Lirohet Fahri Fazliu, Gjykata Speciale ia konfiskon telefonin - NACIONALE

Lirohet Fahri Fazliu, Gjykata Speciale ia konfiskon telefonin

1 javë më parë

nga NACIONALE

Artan Çerkini, avokat i Fahri Fazliut, ka treguar se është liruar klienti i tij, i cili ishte ndaluar sot nga policia e EULEX-it.

Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka bërë me dije se Fahri Fazliut i është konfiskuar telefoni.

“Përfunduan procedurat në zyrat e EULEX-it, tani z, Fazliu është liruar, sepse nuk ka pasur kurrfarë fletarresti ndaj tij, por vetëm urdhër për konfiskim të telefonit”, ka thënë ai.

Nipi i dy heronjve të kombit, Bahri e Fahri Fazliut është ndalur sot nga EULEX-i dhe është dërguar në bazën e tyre në Fushë Kosovë.

Babai i tij, Fadil Fazliu, ka deklaruar për Klan Kosova se ai është arrestuar derisa e ka dërguar djalin ne çerdhe.

Është arrestuar. E ka dërgu djalin në çerdhe dhe më lajmëruan se e ka arrestuar EULEX-i”, ka thënë ai.

Sipas Fadil Fazliut, ende nuk dihet se pse është arrestuar.

Ende nuk po dihet se pse është arrestuar, kam tentuar të flas me avokatin, por ishte e pamundur”, është shprehur ai.

Ndaj veprimit të hetuesve të Gjykatës Speciale ka reaguar edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Gjykata ilegale Speciale, në mungesë të fakteve për krime lufte, vazhdon spektaklet e saj duke arrestuar edhe njerëz që në kohën e luftës së UÇK-së ishin fëmijë. Ajo sot ka arrestuar Fahri Fazliun, nipin e heronjëve Bahri e Fahri Fazliu, i cili gjatë luftës ishte vetëm 8 vjeçar”, ka shkruar Klinaku në profilin e tij në “Facebook”.

Fazliu ishte ftuar edhe si dëshmitar nga Specialja

Fahri Fazliu i ri edhe më herët ka qenë cak i Gjykatës Speciale.

Madje, në vitin 2021 ai ishte ftuar nga Gjykata Speciale si dëshmitar.

Ai ishte befasuar nga një ftesë e tillë, duke thënë se gjatë luftës ishte vetëm 8 vjeçar.

Të nderuar miq, shokë, dashamirë dhe kolegë! Dje pasdite më ndodhi diçka shumë e çuditshme dhe e papritur – mora Ftesën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të paraqitem në Hagë, me 23 qershor 2021, në cilësinë e dëshmitarit. Unë në luftë isha vetëm 8 vjeç. #LiriakaEmërUÇK.🇦🇱”, kishte shkruar Fazliu në profilin e tij në “Facebook”.

Po ashtu, hetuesit e Gjykatës Speciale kishin cak edhe banesën e dy dëshmorëve të kombit, Bahri e Fahri Fazliut.

Para 7 muajsh, banesa e cila gjendet në Breg të Diellit është bastisur për disa orë.

Pas bastisjes, Fahri Fazliu, i ri kishte thënë se hetuesit kanë konfiskuar disa telefona të familjarëve të tij.

Nuk na treguan për arsyet, sepse e patë edhe ju në media siç shkuan me veturat e tyre dhe nuk na dhanë asnjë informatë, apo diçka tjetër. Avokati ka qenë prezent tërë kohën. I është marrë telefoni babait tim, një llaptopë si dhe telefoni i vëllait tim të vogël, prej punës që e ka pas babai im ia kanë konfiskuar. Për diçka tjetër ne nuk dimë”, kishte thënë ai pas bastisjes.

Fahriu Fazliu është nipi i dëshmorëve Fahri dhe Bahri Fazliu nga Podujeva, të cilën kanë rënë dëshmori më 2 nëntor të vitit 1989 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Lajme të ngjashme