“Sytë” e Gjykatës s’e këqyrin më Ramabajën, lirohet nga aktakuza për “Syrin e Popullit” - NACIONALE

“Sytë” e Gjykatës s’e këqyrin më Ramabajën, lirohet nga aktakuza për “Syrin e Popullit”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Avni Llumnica ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, kurse Sadri Ramabaja ishte liruar nga akuza, në rastin e njohur si “Syri i Popullit”.

Në këtë rast, Llumnica akuzohej për tentim vrasje të Azem Vllasit në bashkëkryerje me tani të ndjerin M.J. Ndërsa, Ramabaja akuzohej se kishte ndihmuar të akuzuarit në kryerjen e veprës penale të vrasjes në tentativë, raporton - "Betimi për Drejtësi".

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 nëntor 2022 mori aktgjykimin ndaj Llumnicës e Ramabajes.

E ndaj këtij vendimi, ankesë kishte ushtruar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe mbrojtësi i Llumnicës, avokati Naim Rudari. Ankesat u shqyrtuan nga Apeli më 8 mars 2023.

Andaj, pas shqyrtimit të tyre, Gjykata e Apelit, ka refuzuar ankesën e PSRK-së dhe mbrojtësit të të dënuarit Avni Lluminca, avokatit Naim Rudari me arsyetimin se gjykata e shkallës së parë nuk ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale.

“Gjykata e Apelit, vlerëson se pretendimet e lartcekura ankimore nuk qëndrojnë e as që ka shkelje të tjera të dispozitave të procedurës penale, për të cilat, sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo gjykatë, e të cilat kishin me kushtëzuar anulimin e aktgjykimit të ankimuar.”, thuhet në vendimin e Apelit.

Lidhur me të dënuarin Lluminca, Apeli ka vlerësuar se Themelorja drejt ka vepruar me rastin e caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit për të.

“Kolegji penal i kësaj gjykate shqyrtoi sipas detyrës zyrtare edhe çështjen përkitazi me vendimin për dënimin, dhe ka ardhur në përfundim se gjykata e shkallës së parë, drejtë dhe në mënyrë të plotë ka konstatuar dhe vlerësuar të gjitha rrethanat që ndikojnë në caktimin e llojit dhe lartësisë së dënimit”, thuhet tutje sipas vendimit të Apelit.

Ndërkaq, për të liruarin nga akuza Sadri Ramabaja, Apeli po ashtu vlerëson se gjykata e shkallës së parë drejt ka vlerësuar se i njëjti nuk është përfshirë në kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohej.

“Përfshirja e të akuzuarit në kryerjen e veprës penale nuk ka mund të vërtetohet me asnjë provë tjetër reale, bindëse dhe të pakontestueshme, pra nuk është provuar se i akuzuari i ka dhënë ndihmë në formën e dhënies së udhëzimeve se si i akuzuari M.J.të kryejë veprën penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”, thuhet në vendim.

Sa i përket pretendimeve të PSRK-së se aktgjykimi i ankimuar në pikën II. të dispozitivit të tij, në pjesën liruese është marrë si pasojë e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkelje nga neni 384, par.1, nënpar. 1.7 dhe par.2, nënpar. 2.1 të KPP-së, ku i akuzuari Ramabaja është liruar nga aktakuza, ngase me rastin e rigjykimit gjykata nuk i ka shqyrtuar të gjitha provat që kishin të bëjnë me të dhe me vendim procedural ka vazhduar shqyrtimin gjyqësor pa dëshmitë e dëshmitarëve A2 dhe A3 të propozuar me aktakuzën e ndryshuar, të cilat dëshmi kanë qenë kyçe në lidhje me veprimet dhe përfshirjen e të akuzuarit Ramabaja në këtë procedurë penale, këto pretendime kolegji penal i Gjykatës se Apelit gjen se janë të pabazuara.

Sipas aktakuzës së 27 tetorit 2020, Sadri Ramabaja, Avni Llumnica dhe Bajrush Konjusha ishin tashmë të vetmit të akuzuar në këtë rast. Kjo pasi që PSRK hoqi dorë nga vepra penale kundër rendit kushtetues respektivisht nga dyshimi për ekzistimin e një grupi kriminal “Syri i Popullit”.

Me aktakuzën e re, Llumnica akuzohej se në bashkëkryerje me tani të ndjerin M. J. kishin tentuar të privojnë nga jeta, Azem Vllasin.

Ramabaja akuzohej se kishte ndihmuar Llumnicën dhe M.J të kryejnë atentat ndaj të dëmtuarit Azem Vllasi, ndërkaq Bajrush Konjusha akuzohej për veprën penale të armëmbajtjes.

Lidhur me akuzën ndaj të ndjerit M.J, sipas vendimit të Apelit, meqenëse i njëjti kishte probleme shëndetësore, rasti i tij ishte deleguar në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, e cila kishte ushtruar propozim për caktimin e masës së trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018 kishte ngritur aktakuzën e parë për këtë rast.

Lajme të ngjashme