Për ditën e dytë me radhë, dëshmitari në Hagë flet në seancë private: Pse?
Po vazhdon gjykimi në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit. Dëshmitari i dytë në Gjykatën Speciale e konfirmoi se ka qenë anëtar i LDK-së dhe UÇK-së. Kjo u tha në ditën e parë të dëshmisë kur sado pak, gjykimi po zhvillohej me dyer të hapura.
Megjithatë, që nga dita e parë, më procesi është zhvilluar vetëm me seanca private. Publiku në Kosovë as nuk ka parë e as dëgjuar për atë se çfarë po diskutohet në gjykatore.
Kjo kryesisht bëhet për shkak që dëshmitarit të mos i zbulohet identetiteti, dhe të mos ketë rrezik për ndonjë kërcënim të mundshëm. Dihet se Dhomat e Specializuara të Hagës që nga fillimi kanë vlerësuar se në Kosovë ka klimë frikësimi për dëshmitarët.
Por, në disa përgjigje të dëshmitarit të parë që dha në Hagë, u vërejtën disa gabime elementare që ndërlidhen me daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dëshmitari edhe pse deklaroi që ka qenë pjesëmarrës fizikisht në këtë ceremoni, ai nuk i pati të sakta disa informacione.
E para ai tha se në Llaushë pati mbajtur fjalim Mujë Krasniqi, kur dihet që atje ka folur vetëm Rexhep Selimi. Dhe e dyta, tha se vetëm Mujë Krasniqi ka dalur pa maskë në skenë, përderisa dihet se pa maskë ka dalur edhe Daut Haradinaj.
“UÇK-ja u bë publike pas vrasjes së mësuesit Halit Geci, në varrimin e tij është bërë publike Ushtria Çlirimtare të Kosovës. E pas vrasjes së familjes Jashari i madh e i vogël u kyçën në ushtri. Me rastin e varrimit të mësuesit Halit Geci kemi qenë prezentë në varrim edhe vetë. Është fol që ka marrë pjesë edhe kryetari i degës së Skënderajt, Idriz Reci. Kanë folë ata, pas tyne janë dalë përfaqësuesit e UÇK-së e kanë lexu një tekst dhe i kanë shprehë ngushëllime”, tha fillimisht dëshmitari.
“Mujë Krasniqi ka qenë pa maskë, të tjerët kanë qenë me maska. Më vonë e kemi kuptuar se ishte Mujë Krasniqi. Muja ka lexuar diçka, ka bërë thirrje që të veprohet me UÇK-në e të ecim përpara”, deklaroi dëshmitar.
Prokurori nuk bëri ndonjë pyetje tjetër lidhur me këto dy përgjigje. Mbetet të shihet nëse avokatët e krerëve të UÇK-së do t’ia rikujtojnë dëshmitarit dy elementet të cilat i tha lidhur me daljen publike të UÇK-së.
Megjithatë, prokurori u interesua për faktin se cili nga folësit ka qenë më i rreptë. Dëshmitari tha se më ashpër kishte folur Rexhep Selimi.
Dëshmitari foli edhe për raportet e LDK-së me UÇK-në. Tha se UÇK-ja nuk e njihte presidentin Rugova, përderisa pretendoi se ushtarët e UÇK-së i kanë kërkuar atij të largohet nga LDK-ja.
Pjesë tjetër nga dëshmia e dëshmitarit:
Prokurori: Kush nga folësit ishte më i rreptë?
Dëshmitari: Veç me fjalë nuk arrihet lufta, pak a shumë kështu ishte fjalimi.
Prokurori: Më herët the një person e ka mesazhin më të ashpër. A e kujton kush ishte?
Dëshmitari: Po. Rexhep Selimi. Më tregoi dikush që ishte ai.
Prokurori: Si e kuptuat që mesazhi ishte të mos ndiqen më njerëzit pacifist?
Dëshmitari: Fjala ishte për Lidhjen Demokratike e Kosovës. Kjo sepse thanë që nuk mundemi vetëm me fjalë paqësore, por edhe lufta. U dijke kush është në Prishtinë, e kush punon në mënyrë paqësore. Në atë kuptim.
Prokurori: Sa pjesë të Malishevës kontrollonte UÇK-ja në qershor 1998?
Dëshmitari: Pothuajse komplet Malishevën.
Prokurori: Kur objektivat e UÇK-së dhe LDK-së duke filluar nga 1998, a filluan të harmonizohen?
Dëshmitari: Po. Nuk ishin bash të mira marrëdhëniet, edhe pse një pjesë e madhe ishim të kyçur në UÇK. Nuk kanë qenë edhe bash raportet si me thanë të shëndosha, të mira. UÇK-ja vazhdimisht bënte presion që LDK-ja ta pushonte aktivitetin e vet.
Prokurori: Kush e ushtronte këtë presion?
Dëshmitari: E ushtronte drejtoria politike në kuadër të UÇK-së.
Prokurori: UÇK-ja e a e njihte presidentin Rugova?
Dëshmitari: Jo.
Prokurori: A vazhduat të ishit anëtar i LDK-së edhe kur u kyçët në UÇK?
Dëshmitari: Po.
Prokurori: Më herët dëshmuat për institucionet paralele. A mësuat nëse kishte anëtar të tjerë të UÇK-së që i njihnin këto institucione,
Dëshmitari: Po, ka pasur edhe ushtar edhe shtab që i ka njohur institucionet e republikës së Kosovës. Edhe pse kam qenë pjesëtar i UCK-së, kam qenë në LDK, kam punuar dhe kam vepruar në çfarë është dashtë.
Prokurroi: A e dinin ushtarët se ti ishe në LDK dhe si kanë reaguar?
Dëshmitari: Kanë kërkuar mu tërheqë mirëpo nuk jam tërhek sepse e kisha autoritetin.
Ky dëshmitar do të merret në pyetje për pesë ditë me radhë. Në anën tjetër, në fillim të seancës trupi gjykues ia ka aprovuar një mocion avokatit të Rexhep Selimit. Kjo lidhet me incidentet që i ka përmendur një dëshmitar, e të cilat nuk ndërlidhen me periudhën e aktakuzës për të cilën akuzohen krerët e UÇK-së.


