Misteri i vrasjes së trefishtë në Gllogjan, kush i vrau shoferin e dy nxënësit kosovarë? - NACIONALE

Misteri i vrasjes së trefishtë në Gllogjan, kush i vrau shoferin e dy nxënësit kosovarë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ende asnjë detaj i vetëm nuk dihet se kush e kreu atentatin më 26 nëntor të vitit 2021. Në mbrëmjeje po kësaj date në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Por për vrasjen e këtyre tre kosovarëve pak dihet.

Prokuroria ende është në fazën e hetimeve edhe një vit pas vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë thënë se nuk mund të japin shumë informata për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e 26 nëntorit 2021.

“Lidhur me çështjen penale për të cilën keni parashtruar pyetje, ju njoftojmë se jemi në fazën intensive të veprimeve hetimore. Andaj duke mos e cenuar procesin hetimor, nuk mund të japim me shumë informata”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi për Betimin për Drejtësi.

Nikçi ka thënë se pas përfundimit të hetimeve do të njoftojnë publikun në lidhje me rezultatet e hetimeve.

Ndërkohë, tre të dyshuarit vazhdojnë të mbesin në paraburgim ndërsa i dyshuari i katërt e ka masën e kufizimit.

Tre të pandehur gjenden nën masën e paraburgimit nga data 12.12.2021 e tutje. I pandehuri M.M, ka qenë nën masën e arrestit shtëpiak deri me datë 20.11.2022 ndërsa, nga kjo datë masa e arrestit shtëpiak me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, i është zëvendësuar me masën e ndalimit të afrimit personit apo vendit të caktuar”, ka bërë të zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Pejë, Tringa Zhuti.

Gjykata Themelore në Pejë më 12 dhjetor 2021, kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj tre të dyshuarve.

Në këtë vendim, thuhej se gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit i kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen, atë të vrasjes së rëndë dhe të armëmbajtjes pa leje.

Sipas arsyetimit të gjykatës, ekziston rreziku që të dyshuarit të arratisen, të ndikojnë te dëshmitarët apo te të dëmtuarit, të fshehin provat ose të bashkërendojnë mbrojtjen për të pamundësuar zbardhjen e rastit.

Tre të dyshuarit për ngjarjen e 26 nëntorit në Gllogjan të Deçanit, ku u vranë tre persona, ishin arrestuar më 11 dhjetor. Kurse, më 10 shkurt 2022, ishte arrestuar edhe i dyshuari i katërt në këtë rast.

Në sulmin ndaj autobusit me nxënës, më 26 nëntor 2021 mbeti i vrarë shoferi dhe dy nxënës.

Çfarë ndodhi në Gllogjan?

Mbrëmjen e 26 nëntorit në Gllogjan, rreth orës 19:00 autobusi që vinte nga Gjakova u sulmua derisa të vrarë mbetën ngasësi i autobusit dhe dy nxënës që ndodheshin brenda.

Menjëherë pas ngjarjes, Policia njoftoi se nuk ka arsye për të besuar se sulmi ka motive terroriste.

Disa ditë pas sulmit, Policia e Kosovës nuk posedonte kurrfarë informatash lidhur me të dyshuarit apo të dyshuarin që mund të kishte kryer sulmin, derisa më 28 nëntor Qeveria e Kosovës bashkë me Policinë ofruan shpërblim prej 20 mijë eurosh për këdo që do të jepte informata që do të çonin në arrestimin e autorit apo autorëve të vrasjeve në Komunën e Deçanit.

Departamenti për Krime të rënda në Prokurorinë Themelore, më 29 nëntor konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka siguruar disa informacione, që mund të çojnë në zbardhjen e rastit të vrasjes së tre personave.

Prokurorja e rastit, Sahide Gashi, pranoi se “hetimet megjithatë nuk ishin të lehta”.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, tronditi Kosovën derisa presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryeministri, Albin Kurti e cilësuan ngjarjen si "tronditëse" dhe kërkuan nga organet e rendit që t'i zbulojnë sa më parë autorët e krimit.

Lajme të ngjashme