“Pasi konsumoi alkool, e përplasi në shkallët e betonit”: 30 ditë paraburgim për të dyshuarin që e vrau gruan - NACIONALE

“Pasi konsumoi alkool, e përplasi në shkallët e betonit”: 30 ditë paraburgim për të dyshuarin që e vrau gruan

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, të dyshuarit për vrasjen e gruas në Graçanicë.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata nëpërmjet një komunikate për media.

Aty thuhet se i dyshuari fillimisht kishte konsumuar alkool në një kafene në Prelluzhë, e më pas kur u kthye në shtëpi e kishte përplasur bashkëshorten në shkallët e betonit.

Komunikata:

Prishtinë, 02 Gusht 2024 - Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur në çështjen penale kundër të pandehurit D.ZH, për shkak të veprës penale Vrasje e rëndë.

Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin D.ZH dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Gjykata vlerësoj se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti, se nëse i pandehuri D.ZH gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, i njëjti mund të arratiset dhe mund të largohet nga vendi, kjo për faktin se për këtë vepër penale për të cilën dyshohet i pandehuri, dënimi i paraparë përfshinë dënim me burgim afat gjatë, po ashtu ekziston rreziku i asgjësimit apo ndryshimit të provave si dhe ndikimi në dëshmitarë, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhën e pa penguar të procedurës në këtë çështje penale.

Me datë 31.07.2024 rreth orës 21:15min, në fshatin Gushtericë e Poshtme, Komuna e Graçanicës, përkatësisht në shtëpinë e tij, me dashje e privon nga jeta anëtarin e familjes bashkëshorten e tij, përkatësisht tani të ndjerën M.ZH, në atë mënyrë që meqenëse I pandehuri D.ZH, pasi kishte përfunduar punën ishte ndaluar në një kafene në fshatin Prelluzhë duke konsumuar alkool, me tu kthyer në shtëpi, e kishte kapur tani të ndjerën për koke duke e përplasur në shkallët e betonit dhe duke i shkaktuar lëndime trupore si dhe humbje të vetëdijes, e njëjta dërgohet në QKUK dhe hospitalizohet deri me date 02.08.2024, ku rreth orës 03:40 të mengjesit, ndërron jetë.

Lajme të ngjashme