më shumë se dy milionë që jetojnë në kampe me tenda e akses të kufizuar në shërbimet bazë. Ndërsa, 6.8 milionë të tjerë janë refugjatë ose azilkërkues jashtë vendit. Libani fqinj, Jordania dhe Turqia janë përballur me një nga eksodet më të mëdha të refugjatëve në historinë e fundit, duke pritur rreth 84% të tyre.

Sipas OKB-së, që nga shkurti i vitit 2022, 14.6 milionë njerëz brenda Sirisë kishin nevojë për ndihmë humanitare, me rreth 5 milionë të klasifikuar si në nevojë ekstreme ose katastrofike. Ndërsa ka njoftuar se më shumë se 12 milionë njerëz luftojnë për ushqim të mjaftueshëm ditor, me gjysmë milioni fëmijë të kequshqyer kronik.

Për shkak të sanksioneve të rrepta nga ShBA, kriza ekonomike libaneze dhe pandemia e shkaktuar nga Covid-19, kriza humanitare në vend është thelluar shumë, me monedhën siriane e cila në vitin 2022 humbi afër 80% të vlerës së saj, e shkalla e varfërisë ka arritur në 90%.

Siria ka qenë gjithashtu një nga vendet më të prekura nga Covid-19 në Lindjen e Mesme, megjithëse për shkak të një sistemi shëndetësor të shkatërruar nuk ka shifra të sakta të infektimeve dhe viktimave.

Si pasojë e luftës në vend, lagje të tëra dhe infrastruktura jetike kanë mbetur të rrënuara, ku sipas një analize satelitore të OKB-së, më shumë se 35,000 struktura janë shkatërruar vetëm në qytetin e Aleppos para rimarrjes së pushtetit nga qeveria në fund të vitit 2016.

Pavarësisht statusit të tyre të mbrojtur, janë dokumentuar të paktën 599 sulme në 350 objekte të veçanta mjekësore duke rezultuar në vdekjen e 930 personave nga personeli mjekësor. Sulme të tilla për të cilat fajësohet qeveria dhe Rusia, kanë lënë në funksion të plotë vetëm gjysmën e spitaleve të vendit.

Edhe pjesa më e madhe e trashëgimisë së pasur kulturore të Sirisë gjithashtu është shkatërruar, me militantët e IS-it duke hedhur në erë qëllimisht pjesë të qytetit antik të Palmirës.

Hetuesit e OKB-së për krimet e luftës kanë akuzuar të gjitha palët për kryerjen e "shkeljeve më të tmerrshme". Një raport i muajit shkurt të vitit 2021 thotë se "Sirianët kanë vuajtur bombardime të mëdha ajrore të zonave me popullsi të dendur; ata kanë duruar sulme me armë kimike dhe rrethime në të cilat autorët qëllimisht kanë vrarë popullatën, duke ndjekur shkrime mesjetare."

Kush e kontrollon vendin tani?

Qeveria ka rimarrë kontrollin e qyteteve më të mëdha të Sirisë, por pjesë të mëdha të vendit ende mbahen nga rebelët, xhihadistët dhe SDF-ja e udhëhequr nga kurdët.

Kalaja e fundit e mbetur e opozitës është në provincën veriperëndimore të Idlibit dhe në pjesët fqinje të provincave veriore të Hamës dhe Aleppos perëndimore.

Rajoni dominohet nga një aleancë xhihadiste e quajtur Hayat Tahrir al-Sham (HTS), por është gjithashtu shtëpia e grupeve kryesore të rebelëve.

Në mars të viti 2020, Rusia dhe Turqia ndërmjetësuan një armëpushim për të ndalur një nismë të qeverisë për të rimarrë Idlibin. Kjo çoi në një qetësi të zgjatur të dhunës, por përleshjet, sulmet ajrore dhe bombardimet janë intensifikuar sërish vitin e kaluar, veçanërisht në Idlibin jugor.

Në tetor të vitit 2019, në veri-lindje të vendit, forcat turke dhe rebelët sirianë nisën një ofensivë kundër SDF-së, për të krijuar një "zonë të sigurt" larg milicëve kurdë YPG përgjatë anës siriane të kufirit duke pushtuar rreth 120 kilometra shtrirje që nga ajo kohë.

Për të ndalur këtë sulm, SDF arriti një marrëveshje me qeverinë siriane që rezultoi me kthimin e ushtrinë siriane në rajonin e administruar nga kurdët për herë të parë në shtatë vjet. Por, pavarësisht pranisë së trupave siriane, përgjatë vijës së frontit ka ende përleshje të rregullta midis SDF-së dhe forcave të udhëhequra nga Turqia.

Gjithashtu, edhe pjesëtarë të IS-it vazhdojnë të kryejnë sulme të shpeshta dhe vdekjeprurëse në vend.

A do të përfundojë ndonjëherë lufta?

Përfundimi i luftës nuk duket se do të ndodhë së shpejti, por të gjithë e pranojnë se është e nevojshme një zgjidhje politike.

E për këtë çështje, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka bërë thirrje për zbatimin e Komunikatës së Gjenevës të vitit 2012, e cila parashikon një organ qeverisës kalimtar "të formuar në bazë të pëlqimit të ndërsjellë".

Megjithatë, nëntë raunde të bisedimeve të paqes të ndërmjetësuara nga OKB - të njohura si procesi i Gjenevës II kanë dështuar për të bërë ndonjë përparim, me Presidentin Assad që me sa duket nuk dëshiron të negociojë me grupet politike të opozitës që këmbëngulin se ai duhet të tërhiqet.

Bisedime politike paralele të njohura si procesi i Astanës, nisën edhe Rusia, Irani dhe Turqia në vitin 2017, ku një vit pas u arrit një marrëveshje për formimin e një komiteti prej 150 anëtarësh për të shkruar një kushtetutë të re, e cila do të çonte në zgjedhje të lira dhe të ndershme të mbikëqyrura nga OKB. Raundi i fundit i bisedimeve u mbajt në tetor të vitit 2021, ku më pas i dërguari i posaçëm i OKB-së, Geir Pedersen tha se ishte një "zhgënjim i madh" që anëtarët e komitetit nuk ishin në gjendje të gjenin një rrugë të përbashkët.

E ndërsa konflikti ka hyrë në vitin e tij të 12-të, Pedersen është shprehur se "një zgjidhje ushtarake është një iluzion" dhe se një zgjidhje politike "është krejtësisht e realizueshme nëse ekziston vullneti"./Nacionale/

Lajme të ngjashme