Kuvendi i Kosovës formon Komision për Vettingun – Kujtim Shala i LDK-së kryetar
Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 9 dhjetor ka votuar Komisionin Ad-Hoc, për Vettingun në Drejtësi.
Detyrë e këtij Komisioni do të jetë, të administrimi i gjithë procesit të vettingut në drejtësi.
Si rrallë herë, mazhoranca e opozita u pajtuan, edhe për konceptin e edhe për emrat e këtij komisioni.

Kujtim Shala i Lidhjes Demokratike të Kosovës, do t’i prijë këtij komisioni, kurse anëtare nga kjo parti do të jetë, ish deputetja e Vetëvendosjes, tash e LDK-së, juristja Doarsa Kica-Xhelili.
Kurse, nga grupi parlamentarë i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi do të jetë zëvendëskryesues, ndërsa anëtarë, deputetet Avni Dehari, Artan Abrashi, Arjeta Rexhepi dhe Dimal Basha.
Nga Partia Demokratike e Kosovës: Blerta Deliu-Korda dhe deputeti Rashit Qalaj.
Ndërkaq, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deputeti Pal Lekaj dhe nga grupi Multietnik, zëvendëskryetarin i dytë Erxhan Galushi.
Këtë lajm e ka mirëpritur edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila e ka quajtur lajm shumë të mirë, si dhe ka premtuar se Ministria që ajo udhëheq me të gjitha kapacitetet do të jetë në dispozicion të Komisionit.
"Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, sapo u votua Komisioni Ad Hoc për Vetingun në drejtësi.
Padyshim se ky është një lajm shumë i mirë, i cili do të mundësojë tutje zhvillimin dhe jetësimin e reformës në drejtësi.
Sistemi i drejtësisë, duhet ta ketë besimin e qytetarëve dhe ka nevojë për gjyqtarë dhe prokurorë profesional e me integritet, llogaridhënës dhe transparent. Ky proces do t'i garantojë këto.
I uroj punë të mbarë Komisionit dhe zotohem që Ministria e Drejtësisë me gjitha kapacitetet do të jetë në dispozicion të Komisionit.
Shteti i së drejtës nuk ka alternativë, ai do të bëhet! Ka shkruar Haxxhiu."
Çka është Vettingu në drejtësi?
Sistemi i drejtësisë pritet t’i nënshtrohet një reforme të thellë, mirëpo për këtë duhen edhe ndryshime kushtetuese, e së pari vendimi i Komisionit të Venecias. Madje, kryeministri Albin Kurti, dhe ministrja Albulena Haxhiu kanë dorëzuar dosjen e Vettingut në duart e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili e vlerësoi këtë proces si jetik e të domosdoshëm.
Që nga ardhja në pushtet, Qeveria Kurti ka theksuar vazhdimisht nevojën për reformë në sistemin e drejtësisë, duke përgatitur procesin që jo rrallë herë u kritikua nga partitë opozitare.
Kurti duke komentuar dhunimin e një vajze 11-vjeçare, tha se Vettingu është i nevojshëm pasi që gjyqtarët e prokurorët shqiptojnë dënime të lehta karshi kryesve të krimit.

Fjala “vetting” dhe një historik i shkurtër?
Shumë nga ju keni dëgjuar për Vettingun. Për të kanë folur politikanë, opinionistë, e njohës kryesisht të fushës së drejtësisë.
Sigurisht pak nga ju keni mundur ta mendoni se një fjalë e tillë, në fakt lidhet me kafshët, specifikisht me garat e kuajve që vite më parë kanë qenë tepër të famshme, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pra, Vettingu ishte fillimisht një term i garave me kuaj, duke iu referuar kërkesës që një kalë të kontrollohet për shëndetin dhe atë nga një veteriner përpara se të lejohet të garojë. Kështu, kjo fjalë ka marrë kuptimin e përgjithshëm “të kontrollosh”.
Konteksti në drejtësinë kosovare?
Vettingu në kontekstin institucional është një lloj i drejtësisë tranzicionale që bën pjesë në kategorinë e mekanizmave të reformës së personelit.
Në thelb, masat përfshijnë ekzaminimin e individëve në institucione publike, pozicione gjysmë publike dhe/ose pozicione të përcaktuara lirshëm të besimit publik, në mënyrë që të verifikohet se personeli ka integritetin dhe kapacitetin për të përmbushur pozicionet e tyre në një mënyrë që mbështet qëllimet e një qeverie të re.
Individët që u mungojnë kriteret e caktuara të integritetit ose aftësisë, hiqen detyrimisht nga pozicionet e tyre, pengohen të marrin poste të reja, inkurajohen të japin dorëheqje vullnetare nga postet ose të përballen me zbulimin publik të së kaluarës së tyre, ose si alternativë, u kërkohet të rrëfejnë përfshirjen e kaluar si një formë e llogaridhënies. Masat e vettingut supozohet se krijojnë një shkëputje me të kaluarën dhe ofrojnë mundësi për rindërtim dhe pajtim të shtetit dhe shoqërisë.

