Vrasja e foshnjës në Podujevë: Krejt çka duhet të dini në lidhje me veprat e kësaj natyre - NACIONALE

Vrasja e foshnjës në Podujevë: Krejt çka duhet të dini në lidhje me veprat e kësaj natyre

2 vjet më parë

nga Arbër Ramadani

Një rast i tmerrshëm ka ndodhur në komunën e Podujevës. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, një grua dyshohet se ka abortuar foshnjën e saj në mënyrë të paligjshme.

Lidhur më këtë rast janë arrestuar dy të dyshuara, siç raportohet nënë e bijë.

Ndërkohë Prokuroria ka njoftuar se rasti po hetohet në lidhje me dy vepra penale.

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e dy personave (të gjinisë femërore), për shkak të dyshimit se të njëjtat kanë kryer veprat penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes” dhe “Ndihma në vrasjen e foshnjës gjatë lindjes”, sipas KPRK-së.” – është deklaruar prokuroria.

Çka thotë ligji në lidhje me këto vepra penale?

Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënime në lidhje me veprat penale të kësaj natyre. Aty janë të përcaktuara konsekuencat përkatëse në lidhje me veprimet përkatëse.

“Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”, është vepër penale e paraparë në nenin 176 të Kodit Penal.

“Nëna që e privon nga jeta foshnjën e vet gjatë lindjes apo menjëherë pas lindjes, derisa te ajo vazhdon çrregullimi i shkaktuar nga lindja, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.” – thuhet në Kodin Penal.

Veprat penale të tjera të kësaj natyre

Ekzistojnë konsekuenca edhe për vepra të tjera të kësaj natyre

“Ndërprerja e palejuar e shtatëzanisë” mbanë titullin neni 178 i këtij kodi.

Deri në 3 vjet burgim është konsekuenca e ndërprejes së palejuar të shtatëzanisë. “Kushdo që në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënësisë dhe me pëlqimin e gruas shtatzënë, ndërpret shtatzëninë, fillon ta kryej ndërprerjen e shtatzënisë ose i ndihmon që ta ndërpres shtatzëninë, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet” – thuhet në Kodin Penal.

Deri në 8 vjet mund të dënohet, kushdo që e ndërprenë ose fillon ta ndërpresë shtatëzaninë pa pëlqimin e gruas shtatëzënë.

Edhe Sterelizimi i detyruar është i ndaluar me ligj.

Sipas Kodit Penal, “Kushdo që për arsye jo mjekësore, heq ose paaftëson në çfarëdo mënyre organet riprodhuese të një personi pa pëlqimin e atij personi dhe kjo çon në sterilizim, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.”.

Çka thotë Ligji për Shëndetësinë

Ligji për Shëndetësinë gjithashtu ka përcaktuar se deri në cilën fazë lejohet ndërprerja vullnetare e shtatëzanisë. Edhe aty ka përkufizime të qarta. Pas javës së dhjetë, nuk lejohet një gjë e tillë.

“Ndërprerja e shtatzënisë nuk lejohet pas javës së dhjetë të shtatzënisë” – thuhet në nenin 85 të këtij ligji.

Megjithatë ka përjashtime. Komplikimet serioze në shëndetin e nënës ose frytit, si dhe kur shtatëzania ka ardhur si rezultat i dhunimit a incestit “. Ndërprerja e shtatzënisë pas javës së dhjetë lejohet vetëm në rastet kur ekzistojnë implikime serioze shёndetёsore për nёnёn dhe/ose frytin ose kur shtatzënia ёshtё rezultat i dhunimit ose incestit të vërtetuar nga organet e autorizuara me ligj” – thuhet aty.

Edhe këtu ekziston një proces i veçantë, se si konstatohet një gjendje e tillë.

“Implikimet shëndetësore nga paragrafi 2. i këtij neni duhet të përcaktohen nga komisioni tre (3) anëtarësh i mjekëve specialistë të përbërë nga dy (2) gjinekolog-obstetër dhe një (1) psikiatër.” – përcaktohen në paragrafin 3 të këtij neni.

Lajme të ngjashme