Krasniqi thotë se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK, flet edhe për qendrën e ndalimit në Kleçkë - NACIONALE

Krasniqi thotë se kishte Gjykatë Ushtarake në UÇK, flet edhe për qendrën e ndalimit në Kleçkë

1 javë më parë

nga NACIONALE

Dëshmitari Naser Krasniqi ka treguar se një person i quajtur Sabit Shala është arrestuar me urdhër të Sokol Dobrunës, duke shtuar së më pas i arrestuari është dërguar në Qendrën e ndalimit në Kleçkë.

Veç kësaj, dëshmitari Krasniqi gjatë dëshmisë së tij konfirmoi se ka pasur Gjykatë Ushtarake.

“Nënshkrimi që ka përgatitur dhe dorëzuar këtë kallëzim penal është i imi në anën e djathtë ku është emri, mbiemri dhe nënshkrimi. Kurse, në anën e majtë ku është data dhe nënshkrimi i personit që ka pranuar çështjen. (Nënshkrimi është ) i zotit Sokol Dobruna”, tha dëshmitari fillimisht për një dokument që iu prezantua.

Për Sabit Shalën, dëshmitari tha se është i vetmi person që është ndaluar me urdhër të Sokol Dobrunës.

“Dhe është i vetmi person që është mbajtur në Terpezë, në të njëjtin objekt dhe shtëpi ku kemi qëndruar unë, Bajram Gashi dhe disa motra medicinale, ku njëra prej tyre ka qenë edhe motra e Bajram Gashin dhe nga aty derisa e kemi përgatitur dosjen, kemi përcjellë çështjen dhe personin tek zoti Sokol Dobruna, përkatësisht në qendrën e mbajtjes”, tha dëshmitari.

Ai tha se në Kleçkë ka pasur qendër ndalimi, ku është dërguar edhe Sabit Shala.

“Janë dorëzuar çështja-lënda dhe personi është dërguar në mbajtje në Qendrën e ndalimit në Kleçkë”, tha Krasniqi.

Naser Krasniqi gjithashtu shtoi se kishte ardhur babai i Sabit Shalës për ta kërkuar të birin, për çka ky e kishte informuar se ishte dërguar ne Qendrën e ndalimit në Kleçkë.

“Pas disa dite aty në Terpezë ku qëndronim në shtëpinë afër shkollës ku qëndronim me Bajram Gashin dhe persona të tjerë që i ceka më herët, ka ardhur babai i zotit Sabit Shala për ta kërkuar djalin e tij. Ka qenë së bashku me një shoqërues. Ai pyeti për djalin e tij se ku e ka djalin. E informova se djalin e ka në Qendren e ndalimit në Kleçkë”, tha dëshmitari. /BetimiPërDrejtësi

Lajme të ngjashme