Pjetër Shala dënohet me 18 vjet burg
Ish-ushtari i UÇK-së, Pjetër Shala, u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë.
Vendimi është shpallur ditën e sotme nga gjyqtarët e Speciales.
Ai u gjet fajtor për veprat si: ndalim arbitrar, torturë, trajtim mizor e vrasje të paligjshme.
Kryetarja e trupit gjykues theksoi se të gjitha provat kanë dëshmuar se Pjetër Shala është fajtor.
“Në emër të popullit të Kosovës, për arsye të shtjelluara në aktgjykim, trupi gjykues në bazë të Ligjit iu shpall z.Shala fajtor për veprat penale në vijim: pika 1 ndalim arbitrar si krim lufte, pika 3 torturë si krim lufte, dhe pika 4 vrasje e paligjshme si krim lufte”, tha gjyqtarja.
“Z.Shala duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më vete për secilën vepër penale. Trupi gjykues ka përcaktuar dënimet në vijim: dënim me 6 vjet burg për krimin e luftës së ndalimit arbitrar, dënim me 16 vjet burgim për torturë, dhe dënim me 18 vjet burg për vrasjen e paligjshme. Ju dënon me dënim 18 vjet burg”, tha ajo.
Konstatimet e trupit gjykues pa ndërhyrje:
Mappie Veldt-Foglia – Kryetare e trupit gjykues:
Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë me krime lufte që u kryen në fabrikën e metalit në Kukës.
Trupi gjykues ka marrë dëshmi të besueshme përputhëse dhe që konfirmojnë njëra-tjetrën gjatë zhvillimit të gjykimit, nga dëshmitarët, se FMK-ja u përdorë nga disa anëtarë ndaj personave që konsideroheshin bashkëpunëtorë. Numri i të ndaluarve që u mbajtën në FMK nuk dihet, por vlerësohet të ketë qenë rreth 40 persona përfshirë 3 të ndaluara femra. Trupi gjykues arriti të identifikonte 18 persona të cilët u mbajtën të ndaluar në FMK gjatë periudhës relevante. Trupi gjykues e zhvilloi këtë gjykim në kontekstin e atmosferës së vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve. Kjo atmosferë ka pasur ndikim të dukshëm në dhënien e dëshmisë nga dëshmtiarët, megjithatë vlen të theksohet se trupi gjykues ka dëgjuar disa dëshmi të dorës së parë nga dëshmitarët gjatë këtij gjykimi për ngjarjet traumatike të përjetuara gjatë ndalimit në Kukës, dhe ndikimin fizik e psikologjik që kanë pasur në jetën e tyre dhe familjet e tyre.
Viktimat ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës që kanë pësuar vuajtje nga shqiptarë të tjerë të Kosovës. Dëshmitë e tyre ishin të gjalla, të hollësishme, dhe bindëse. Disa prej dëshmitarëve janë viktima pjesëmarrëse në këtë proces. Dëshmitarët folën për përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësi gjatë 25 viteve të fundit. Po e citoj njërin prej tyre: “me pas ligj e shtet ish kry atje, po kush me kry, s’ka guxu kush me i marrë lëndët në dorë”.
Z.Shala ishte anëtar i UÇK-së në mars 1998, dhe u bë oficer në Policinë Ushtarake në Jaballanicë. Z.Shala iu ribashkua UÇK-së në Shqipëri, në Kukës. Gjatë të gjithë periudhës që lidhet me akuzat z.Shala ishte fizikisht në Fabrikën e Metalit në Kukës. Ai shkonte e vinte shumë shpesh dhe pa kufizime. Ai gëzonte një autonomi.
