Kryeprokurorja e Gjykatës Speciale, dy herë në Kosovë brenda dy muajsh: Pse? - NACIONALE

Kryeprokurorja e Gjykatës Speciale, dy herë në Kosovë brenda dy muajsh: Pse?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeprokurorja e Gjykatës Speciale, Kimberli West, ka qëndruar në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur Prokuroria e Specializuar e Hagës nëpërmjet një komunikate për media.

Aty nuk tregohet asnjë detaj as rreth agjendës, as rreth takimeve, dhe asnjë detaj tjetër.

“Prokurorja e Specializuar Kimberli Uest (Kimberly West) po viziton Kosovën për një numër takimesh”, thuhet në njoftim.

Nacionale ka kontaktuar me zëdhënësin e Prokurorisë së Hagës, Chris Bennet, megjithatë, i njëjti ka thënë se nuk mund të ofrojë asnjë detaj tjetër për takimet e kryeprokurores West.

Kjo e fundit, as dy muaj më herët, ishte në Kosovë. Aso kohe, për një takim me të kishte njoftuar shefi i BE-së në Kosovë.

“Mirëprita të hënën prokuroren e specializuar Kimblery West, e cila vizitoi Kosovën. Theksova rolin e rëndësishëm të zyrës së saj në sigurimin e përgjegjësisë për krimet e rënda dhe se Bashkimi Evropian në Kosovë në koordinim me EULEX-in do të vazhdojnë të mbështesin mandatin e saj”, thuhej në postimin e shefit të BE-së në Kosovë.

Detaje më të shumta kishte dhënë Prokuroria e Specializuar në Hagë.

“Prokurorja e Specializuar Kimberly West dhe Zëvendës-Prokurori i Specializuar Ward Ferdinandusse po vizitojnë Kosovën. Prokurorja e Specializuar dhe zëvendësi i saj do të takojnë gjatë vizitës së tyre, ndër të tjerë, drejtuesit e organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së. Znj. West, një ish-prokurore amerikane me përvojë si në hetime politike të nivelit të lartë ashtu edhe në hetime ndërkombëtare për krime, pasoi Jack Smith në postin e Prokurorit të Specializuar në tetor 2023”, njoftonte ZPS-ja.

Nuk dihen arsyet e dy vizitave, të cilat erdhën në një periudhë shumë të shpejt kohore. Duke ditur faktin se kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, nuk e ka vizituar asnjëherë Kosovën gjatë këtij viti, dy vizitat e West kanë ardhur brenda dy muajsh.

Vizita e dytë vjen pas aktakuzës së dytë që West ia ngriti Hashim Thaçit në Hagë.

Pavarësisht se pritën më shumë se një vit, aktakuza e Prokurorisë së Specializuar në Hagë është 17 faqe. Aty, thuhet se nga prilli deri në nëntor të vitit 2023, Hashim Thaçi ka dhënë instruksione te tri grupe të ndryshme, për të ndikuar në dëshmitarë.

“Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se z. Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, me z. Fazliu dhe me z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

Tutje, thuhet se ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për “tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Kundër Fazliut, Smakajt dhe Kilajt është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

“Në aktakuzën e konfirmuar, kundër z. Thaçi janë ngritur tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Fazliu, z. Smakaj dhe z. Kilaj është ngritur nga një akuzë për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës. Kundër z. Kuçi janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës”, thuhet aty.

Tri grupet e evidentuara sipas Prokurorisë së Hagës, të cilat më pas kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë janë:

Grupi Fazliu me Fadil Fazliun dhe Fahri Fazliun.

Grupi i Smakaj me Bashkim Smakajn, Blerim Shalën dhe Artan Behramin

Grupi i Kilajt me Isni Kilajn dhe Vllaznim Kryeziun, në marrëveshje me Hajredin Kuçin.

Pas zhvillimeve të fundit, Specialja ka ftuar një takim me gazetarë, por ku do të ketë vetëm njoftime e jo prononcime publike.

Lajme të ngjashme