Para arratisjes, Gjykata e Maqedonisë vendosi ta kthente në paraburgim Blerim Ramadanin
Ish-ushtari i UÇK-së, Blerim Ramadani është arratisur nga arresti shtëpiak në Maqedoni të Veriut.
Nga Ministria Punëve të Jashtme të Kosovës kanë bërë të ditur se Ramadanit i ishte ndryshuar masa e sigurisë nga arrest shtëpiak në paraburgim.
Sipas MPJ-së, masa e sigurisë i ishte ndërruar nga Gjykata Themelore Penale, para se ta merrte vendimin final nga Gjykata Supreme për ekstradim ose mosektradim në Serbi.
“Në lidhje me pyetjet tuaja ju njoftojmë që Ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoni të Veriut është njoftuar nga avokati i z. Ramadani se është ndërruar masa e sigurisë nga arresti shtëpiak në kthim në paraburgim, në kohën kur i njëjti ishte në pritje të vendimit të Gjykatës Supreme.” – kështu kanë bërë të ditur nga MPJ në Kosovë për ATV.
Gjithashtu nga MPJ-ja kanë deklaruar se momentalisht nuk kanë të tjera informacione zyrtare nga shteti i Maqedonisë së Veriut.
Ramadani është arrestuar nga autoritet maqedonase më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë.
Arrestimi ka ndodhur duke i bazuar në një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia.