1 muaj luftë e pa fitore, pritet që Rusia të bëhet edhe më brutale
Pas luftimeve intensive të së hënës, forcat ukrainase rifituan kontrollin e Makarivit, një qytet në perëndim të Kievit që ishte goditur nga sulmet ajrore ruse. Kjo fitore e vogël e forcave ukrainase është mjaftë joshëse dhe një shtysë për ta në betejën e Kievit.
Kievi i cili në nisje të pushtimit u duk sikur ishte objektivi kryesor i Kremlinit, edhe pse është tronditur nga disa shpërthime ditëve të fundit, vazhdon të jetë shumë larg nga të qenit i rrethuar.
Në anën tjetër kemi Mariupolin, qytetin juglindor në Detin Azov, i cili edhe pse është i rrethuar dhe po goditet pa mëshirë, ende po vazhdon ta shmangë kontrollin rus. Kujtojmë se mbrojtësit e këtij qyteti refuzuan edhe një ultimatum të dhënë nga Rusia për dorëzim në ditën e hënë, duke penguar kështu përpjekjen ruse për të marrë një urë tokësore që lidh Krimenë me republikat separatiste të rajonit lindor të Donbasit.
E gati një muaj pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga forcat ruse, të cilat janë penguar të përparojnë, ushtria ukrainase thotë se Rusia është detyruar të ndryshojë taktikat e saj.
“Për shkak të mungesës së suksesit të fazës tokësore të operacionit, armiku vazhdon të lëshojë në mënyrë aktive sulme me raketa dhe bomba mbi infrastrukturën e rëndësishme ushtarake dhe civile duke përdorur avionë operacionalë dhe taktikë, armë raketore me precizion të lartë dhe municione pa dallim”, u tha në një deklaratë të dhënë ditën e martë nga shtoi Shtabi i Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Ukrainës.
Ka shumë prova që sugjerojnë se duke lëshuar raketa nga hapësira ajrore jashtë Ukrainës, rusët po tregojnë një qasje ngecjeje, shkruan CNN.
Në një deklaratë të dhënë të dielën, ministria ruse e Mbrojtjes tha se luftanijet në detin Kaspik lëshuan raketa lundrimi Kalibr dhe avionët lëshuan sisteme raketore hipersonike Kinzhal nga hapësira ajrore mbi Krime. Këto raketa synonin atë që rusët e përshkruan si një bazë të madhe magazinimi për karburantet dhe lubrifikantët e ushtrisë ukrainase pranë vendbanimit Kostyantynivka, në rajonin jugor të Mykolaiv.
Ndërsa, ushtria ruse tha se raketat e lundrimit Kalibr u qëlluan nga Deti i Zi, duke synuar një punëtori për riparimin e automjeteve të blinduara ukrainase. Raketat precize ruse shënjestruan gjithashtu atë që Rusia e përshkroi si një qendër trajnimi ushtarak ukrainas pranë vendbanimit Ovruch, në rajonin verior Zhytomyr.
Në shfaqje të tilla të kushtueshme të fuqisë së zjarrit ekziston një element i ‘PR-it’ se: Rusia është e prirur të eksportojë një version të Kalibr dhe ka shpallur raketën Kinzhal si të aftë për t'iu shmangur sistemeve të mbrojtjes raketore.
Në lidhje me debutimin luftarak të Kinzhal, ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, nuk pranoi pretendimet ruse, duke thënë se përdorimi i Kinzhal kishte "me shumë mundësi po synonte të fshihte dukjen e mungesës së përparimit të luftës tokësore të Rusisë.”
Sidoqoftë, vlerësime të tilla i japin pak ngushëllim kujtdo që preket nga fuqia e zjarrit rus. Dhjetra persona mbetën të vrarë ditën e premte nga një sulm me raketa në një kazermë që strehonte ushtarë në Mykolaiv, e po ashtu sulmet ruse nga distanca të gjata kanë goditur zona shumë larg vijave të frontit.

Megjithatë, deri më tani Rusia nuk ka pushtuar asnjë qytet të madh në ofensivë: as Kharkivin në verilindje dhe as Odesan në jugperëndim. Edhe qytetet Sumy dhe Chernihiv në veri, të cilat janë vetëm pak larg kufirit nga zonat kryesore të organizimit ushtarak brenda Rusisë, vazhdojnë të mbeten nën kontrollin e Ukrainës. Ndërsa, në qytetin Kherson në jug të vendit i cili është marrë nën kontrollin rus, forcat ushtarake përballen çdo ditë me vendasit e zemëruar që mblidhen në sheshin qendror për t'u thënë trupave ruse të shkojnë në shtëpi.
Por, pasi që forcat ruse në tokë po bëjnë shumë pak përparim, analistët janë të shqetësuar për një fazë të re të zymtë që mund të sjellin udhëheqësit e tyre duke përdorur fuqinë e zjarreve kundër qyteteve ukrainase.
Një vlerësim i bërë më 19 mars nga Instituti për Studimin e Luftës e dha pikërisht atë prognozë të zymtë.
"Nëse lufta në Ukrainë vendoset në një gjendje ngërçi, forcat ruse do të vazhdojnë të bombardojnë qytetet ukrainase, duke i shkatërruar ato dhe duke vrarë civilë. Ata mund të shpresojnë të thyejnë vullnetin e ukrainasëve për luftë, duke demonstruar paaftësinë e Kievit për të dëbuar forcat ruse ose për të ndalur sulmet e tyre edhe nëse rusët nuk janë në gjendje të marrin qytetet e Ukrainës. Humbja e Ukrainës ndaj kësaj fushate të re ruse mund të sjellë një zgjatje shkatërruese të konfliktit dhe një periudhë të re të rrezikshme që teston vendosmërinë e Ukrainës dhe Perëndimit."
Këtij parashikimi, zyrtarët ukrainas i kanë shtuar edhe një paralajmërim për një front të ri të mundshëm në luftë, ku pa dhënë detaje thanë se kërcënimi i një ofensive nga Bjellorusia në drejtim të Ukrainës veriperëndimore ishte "i lartë".
Rajoni veriperëndimor Volyn i Ukrainës kufizohet në veri me Bjellorusinë si dhe në perëndim me Poloninë. Ky rajon mund të shërbejë si një portë për të sulmuar forcat nga veriu dhe për t'iu afruar Lvivit, një qytet strategjik në Ukrainën perëndimore që është qendër për logjistikën e qeverisë dhe nga ku po bëhen përpjekjet më të mëdha për ndihma. Po ashtu Lviv, shihet edhe si një pikë tranziti për shumë civilë që kërkojnë të ikin nga luftimet në pjesë të tjera të vendit.

Deri më tani e dijmë që Rusia e ka përdorur territorin Bjellorus si një pikë nisjeje për pushtimin e saj, por mbetet e paqartë nëse Bjellorusia do t'i bashkohej luftës në mënyrë aktive.
Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tashmë ka paralajmëruar se Rusia është në mundim të sjelljes së forcave rezervë në kufijtë ukrainas. E nëse një gjë e tillë është e vërtetë, kjo tregon shumë.
Një hap i tillë, dëshmon për koston e lartë që ushtria ruse ka paguar për sa i përket jetëve të humbura- edhe pse Kremlini nuk ka bërë të ditur numrin e viktimave që nga 2 marsi. Po ashtu flet shumë edhe për vullnetin politik të një personi, atë të Vladimir Putinit - që të vazhdojë të derdhë gjak e thesare në Ukrainë./Nacionale/