Rama: S’ka trysni ndaj SPAK-ut, Erion Veliaj i dyshuar - jo i pandehur - NACIONALE

Rama: S’ka trysni ndaj SPAK-ut, Erion Veliaj i dyshuar - jo i pandehur

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri shqiptar Edi Rama, kundërshton paraburgimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke thënë se nuk është ‘për t’iu kundërvënë SPAK-ut’ por se sipas tij, Veliaj u paraburgos si person i dyshuar, dhe jo si i pandehur.

Në komunikimin e tij të zakonshëm ‘Sy më sy’ – ku Rama flet drejtpërdrejt me publikun, ai tha se Partia Socialiste është ‘garantuese e SPAK-ut’.

“Nëse nuk mbron Edi Ramën në betejën e tij bashkë me Partinë Sociaiste, harrojeni SPAK-un, nuk keni SPAK. Pa Edi Ramën dhe Partinë Socialiste nuk ka SPAK

Nuk do kishte as nuk diskutohet. Bufi i kënetës e thotë në mënyrë declarative, më jepni votën të shkrij SPAK-un.

Nëse SPAK-un nuk e garanton bashkë me gjithë reformën në drejtësi, kjo kocka këtu bashkë me Partinë Spesialiste, nuk mund ta garantojnë ato partiçkat.

Nuk jam unë që kontestoj ndonjë provë duke iu kundërvënë SPAK-ut, sic kanë vënë kujën të gjitha llojet e specieve, por statusi i Erionit si person i dyshuar dhe jo i pandehur, që konteston vetvetiu forcën e provave të pretenduara deri tani.

Nuk po them të pretenduara me të drejtë apo me të padrejtë.

Jo vetëm kaq, deri tani, në gjithë atë dosje nuk ka një paragraf të vetëm, ku ka një provë sado që është brenda një dosje që tregon që kryetari i Bashkisë ka përfituar në mënyrë të paligjshme”, tha Rama në komunikimin e drejtpërdrejtë.

Rama, i cili sot viziton Veliajn në paraburgim, këmbëngulë në atë se ‘nuk po i bën sulm SPAK-ut’, një vlerësim që del nga analizat e debateve televizive, por se thotë vetëm po kërkon një standard parimor.

“Pyetja është, tani a ju duket normale, harroni politikën për një moment.

Le të hyjmë pak në territorin e odës, ku mblidhen të gjithë burrat po në këtë rast burrat dhe gratë dhe pavarësisht se cfarë prirje kanë, merren me një cështje për t’i vënë pikën moralisht.

Me ligj e me zakon a ju duket normale, që një kryetar bashkie në detyrë, të merret nga zyra dhe të cohet në burg pa gjyq sepse prokuroria ka dyshime, sado të mëdha të jenë ato, prapë se prapë të pamjaftueshme për të ngritur një akuzë.

Si mund të quhet ky sulm ndaj SPAK-ut apo trysni ndaj gjykatës që të ngritësh një problem që është kaq parimor.

Kemi vënë në formë edhe ekzistencën e Qeverisë duke thënë ose votojeni reformën në drejtësi ose le të rrëzohet qeveria. Dhe tani të mos bëj një kërkesë legjitime për standardet demokratike. Jo për të ushtruar presion ndaj prokurorit apo gjykatësit. Po për një pikë standardi.

Kush e drejton bashkinë e Tiranës tani? Kush do t’i bëj 1001 punë për Tiranën tani? Kush?”, tha Rama.

Në këtë komunikim, kryeministri shqiptar tha se ‘beteja e tij është për ta ulur Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Evropian”.

Jam këtu për t’iu ulur në tryezën e Bashkimit Evropian. Jam këtu, për ta parë aty ‘Albania’ në tryezë dhe për ta parë flamurin kuq e zi atje. Kjo është beteja ime, pastaj vazhdoni ju bëni çka doni me të rinjtë.

Kujtoni se është ndonjë kënaqësi restoranti apo plazhi kjo, kjo është luftë e përditshme, sakrificë. Është mohim i shumë gjërave që njerëzit e zakonshëm i kanë, i familjes, i kohës me familje”, tha Rama.

Lajme të ngjashme