Roli i Thaçit, Veselit e Selimit në UÇK: Çka tha në Hagë ish-këshilltari i UNMIK-ut?
Ish-këshilltari në UNMIK, Hansjeorg Strohmeyher, ka dëshmuar këtë javë në Gjykatën Speciale të Hagës në rastin e krerëve të UÇK-së.
Pjesën më të madhe të dëshmisë ai e ka pasur për secilin të akuzuar veç e veç dhe për rolin e tyre në luftë.
Ai ka folur më së shumti për Hashim Thaçin.
“Për neve nëse do të flas në terma teknik, kreu i UÇK-së ishte z.Thaçi, nuk me kujtohet të kem patur ndonjë dyshim në lidhje me këtë ose dikush të me ketë thënë se është dikush tjetër. Konkretisht se si ishte organizuar hierarkia nga brenda nuk e di. Me sa me kujtohet nuk kam parë kurrë ndonjëherë ndonjë riorganizim të UÇK-së. Nuk me kujtohet që kam marrë raporte për këtë”, tha Strohmeyer, raporton Betimi për Drejtësi.
“Ky hendek ose ky boshllëk që unë kam vënë re ishte i çartë për të gjithë. Unë mund të them që unë e kam përshkruar këtë edhe në raste të tjera. Ne kemi ndjerë një lloj situatë të tillë dhe kemi të bëjmë me një peizazh politik ku Rugova ishte presidenti në ekzil dhe në disa raste me kujtohet që kam dëgjuar zonjën Tahiri dhe persona të tjerë nga LDK-ja që ata po prisnin Rugovën dhe në mungesë të tij, më kujtohet që ne e kishim ndjesinë që LDK-ja kur ndërvepronte me ne, po përpiqej që të mbante akoma vendin e ngrohtë pavarësisht që ata kundërshtuan që të merrnin pjesë në KTK në fillim fare por situa ishe e tillë”, tha ai.
“Udhëheqja e UÇK-së ishte shumë më tepër koherente. Ishte goxha e qartë por edhe me shumë kërkuese lidhur me rrugën e përpara. Kjo ishte situata që UÇK-ja ishte shumë më e vendosur dhe e dinte se në çfarë drejtimi po shkonte dhe sikur se e tash, ata ishin pala që po flisnin për Qeverinë e Përkohshme të Kosovës”, tha Stohmeyer.
Por, megjithatë, ai deklaroi se nuk e ka parë Thaçin të ketë dhënë ndonjë urdhër.
“Nuk më kujtohet. Nuk mund të them as po as jo. Nuk më kujtohet ndonjë rast konkret. Unë të paktën nuk e kam parë që t’i japë urdhra dikujt në praninë time, ndonjë komandanti apo ndonjë personi. Më janë bërë disa herë pyetje për këtë”, tha Strohmeyer.
Dëshmitari Hansjeorg Strohmeyer tha se nuk i kujtohet që është takuar ose ka biseduar ndonjëherë me Kadri Veselin.
Madje, në një rast ai tha se gjatë kohës kur ishte me mision në Kosovë, nuk e dinte as kush ishte Kadri Veseli.
“Po absolutisht e saktë dhe sot e kësaj dite nuk më kujtohet një gjë e tillë”, tha dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Veselit, Rodney Dixon.
Megjithatë, ai tha se në atë kohë ka mundur që ta dijë rolin e Selimit por që tashmë nuk i kujtohet.
“Mbasi edhe e kam ditur por tani nuk me kujtohet”, tha ai, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai gjithashtu u pyet nëse ka marrë pjesë në ndonjë ngjarje konkrete për të cilën dëshmitari ka njohuri.
”Sot nuk me kujtohet diçka e tillë”, tha ai.
Dëshmitari e pranoi se e ka dëgjuar Thaçin disa here të kërkonte një Kosovë multietnike.
Më pas, Eric Tully, avokat i Rexhep Selimit Tully u fokusua tek rregullorja e UNMIK-ut lidhur veprimet policore që u kryenin gjatë kohës së operimit në Kosovë.
“Kur kam qenë unë atje as nuk kemi pas rregullore e as forcë policore. Për ne ishte KFOR-i dhe autoriteti që i kryente arrestimet në bazë të rregullores së tyre dhe filluan që të na nxisnin ne që t’i kryenim më pas që të krijohej një formë e institucioni të ngjashëm me gjykatën në mënyrë që t’i trajtonim këto situata sepse situata ishte disi emergjente”, tha Strohmeyer.