Policia e Kosovës del me komunikatë të detajuar si i sekuestroi pesë 'kyçje' - NACIONALE

Policia e Kosovës del me komunikatë të detajuar si i sekuestroi pesë 'kyçje'

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës ka dalë me një komunikatë mirë të shkruar e detajuar si "sekuestroi substanca narkotike" në Lipjan.

Në një foto të publikuar në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës janë publikuar pesë 'kyçje' (mariuhanë e mbështjellur) të vendosura mbi një peshore që tregon grafikën e peshës 9 gramëshe, në një episod që përshkruhet si rezultat i "intensifikimit të veprimeve për të identifikuar kapjen e personave që kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal".

Nuk është se jemi kundër sekuestrimit të lëndëve narkotike të çfarëdo sasie, por disi ke njëfarë ndjesie, apo e kishim të paktën deri tash, se Policia e Kosovës nuk do ta konsideronte si të arritur për marketing kapjen e një personi me një sasi të tillë. Më falni, ndoshta jam vetëm unë që dua të shoh më shumë postime rreth kapjeve të personave që kanë më shumë për të dhënë përgjegjësi se sa 9 gramë marihuanë.

Para se të vazhdojmë, hidhni një sy komunikatës së plotë të policisë më poshtë:

"Sekuestrohet substancë narkotike, shoqërohet në stacion policor një person

"Policia e rajonit të Prishtinës në kuadër të punës së saj, ka intensifikuar veprimet e saj në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave që kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në fushën e shitblerjes së substancave narkotike.

"Një nga kontrollet është ndërmarrë sot rreth orës 09:00, në Lipjan.

"Mbështetur mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, është kryer një kontroll ndaj një personi të dyshuar, të cilit i është gjetur dhe sekuestruar sasi e substancës narkotike.

"Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, ndaj personot të dyshuar K.Sh, (mashkull), është iniciuar hetim në drejtim të veprës penale posedim i paautorizuar i substancave narkotike, psikotrope ose analoge."

Hmm, interesante. Duket se gjithçka është kryer me plan paraprak, ku janë angazhuar njësi e resurse në kapjen e nëntë gramëve marihuanë. Nuk është se jam ekspert i fushës por duket paksa ekzagjërim për t'i dhënë hapësirë një "suksesi" të tillë në faqen zyrtare në Facebook me 154 mijë ndjekës.

Në mesin e 64 reagimeve në këtë postim, deri në kohën e këtij shkrimi, 16 kanë preferuar emotikun "haha", ndërsa një prej tyre ka shprehur nervozizmin, potencialisht ka mundur të jetë vetë K.Sh, i cili të paktën mund të mburret për mbështjellje goxha solide.

Megjithatë, për ju që jeni ndjekës të faqes së PK-së në Facebook, postimet e tilla mund të mos jenë asgjë e re.

Policia e Kosovës vazhdimisht bën postime nga më të ndryshmet për të bëmat e njësiteve të këtij institucioni në terren, me disa prej tyre që mund t’iu ngrisin vetullat, e disa të tjera që edhe mund t’iu bëjnë të hiqni e riktheni në vend kapelën.

Lajme të ngjashme