Një në ndalim, tri të tjerat në procedurë penale: Prokuroria reagon më në fund për rrahjen e të miturës në Gjilan
Prokuroria Themelore në Gjilan ka dhënë detaje për ngjarjen tronditëse ku disa vajza të mitura e rrahën brutalisht një bashkëmoshatare të tyre.
Në një përgjigje për Nacionalen, Prokuroria ka bërë të ditur se ndaj njërës pritet të kërkohet arresti shtëpiak.
“Duke iu referuar kërkesës tuaj të parashtruar me datë 14 gusht 2025, lidhur me rastin e datës 04.08.2025, viktimës së mitur në Gjilan, PPM-96/2025, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore bazuar në Kodin e Procedurës penale, dhe Kodin e Drejtësisë për të mitur, ku të përfshirë: janë viktima e moshës së mitur 13 vjeçare, dhe 5 të dyshuara – ndaj njërës, Prokurori i shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim dhe për të është bërë Kërkesë për caktimin e arrestit shtëpiak, prej tyre 3 janë të moshës mbi 14 vjeçare, dhe ndaj tyre është duke u zhvilluar procedure penale, konkretisht, ka kallëzim penal, ndërsa, ndaj 2 të tjerave është marrë QPS – Gjilan, pasiqë janë nën moshën e përgjegjësisë penale”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.