Nga çmimet tavan deri te tatimi në pronë: Kushtetuesja aktivizohet me 3 vendime për pak ditë - NACIONALE

Nga çmimet tavan deri te tatimi në pronë: Kushtetuesja aktivizohet me 3 vendime për pak ditë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Vetëm për një javë, Gjykata Kushtetuese ka shpalosur tri vendime në lidhje me Kuvendin e Kosovës. Vendime këto të cilat janë dërguar nga opozita. Por, kujt i dha të drejtë Kushtetuesja në këto tri raste?

Në fillimin e javës që po lëmë pas, Gjykata Kushtetuese bëri të ditur se ka marrë vendimi e saj në lidhje me kërkesën e shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, të bërë në korrik të këtij viti në lidhje me anulimin e vendimeve të seancës plenare të 13 korrikut ku kishte përleshje fizike mes pushtetit dhe opozitës. Në këtë rast, Kushtetuesja e ka rrëzuar këtë kërkesë të Tahirit.

PDK-ja e kishte kontestuar vazhdimin e asaj seance ku ishin miratuar projektligje të rëndësishme, njëri prej tyre edhe projektligji për pagën minimale.

Ndërsa vendimi i dytë i bërë publik nga Gjykata Kushtetuese gjatë kësaj jave, ishte rreth Ligjit për faljen e faturave të tatimin në pronë deri në 100 euro. Në këtë rast, Qeveria e Kosovës ka dal “fituese” karshi komunave.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se ndryshimi i ligjit për tatimin në pronë, me çka parashihej falja e borxhit, deri në 100 euro, nuk është në kundërshtim me Kushtetutën.

Ligji ishte kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, e kryetari i Prizrenit Shaqir Totaj çka përbën herën e parë, kur Komunat përballën në një betejë në Kushtetuese me Qeverinë

Reagim të menjëhershëm për këtë ‘fitore’ dhanë nga Qeveria, kështu ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza.

Të gjitha kritikat e akuzat ndaj Qeverisë për këtë temë kanë qenë të pabaza, dhe kjo gjë edhe u dëshmua tani.” – ka shkuar Murati.

I pari i Ministrisë së Financave ka pretenduar se tashmë qytetarët e kanë kuptuar se synimi i opozitës është bllokimi i shtetit.

Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se opozita synim të vetëm e ka bllokimin e shtetit, qoftë edhe në kurriz të qytetarëve. Qytetarët do ta mbajnë mend këtë.” – ka shkruar Murati.

Gjykata Kushtetuese shpalosi edhe vendimin e tretë gjatë kësaj jave, ku në këtë rast Qeveria e Kosovës doli “humbëse” karshi opozitës.

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, të cilin e kishte dërguar për shqyrtim LDK-ja.

Në njoftimin e Kushtetueses është thënë se ligji në fjalë duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij.

Sipas njoftimit të Kushtetueses, ky ligj bie në kundërshtim me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Lajme të ngjashme