Runik, Bon Vivant, Kolovicë: Tri vrasje për të cilat ende nuk u kapën autorët
Në tri vrasje dhe një plagosje të cilat kanë ndodhur muajve të fundit në Kosovë, të dyshuarit ende janë të pakapshëm për Policinë e Prokurorinë. Njëra vrasje në Runik të Skënderajt, tjetra në lokalin Bon Vivant e vrasja e para një jave në Kolovicë. Ngjashëm si edhe plagosja e para disa javësh në Gjakovë. Nacionale sjell detaje.
Ishte nata e 4 gushtit të vitit të kaluar kur Prishtina u trondit nga një numër të shtënash në qendër të qytetit. Ngjarja ndodhi në ‘Bon Vivant’.
Aty mbeti një person i vdekur, 20 persona u plagosën e lënduan si pasojë e kaosit që u krijua, kurse katër persona u arrestuan.
Ky ishte bilanci i asaj nate tragjike. Megjithatë, bilancit ende nuk i është shtuar edhe një person. Fjala është për Dukagjin Nikollën, personi i cili dyshohet se ishte përfshirë në këtë vrasje, dhe në shkëmbimin me armë me grupin e Andi Pajazitit ‘Italianit’.
Kur kanë kaluar 8 muaj që nga ajo kohë, Duka është ende në arrati. Avokat i Dukës është Tomë Gashi, dhe lajmin për këtë ai e kishte bërë të ditur vet në rrjete sociale.
Pavarësisht se Policia e kishte shpallur në kërkim, asnjë gjurmë për të nuk dihet. Viktimë nga ky rast mbeti Kastriot Ramadani.
“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti, në atë moment i ndjeri K.R. e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas K.R. e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të K.R., kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri K.R. shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”, thuhej në dosjen e Prokurorisë.
Hetimet, sigurisht vazhdojnë!
Krimi misterioz në Runik
Gjashtë ditë pas rastit në Bon Vivant, Kosova u trondit nga një vrasje tjetër e cila ndodhi në fshatin Runik të Skënderajt.
Atje, në një lokal të natës u vra një person e u lënduan tre të tjerë. Sipas dyshimeve, dy persona të maskuar hynë në lokal, e filluan të gjuajnë pa kontroll, duke shkaktuar edhe viktima.
Muaj pas rastit, të dyshuarit ende janë në arrati. Madje, sipas një përgjigje pak kohë më parë, Prokuroria e Mitrovicës nuk ka arritur as t’i identifikojë dorasit.
“Deri tash, nuk është identifikuar e as arrestuar ndonjë person i dyshuar për këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria në koordinim me Policinë”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë.
Siç kishin treguar dëshmitarët, pronarët e lokalit kohë më parë kishin pasur probleme me disa persona, por ky mbeti vetëm një rrëfim i pakonfirmuar zyrtarisht.
Plagosja në Gjakovë – Djali i ish-kryeshefit të K.R.U Gjakova në arrati
Më 10 mars të këtij viti, në Gjakovë u plagosën dy të ri. Ata, si pronarë të një kafiterie u plagosën nga Shkëlzen Ahmeti, djali i ish-kryeshefit të K.R.U Gjakova.
Arsye për këtë ngjarje dyshohet të jetë krejt banale, pasi kamarierët nuk pranuan t’i shërbejnë Ahmetit pasi kishte përfunduar orari.
Shkëlzen Ahmeti që nga ajo kohë është në arrati. I njëjti është edhe zyrtar i Drejtorisë së Emergjencave në komunën e Gjakovës.
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim Ahmetin. Avokatja e dy të lënduarve kishte treguar se të plagosurit janë vëllezër, dhe se ngjarja kishte ndodhur derisa ata ishin në vendin e punës.
“I ka shkaktuar tri plagë D. S. dhe tri plagë J. S.. Po ashtu, nga shkrepja e armës ka pësuar lëndim edhe një klient tjetër i lokalit” – tha mes tjerash avokatja.
Ekipi i Nacionales kishte vizituar firmën e të dyshuarit, megjithatë aty nuk ishte pritur mirë, duke i kërkuar të largohet.
Vrasja e dyfishtë në Kolovicë
Për një tjetër vrasje të rëndë, personat e dyshuar janë në arrati. Javën e kaluar, paradite, u raportua për të shtëna me armë zjarri në Kolovicë të Prishtinës.
Në mbrëmje, në zonën afër ku ndodhi ngjarja e paradites, u raportua sërish për të shtëna. Nga gjuajtet u vra një i ri, dhe Zejnie Gashi e cila ishte kalimtare e rastit.
Të dy ngjarjet dyshohet të kenë qenë të lidhura mes vete, si një betejë mes dy grupeve kriminale. Për plagosjen e paradites dhe vrasjen e dyfishtë në mbrëmje, Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim katër persona. Pjesëtarë të dy grupeve të ndryshme.
“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar. Personat e dyshuar Ahmet ( Ali) Berisha dhe Naim (Ali) Berisha kërkohen për veprën vrasje e rëndë që ka ndodhë mbrëmë. Ndonëse janë ndërmarrë një sërë veprimesh nga ana e policisë, kërkimi i vazhdueshëm, bastisja e disa lokacioneve etj. personat e dyshuar vazhdojnë të ndodhen në arrati, andaj për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendodhjes së personave të dyshuar na kontaktoni direkt”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
“Njësiti i hetimeve të përgjitshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personave të dyshuar. Personat e dyshuar Fitim (Skender) Doda dhe Arijan (Arif) Sijarina, kërkohen për veprën vrasje në tentativë që ka ndodhë me datën 26.03.2024 në rrugën "Haxhi Zeka" në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Edhe më shumë se një javë nga ngjarja, të dyshuarit vazhdojnë të jenë në arrati.