Letra e Haxhiut dhe arsyetimi i zbehtë i Gjykatës Speciale për kravatën e Krasniqit
Një kravatë u kthye në temë kryesore të Gjykatës Speciale, një institucion i zhvendosur në Hagë me synimin për të sjellur drejtësi për krimet e luftës.
Para dy ditësh, Jakup Krasniqit, iu hoq kravata me shqiponjë të cilën e kishte veshur disa herë. Kjo shkaktoi reagime të shumta në Kosovë.
Dhomat e Specializuara të Hagës për krejt këtë zhvillim, përgjegjësinë ia lanë një pjesëtari të sigurimit.
“Para seancës dje, Siguria e DHSK-së i kërkoi z. Krasniqi të hiqte kravatën ndërsa kërkonte sqarime nga Shefi i Burgimit nëse rregullat e burgimit që ndalojnë veshjen e caktuar do të zbatoheshin në këtë rast. Kravata iu kthye z. Krasniqi dhe Shefi i Burgimit ka konfirmuar që është e lejueshme të mbajë kravatën”, thuhet në përgjigje për Nacionalen.
Ky sqarim i Dhomave të Specializuara erdhi pas shumë reagimeve në Kosovë. Në mesin e tyre edhe një letër që ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ia dërgoi Speciales me seli në Hagë.
Disa media kanë publikuar letrën, ku thuhet se ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës.
“Përmes kësaj letre, ju shkruaj lidhur me situatën e fundit që ka ndodhur në seancën gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës. Sipas informatave që kemi pranuar, para se z. Jakup Krasniqi të hynte në sallën ku mbahen seancat gjyqësore, iu është larguar kollarja që mbante veshur, pa asnjë arsye dhe pa asnjë justifikim. Madje kur kjo është ngritur si shqetësim nga avokatja, e njëjta ka marrë përgjigjen nga gjyqtari Charles Smith se ai nuk ka informacione dhe që do të interesohet për këtë. Ky veprim ka shkaktuar shqetësim të thellë dhe indinjatë në opinionin publik të Kosovës.” – thuhet në letër.
Tutje, shkruan se heqja e kollares ka qenë ndërhyrje e panevojshme dhe e pajustifikueshme në integritetin personal të Krasniqit, derisa kërkohet që të sigurohen se veprimet e tilla nuk do të tolerohen më.
“Veprimi në fjalë përbën një ndërhyrje të panevojshme dhe të pajustifikueshme në integritetin personal dhe dinjitetin e z. Krasniqi. Kërkesa për heqjen e kollares është një akt absurd pasi që çdo individ, pavarësisht nga statusi i tij, ka të drejtën për një trajtim të respektuar dhe dinjitoz në gjykatë. Në këtë kontekst, unë kërkoj nga ju që të ndërmerrni hapat e nevojshëm për të adresuar këtë çështje dhe të siguroni që veprime të tilla të mos tolerohen në asnjë formë në të ardhmen.” – thuhet në fund të letrës.
Heqja e kravatës duket se e dëmtoi edhe procesin e gjykimit. Kjo pasi në ditën që ndodhi situata, seanaca pas drekës fillimisht u shty, e pastaj u anulua. Një pjesë e shkurtër që u zhvillua, ishte krejtësisht në seancë të mbyllur.
Mbetet të shihet se kur do ta veshë Jakup Krasniqi kravatën e njëjtë.