Kundër padrejtësisë në Hagë: Më 17 tetor protestë në Tiranë, njofton OVL e UÇK-së - NACIONALE

Kundër padrejtësisë në Hagë: Më 17 tetor protestë në Tiranë, njofton OVL e UÇK-së

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, njofton se do të organizojë protestë në Tiranë më 17 tetor 2025, në sheshin qendror të Tiranë, në ‘Skënderbeu’.

“Le të ngrihemi si një zë i vetëm për të kërkuar drejtësi kundër padrejtësisë. Ju bëj thirrje të gjitha partive politike pa dallim ideologjie, pa dallim feje, që të na bashkohen në protestë, më 17 tetor 2025, në orën 17:00 në sheshin Skënderbeu në Tiranë.

Ju drejtohemi të gjithë shqiptarëve që të na bashkhen në këtë protestë” – tha Hyseni Gucati – kryetar i OVL të UÇK-së, në një konferencë për media në Tiranë.

Ai tha se ‘Shqipëria ka qenë gjeneza kryesore e UÇK-së”.

Pas Prishtinës e Hagës, pra Tirana pritet të jetë lokacioni për protestë.

OVL-UÇK-së po ngrit zërin çdo ditë e më tepër për padrejtësitë në Hagë.

Për këtë ka folur së fundmi edhe kryeministri Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është treguar i ashpër me Gjykatën Speciale të Kosovës.

Ai ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës, që sipas tij, nuk kanë treguar asnjë vullnet për ta bërë një rezolutë të përbashkët.

Në një intervistë në emisionin “Jehona politike” në Klan Kosova, Rama ka thënë se procesi në Hagë është përcjellur me shumë shkelje.

“Nuk ka vullnet në Kosovë për të dalë me një rezolutë të Parlamentit të Kosovës, një rezolutë përtej partive politike të cilës ne do t’i bashkoheshim menjëherë ndaj Gjykatës Speciale dhe ndaj gjithë kësaj farse sepse ka shumë farsë në këtë mes”, tha Rama.

“Hashimi dhe të tjerët dhe Parlamenti i Kosovës bënë një akt mirëbesimi. Nuk dëgjohemi shpesh [me Thaçin] por kam përshtypjen që ndjehemi gjatë gjithë kohës pa ndërprerje”, tha Rama.

“Pa shkuar në parashikime ogurzeza, e gjithë kjo histori është një histori shumë e trishtueshme dhe zhgënjyese që unë kam përshtypjen që do të lë gjurmë tek vendet që e sponsorizojnë këtë gjykatë dhe kam përshtypjen që në një moment të caktuar do të zgjohen për ta reformuar këtë lloj sistemi kaq zhgënjyes”, tha ai më tutje.

I pari i qeverisë në Shqipëri theksoi se institucionet duhet të nxjerrin në pah të gjitha këto shkelje.

“Por, fatkeqësisht, në momentin që flasim, nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër përveç se të ndjekim procesin duke shpresuar që në fund do të ketë një dritë ndërgjegjeje në momentin e marrjes së vendimit dhe nuk do të jetë deri në fund një tunel pa dritë si ky që ka qenë deri tani”, tha ai.

“Ajo që mund të bëjmë institucionalisht është të nxjerrim në pah shkeljet shumë të rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit. Që procesi gjyqësor nuk është demokratike, është shumë, shumë e rëndë”.

“I gjithë procesi nuk është demokratik, qysh nga fillimi. Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akzuë dhe kyçja e tij brenda në burg, tek mbajtja në burg me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, që nuk ka asnjë provë për asnjë lloj kërcënimi, dhe deri tek përgjimi në sallën e takimeve. Gjëra të paimagjinueshme, gjëra të pakuptueshme, që janë të panumërta”,u shpreh shefi i qeverisë së shtetit shqiptar.

Tutje, Rama thotë se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për këtë proces gjyqësor.

“Unë e kam ndjekur procesin nga kjo anë dhe shkeljet janë të panumërta. Në asnjë vend demokratik, një proces i tillë nuk do të kishte shkuar dot përpara kaq qetësisht për kaq vite, sepse organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore, nuk do të qëndronin duarkryq përpara një procesi të tillë”, tha kryeministri Rama.

Ai dëshmitarët i quajti “aktorë të Millosheviqit”.

“Po të shohësh se çfarë e nxiti krijimin e Gjykatës Speciale edhe për çfarë po flitet në këtë proces, se në fund të ditës është harruar se krijimi i Gjykatës është nxitur nga raporti i famëkeqit Dick Martyt, dhe nuk ka asnjë gjurmë, asnjë shenjë, asnjë shkronjë dhe asnjë tingull të lidhur me atë trafik organesh, qoftë në atë çarçafin e akuzës, qoftë në gjithë zhvillimin e procesit”.

“Pra, që këtu ka një devijim dramatik dhe është e gjitha një histori insinuatash e pa mbështetur në asnjë provë bindëse, përkundrazi e mbështetur nga dëshmitarë super-qesharakë që duken si aktorë të epokës së Millosheviqit”, u shpreh Rama.

Lajme të ngjashme