Prokuroria Speciale e prerë ndaj “pushtetarëve” që po e sulmojnë për hetimin e Aliut: Jo të ndërhyjnë orë e çast
Zgjerimi i hetimeve nga Prokuroria Speciale në lidhje me zvogëlimin e borxheve për ambalazhuesit e ujit, ka ngjallur reagimin e deputetëve të pushtit. Meqenëse në Aktvendimin e Prokurorisë, thuhet se hetimet duhet të shkojnë drejt Ministrit të Planifikimit Hapësinor Infrastrukturës e Mjedisit, Liburn Aliu, nën dyshimin e keqperdorimit të detyrës zyrtare, duke i shkaktuar dëm miliona euro buxhetit të shtetit, deputetët e pushtetit janë vënë në mbrojtje të Aliut. Jo vetëm kaq. Ata si zakonisht, kur organet e drejtësisë ndërmarin hapa drejt hetimit, zbulimit a dënimit të veprimtarive korruptive të pushtetarëve, sulmuan prokurorinë, si dhe direkt Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj, duke e detyruar kështu Këshillin Prokurorial të lëshoj komunikatë, për t’i thënë pushtetit, se po e bënë të kundërtën e asaj që janë të thirrur. Pra, në vend se ta përkrahin shtetin ligjor, ata po sulmojnë prokurorinë, prokurorët e gjyqtarët.
Çka ndodhi?
Gazeta Nacionale gjatë ditës së hënë publikoi aktvendimin e Prokurorisë Speciale se kjo prokurori ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit., I pandehur rezultoi të jetë Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu.
Sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale, ministri Liburn Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e përsonit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kungërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t'i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Ai dyshohet se ka qenë në dijeni se zyrtarët e kësaj Ministrie të pandehurit Izedin Bytyqi e Naser Hafizi vepruan në kundërshtim të plotë me rregullat, procedurat e ligjet në lidhje me llogaritjen e borxheve.
Ministri Liburn Aliu dyshohet se ka lejuar, me qëllim përfitimi e për t'i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit, që operatorëve ekonomik t'u zvogëlohen borxhet.
Më këtë sipas aktvendimit për zgjerimin e hetimeve, Ministri Aliu i ka shkakatuar dëm buxhetit të Kosovës miliona euro.

Muja sulmon ashpër organin e akuzës
Disa nga deputetët e Vetëvendosjes, me të parë dokumentin, filluan ta sulmojnë Prokurorinë Speciale.
Më i ashpëri ishte ai që jo shumë kohë më parë i është bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Armend Muja, sulmoi prokurorinë si organ, lakoi emrat e Samir Mane, Daut Haradinajt e vet Kryeprokurrit Blerim Isufaj.
“Saimir Mane njëfarë vakti edhe në Kosovë ka bë ligje kur ka qenë Qeveria Hoti. Me propozim të Grupit Parlamentar të AAK-së, në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike ishte shtu një amandament për një nen që parashihte lirim të energjisë elektrike për Ferronikelin, i cili atë kohë ishte në pronësi të Saimir Manes dhe të pezullohen pagesat e rentës minerare. Komisioni i Minierave (KPMM) nuk e kishte ngarkuar asnjëherë Ferronikelin me rentë minerare siç parashihte ligji.
A e ka hetu ndonjëherë Prokuroria këtë pazar? Apo ndoshta Dauti nuk i ka thënë Blerim Isufajt me e hetu këtë rast.” – shkroi Muja.
KPK i reagon pushtetit, përmend me emër Mujën
KPK-ja me anë të një komunikate për media i reagoi sulmeve ndaj tyre, por edhe specifikisht me emër deputetit Armend Muja. KPK e Zyra e Kryeprokurorit kanë theksuar se deklaratat e Mujës synojnë njollosjen e prokurorëve.
“Deklaratat e sotme të deputetit Muja kanë përmbajtje të pastër politike dhe vijnë e renditen në sinkron me deklaratat e Qeverisë dhe nga radhët e deputetëve të subjektit shumicë në Kuvendin e Kosovës, që, faktikisht, duhet të jenë gardianë të së drejtës dhe sundimit të ligjit në vendin tonë dhe jo të ndërhyjnë orë e çast, duke mos zgjedhur mjete dhe metoda për të njollosur dhe sulmuar prokurorë, kryeprokurorë dhe prokuroritë e vendit.” – thuhet ndër të tjera në reagim.
Ndryshe, saherë që prokuroria vihet në punë, për të zbuluar ndonjë keqperdorim të eksponentëve të pushtetit, këta të fundit i vihen në sulm verbal Prokurorisë.