Ndalimi arbitrar: Bazuar në prova, trupi gjykues ka konstatuar se të paktën 18 persona iu hoq liria nga anëtarë të UÇK-së në fabrikën e metalit në Kukës, në periudhën 17 maj 8 qershor 1998. Provat tregojnë se individë u arrestuan dhe u mbajtën të ndaluar me pretendime se ishin tradhtarë ose bashkëpunëtorë të Serbisë, simpatizionin Serbinë, ose nuk mbështesnin përpjekjet e UÇK-së. Rrethanat e arrestimit të një numri prej tyre, tregojnë se paraprakisht ishin bërë hetime lidhur me vendndodhjen e tyre. Të ndaluarit u arrestuan në vendin ku banonin, në rrugë. Z.Shala u përfshi drejtpërdrejt në transferimin e 1 të ndaluari në Fabrikën e Metalit. Personave të ndaluar nuk iu dhanë garancitë bazë. U keqtrajtuan nga anëtarë të UÇK-së, përfshirë z.Shala, dhe njëri prej tyre u vra.
Trajtimi mizor dhe tortura: Trupi gjykues ka konstatuar se të paktën 18 të ndaluar që iu hoq liria, u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese. Të ndaluarit u mbajtën në dhoma të vogla, pa shtretër, në dhomë me 13 të ndaluar. Nuk iu jepej ushqim e ujë. Një dëshmitar kujtoi se nganjëherë dy të ndaluar ndanin një vezë të zier. Herave të tjera atyre nuk iu dha aspak ushqim, nuk lejoheshin të laheshin, duhet të kërkonin leje për të përdorur banjat. Të ndaluarit shkonin të shoqëruar në banjë, e me ngacmime rrugës. Nuk iu dha ndihmë mjekësore mjaftueshëm, ose iu refuzua ndihma. Pjetër Shala ishte i pranishëm kur të ndaluarit merreshin në pyetje. Krahas kushteve çnjerëzore, trupi gjykues ka konstatuar me prova se të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht e psikologjisht përditë nga disa anëtarë të UÇK-së. U rrahën gjatë gjithë natës deri në mëngjes, u detyruan të godisnin njëri-tjetrin. Gjatë marrjeve në pyetje rrahën të ndaluarit në formë brutale, i rrahën të ndaluarit me shkopinjë gome e bejsbolli në gjithë trupin. I goditën me grushte, i prenë me thika, i dogjën me cigare, dhe iu hodhën kripë në plagë. Anëtarët i rrihnin me rend të ndaluarit. Keqtrajtimi fizik e psikologjik i shoqëruar me kushte mizore iu shkaktuan të ndaluarve pasoja afatgjata si lëndime në kokë, lëndime nga djegiet.
Vrasje e paligjshme: Trupi gjykues ka konstatuar se më 4 qershor, një prej të ndaluarve, u keqtrajtua rëndë nga një grup anëtarësh ndër të cilët z.Shala dhe Xhemshit Krasniqi, dhe u qëllua me armë zjarri nga ky i fundit. Z.Shala mori pjesë në keqtrajtimin e viktimës para dhe pasi u qëllua me armë zjarri. Ndërkohë që viktima e vrasjes së paligjshme, keqtrajtimi dhe gjuajtja me armë i shkaktuan mavijosje në gjithë trupin, kishte gjakderdhje nga plagët. Viktima e vrasjes së paligjshme pas një agonie vdiq të nesërmen me 5 qershor 1999, ose rreth kësaj date.
Trupi gjykues ka konstatuar se krimet u kryen në një konteksti të konfliktit jondërkombëtar mes UÇK-së dhe forcave serbe. Z.Shala ishte në dijeni për statusin e viktimave si persona që nuk merrnin pjesë në luftime, duke qenë se atyre u ishte hequr liria.
