Vazhdon dëshmia e ish-zëvendësit të Kouchner, çka tha në ditën e parë Jock Covey?
Jock Covey, ish-zëvendës në UNMIK i Bernard Kouchner, sot vazhdon dëshminë në Hagë.
Ai do të merret në pyetje nga Prokuroria e Specializuar e Hagës.
Covey ditën e djeshme deklaroi që raporti i Hashim Thaçit me komandantët kishte qenë i ndërlikuar. Madje, ai tha, se komandantët kishin shfaqur mungesë respekti ndaj Thaçit.
“Ai që fliste në emër të UÇK-së, ishte Agim Çeku. Kjo më kujtohet fare qartë sepse dukej që po konfirmonte atë që ne besonim në fillim me z.Thaçin. Që ai kishte marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, dhe se ata kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, nuk kishin respekt për të, në ketë rast për të cilën po flasim, më lejoni të kthehem pak mbrapa. Gjenerali Jackson i cili kishte mospajtim me Clark për sa i takon përpjekjeve të rusëve për të marrë aeroportin para se KFOR të hynte në Kosovë. Unë, Clark dhe Jackosn dhe është meritë e tyre kjo, kishin tejkaluar këtë mosmarrëveshje serioze. Kur Jackosn pati nevojë të sillte komandantët e UÇK-së, t’i rivendoste aty, t’i bindte ata që të pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes për krijimin e TMK-së, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor që ishte dhënë, dhe duhej ndihmë për të bindur komandantët që të jepnin përgjigje pozitive. Clark bëri prezantim shumë të fuqishëm, të zgjatur për rëndësinë e legjendës së Cincinatit, bile hoqi edhe xhaketën e tij që ishte i paarmatosur, dhe iu nënshtrua kontrollit civil. Në fund të paraqitjes së Clark, Jackosn bëri pushim, njerëzit morën pije. Të gjithë ishin aty, përveç Thaçit, i cili qëndroi aty ku ishte. Komandatët e tjerë po bisedonin me gjeneralin Clark. Unë me qëllim nuk pata shkëmbime me Thaçin, as nuk kam shikuar në drejtim të tij, si vëzhgues mu duk se sjellja e tyre ishte përçmuese ndaj tij. Kishte shumë pak gjasa të kërkonin udhëzime, apo urdhra, apo t’i raportonin aktivitetet tek ai”, tha Covey ditën e djeshme, raporton Nacionale.
Covey deklaroi se Agim Çeku ishte individi me më së shumti ndikim në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Neve na u dha përshtypja që Çeku duhet të kishte konsensus. Nuk ka pasur komandë qendrore, gjeneral Çeku ishte individi më me ndikim në UÇK. Ne mund ta shihnim gjeneralin Çeku shumë të qetë. Ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë lëvizje, se ushtri, ku secili individ në zonë apo komanndantë në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë në realitet apo imagjinatën e tyre. Kishin këtë pushtet, mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre”, tha ish-zëvendësi i Bernard Kouchner.
Ai u pyet edhe lidhur me përfundimin e konfliktit, kjo temë tejet e diskutuar në Hagë.
“Konflikti përfundoi me marrëveshjen për tërheqjen e serbëve, që më duket më 20 qershor 1999. Nuk më kujtohet, thjesht ekziston dokumenti. Zbatimi i këtij dokumenti i dha fund edhe konflikti”, tha ai më tutje.
Covey komentoi edhe raportet e Thaçit me Agim Çekun.
“Sipas asaj që kam parë, ata silleshin korrekt me njëri tjetrin, nuk më kujtohet qartë nëse kanë shkëmbyer fjalë me njëri tjetrin. Sigurisht nuk kam parë që njëri të jepte urdhër tjetrit. Dukeshin sikur po silleshin me rezerva me njëri tjetrin. Dhe rrallë i kemi parë në të njëjtën dhomë së bashku”, tha Jock Covey.
“Unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë (Thaçin) si komandant”, tha ai më tutje.
Covey u pyet edhe për aktin e vrasjes së 14 qytetarëve serbë në Lipjan, dhe reagimin e Thaçit.
“Duke u njoftuar për aktin e vrasjes së 14 qytetarëve serbë në afërsi të Lipjanit, z. Thaçi tha se kjo po ndodhë edhe për shkak të vakuumit të krijuar si rezultat i vonesës së krijimit të një force policore. Ky akt na ka shqetësuar dhe nuk do të lejojmë që në Kosovë të mbizotërojë anarkia. A përputhet kjo nga mënyra se si e ka trajtuar dhunën ndaj pakicave etnike z. Thaçi?”, ishte pyetja që bëri avokati Misetiq.
“Po deklarata që nuk do të lejojmë anarkinë, po. Sa i përket krijimit të forcës policore, ishte një ankesë që është bërë në ditët e para të misionit tonë paqëruajtës dhe të njëjtën ankesë e kemi dëgjuar edhe nga NATO-ja”, u përgjigj ai.