Specialja vendos sot për “Ujkun”: Prokuroria kërkon 28 vjet burgim - NACIONALE

Specialja vendos sot për “Ujkun”: Prokuroria kërkon 28 vjet burgim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Të martën, në orën 14:00, pritet të hapet sesioni i punimeve në Gjykatën Speciale. Pika e rendit të ditës është ajo më e rëndësishmja. Shpallja e aktgjykimit ndaj ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pjetër Shala, i cili akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë për krime të pretenduara lufte.

“Trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim për media të Speciales.

Zyra e Prokurorit të Specializuar që e ngarkon Shalën për veprat ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme, ka kërkuar që “Ujku” të dënohet me 28 vjet burgim.

Çka kishte thënë Shala në fjalën hyrëse të mbrojtjes, krejt në fillim të gjykimit

Shala i njohur me nofkën “ujku” kishte mbajtur një fjalë rasti, para panelit, ku kishte krahasuar Gjykatën Speciale me institucionet e drejtësisë në Belgjikë.

“Unë jetoj që 25 vjet apo shkurt thënë gjysmë shekulli në Belgjikë, shtet demokratik, detyra e prokurorit aty ku jetoj unë është hulumtoj, zbuloj paraqes provat dhe kërkoj drejtësi, në asnjë mënyrë t’i sajoj, t’i fabrikoj, në asnjë mënyrë. Madje aty ku jetoj unë është vepër penale, është e dënueshme”, tha Shala.

“Unë kam qenë një luftëtar që kam luftuar për lirinë e vendit tim dhe popullit tim, asgjë më shumë e as më pak”, ka thënë Shala.

Sa i takon Dhomave të Specializuara, ai kishte thënë se nuk dëshiron të fyejë dhe shtoi se nuk e ka përkrahur asnjëherë.

“Mirëpo, deshi fati të jem këtu para jush dhe nëse këtu me të vërtetë ka vetëm pak drejtësi, shpresoj që atë drejtësi do të ma jepni të më shpallni të pafajshëm”, tha Shala.

Për çka akuzohet Shala?

Në këtë çështje gjyqësore, Prokurori pretendon se përafërsisht mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë.

Sipas Aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.

Në Aktakuzë thuhet se të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje ose dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar nën shtrëngim.

Në Aktakuzë pretendohet se Pjetër Shala kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Lajme të ngjashme