Trupi gjykues në bazë të provave ka konstatuar se z.Shala mori pjesë në transferimin të njërit prej të ndaluarve. Ai gjithashtu mori pjesë në marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e disa të ndaluarve, së bashku me anëtarë të tjerë ndër të cilët Sabit Geci e Xhemshit Krasniqi. Z.Shala ishte i pari që goditi disa të ndaluar. Dëshmitarëve iu kujtohej brutaliteti i tij. Njëri tha se z.Shala i rrahu me shkop gome në gjithë trupin. Ai kishte njëfarë pushteti kur bëhej fjalë për të ndaluarit. Ai mori në pyetje një të ndaluar për të marrë praninë prej tij. Gjatë ndalimit të një dëshmitari, Z.Shala i tha: “do të vrasim”. Këto tregojnë se ai mori pjesë në heqjen e qëllimshme të lirisë së këtyre personave duke qenë në dijeni, dhe e dinte se atyre nuk iu dha asnjë garanci bazë. Z.Shala nuk pati arsye për të besuar se për shkak të sigurisë ndalimi i tyre ishte i domosdoshëm. Z.Shala ishte në dhomë kur të ndaluarit i rrihnin. Ai personalisht iu bëri akuza të ndaluarve. Ai u shkaktoi të ndaluarve qëllimisht dhimbje për të marrë informata ose deklarata pranuese për t’i ndëshkuar, frikësuar, shtrënguar dhe diskriminuar të ndaluarit për arsye politike. Trupi gjykues ka konstatuar se z.Shala kishte synimin për të vrarë, kjo demostrohet nga një numër faktorësh, përfshirë në mënyrën që e rrahu të ndaluarin duke goditur në kokë me shkop, fakti që ai një të ndaluar i tha shprehimisht se do ta vrasin, dhe fakti që ai ishte i pranishëm kur anëtarët e tjerë të UÇK-së goditën të ndaluarit me armë, dhe shtinë kundër tyre. Fakti që ishte dëshmitar i dhunës, dhe z.Shala vazhdoi të merrte pjesë në keqtrajtimin e të ndaluarve, përfshirë viktimës së vrasjes.
Trupi gjykues konstaton se është përmbushur secili prej elementeve përbrëse të ndalimit arbitrar, torturës, dhe vrasjes së paligjshme. Për trajtimin mizor si krim lufte, faktet bazë janë identike me torturën. Duke pasur parasysh se tortura është akuzë konkrete, trajtimi mizor mbulohet nga tortura, rrjedhimisht trupi gjykues nuk e ka shqyrtuar këtë akuzë më tej. Lidhur me pjesëmarrjen e të akuzuarit dhe kategorinë e përgjegjësisë penale, konstatojmë se Shala mban përgjegjësi për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasjes së paligjshme si pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. Patën qëllimin e përbashkët të ndalonin arbitrarisht, merrnin në pyetje, torturonin dhe vrisnin të ndaluarit në Kukës që mendohej se bashkëpunonin me Serbinë. Me pjesëmarrjen e tij në transferimin, marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin në Fabrikë, z.Shala dha kontribut në realizimin e këtij qëllimi të përbashkët. Z.Shala kishte të njëjtin synim të ndalimit arbitrat, torturës dhe vrasjes si anëtarët e tjerë.
Bazuar në tërësinë e provave konstaton përtej dyshimit të arsyeshëm se Z.Shala është fajtor, për pikat 1, 3 dhe 4. Për ndalim arbitrat kundër 18 personave në fabrikën e Metalit, torturë si krimë lufte kundër 18 personave mes 17 majit dhe 5 qershorit 1999, dhe tre vrasje si krim lufte pika 4 kundër një personi rreth datës 5 qershor.
Dënimi duhet të pasqyrojë thirrjen për drejtësi nga personat që ishin viktima të veprave penale. Qëllimi i dënimit është të bëjë më se të qartë se rregullat e së drejtës humanitare duhet të respektohen në të gjitha rrethanat. Së fundmi, trupi gjykues gjykon se zbatimi i parimit të barazisë para ligjit është qëllim tjetër në rastin aktual.
Trupi gjykues mori parasysh dy rrethana rënduese: torturimi u krye me egërsi të madhe, për këto arsye trupi gjykues vlerësoi se pesha e krimeve ishte e rëndë. Për kontributin personal të z.Shala, trupi gjykues thekson se ai luajti rol aktiv në ndalimin, torturë dhe vrasje të paligjshme. Kishte pushtet brenda UÇK-së. Trupi gjykues nuk ka identifikuar asnjë rrethanë individuale që do të përligjte uljen e dënimit.