Vrasja e Liridona Ademajt, aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve
E PËRDITËSUAR: “Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur sot ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt, për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Aty, mes tjerash tregohet se si nisi plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridona Ademajt.
MediumI raporton se sipas aktakuzës, “për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij”.
Në aktakuzë përmendet edhe një policë sigurimi.
Aty thuhet se “pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj".
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre personave të tjerë për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.
Në një konferencë për media, të mbajtur të mërkurën, kryeprokurori Zejnullah Gashi ka thënë se rasti është i ndjeshëm, dhe se për këtë, ka pasur kufizim të dhënies së informacioneve.
“Siç e dini, ky rast ka qenë shumë i ndjeshëm ,për ata edhe ka qenë një kufizim i tillë. Siç e dini ky rast fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve, prokurores, bashkëpunim të të gjithëve brenda një afati, shumë ishte e ndjeshme edhe sa i përket kompleksitetit të saj dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguruar edhe ekspertiza edhe nga jashtë, edhe nga brenda vendit tonë” – ka thënë ai.
AI ka përmendur se rasti fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje:
“Po ashtu siç e dini rasti ka qenë i inskenuar si grabitje por në një afat të shkurt kohor kemi arritur me i gjetur kryerësit e veprës penale. Janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguru ekspertiza edhe nga jashtë edhe nga brenda vendit tonë”.
Ndërkaq, prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se mungesa e informacioneve për motivin e vrasjes, ka bërë që të kalojë një kohë e gjatë deri në ngritjen e aktakuzës.
Megjithatë, ajo ka thënë se tashmë kanë zbuluar motivin.
“Dua të sqaroj pse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngritja e aktakuzës, provat janë mbledhur shpejte për veprën penale. Çka ka munguar ka munguar motivi, dhe e kemi të njohur faktin se e ndjera me familje ka jetuar në Suedi, organeve atje ju jemi drejtuar për të na kërkuar te dhëna nëse kanë pasur të dhëna në lidhje me probleme nëse kanë pasur. Deri sa nuk i kemi pasur të dhëna në lidhje me këtë nuk kam mundur ta ngris aktakuzën. Tani që kemi edhe motivin kemi zbulua edhe faktin pse ka ndodhur dhe pse janë përfshirë edhe si janë përfshirë edhe Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava” - është shprehur ajo, sipas “Kallxo”.
Ndryshe, Naim Murseli, sipas prokurorisë, dyshohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Plava, “vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje” dhe Kushtrim Kokalla dyshohet për veprën “marrëveshja për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë”.
Në fund të konferencës, kryeprokurori bëri thirrje te Gjykata për një dënim kapital.
“Kjo vepër penale është vepra penale e vrasjes së rëndë, e kryer nga anëtari i familjes dhe e kryer në ëmnyrë dinake, e cila vepër e bën të cilësuar këtë natyre të vepres penale. Presim nga gjykata një dënim kapital” – ka thënë ai.