Vettingu është përdorur në një sërë kontekstesh post-konfliktuale dhe post-autoritare, duke përfshirë reformat e synuara të sektorit të sigurisë, për shembull; në Liberi dhe Bosnje, programet më të gjera të vlerësimit të punonjësve publikë në Greqi dhe El Salvador dhe reformat e personelit të shoqëruara me tregimin e së vërtetës në Republikë Çeke dhe Poloni. Si masë e drejtësisë tranzicionale, vettingu është përdorur zakonisht ndaj strukturës dhe kapacitetit institucional të shteteve dhe mund të miratohet në lidhje me institucionet si gjykatat, prokuroritë, etj.
Nevojën për një reformë të thellë, pra vetting në sitemin e drejtësisë në Kosovë, e kishin evidentuar kohë më parë njohës të kësaj fushe, shoqëria civile, e partitë politike.
Në fakt prej partive politike, Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë e ka mbajtur “bajrakun” e kësaj ideje. Këtë e patën përkthyer edhe në premtim të madh parazgjedhor, duke përdorur edhe fraza të ndryshme, kryesisht populiste, si: “Hajnat në Burg”, “Dyzi dymbëdhjetë kat”, “Shkon Lumezi, vjen Elezi”, etj.
Vettingu me apo pa ndryshime kushtetuese?
Dy amendamente, dhe 17 nene të reja në Kushtetutën e Kosovës. Ky mund të jetë bilanci i ndryshimeve kushtetuese të hartuara nga Ministria e Drejtësisë, në mënyrë që t’i hapet rruga një prej reformave më të thella në sistemin e drejtësisë në Kosovë, vettingut.
Kjo reformë sipas planit të ministrisë që e drejton Albulena Haxhiu, synon të bëjë një vlerësim të performancës, pasurisë dhe integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që aktualisht janë pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe atyre që në të ardhmen mësyjnë këto pozita.
Në dy prej neneve të Kushtetutës ku flitet për shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, do të shtohet nga një paragraf ku thuhet: “Neglizhenca e rëndë e detyrave përfshin edhe rastet kur prokurori/gjyqtari është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme ose është konstatuar se ka pasuri të pajustifikueshme, ose integriteti i tij është cenuar, ose ka kryer shkelje të rëndë disiplonore siç rregullohet me ligj.”

Një vlerësim kalimtar i cili do të zgjasë për një periudhë 5-vjeçare do të bëhet, e të cilit do t’i nënshtrohen prokurorë, gjyqtarë dhe pozita tjera në sistemin e drejtësisë, por që kjo do të përcaktohet me një ligj që do të krijohet më vonë. Ky vlerësim kalimtar mund të vazhdojë edhe për dy vite të tjera, varësisht nëse një gjë e tillë përcaktohet sipas ligjit.
“Vlerësimi i performancës përfshin njohuritë profesionale, aftësinë për arsyetim juridik dhe kompetenca tjera të përcaktuara me ligj. Vlerësimi kalimtar i pasurisë përfshin vlerësimin e deklarimit të pasurisë së subjektit që vlerësohet ose anëtarëve të familjes, duke identifikuar rastet e mospërputhjes mes pasurisë së tij, dhe të ardhurave të tij të ligjshme. Vlerësimi kalimtar i integritetit përfshin vlerësimin e kontakteve të panevojshme që mund të ndikojnë në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në mënyrë të paanshme dhe objektive nga subjekti në vlerësim, ose kur kjo mund të ndikojë në detyrat dhe përgjegjësitë e tij”, thuhet në 3 prej neneve që synohet të shtohen në Kushtetutën e Kosovës.