“Italia e vogël”, Policia e Kosovës konfiskon heroinë, kokainë, para e armë në Gjilan
Policia e Kosovës, ka njoftuar se ka arrestuar katër persona, e ka konfiskuar substancë që dyshohet të jetë heroinë, prej 1.547 gramë, me vlerë rreth 34 mijë euro, kokainë me peshë 54.7 gram me vlerë prej 54 mijë euro, para të gatshme 2 mijë e 10 euro, armë të shkurtë dhe 1 karikator me 15 fishekë, peshore elektronike e veturë me targa vendore.
Sipas njoftimit të Policisë 4 të arrestuarit janë ndaluar në mbajtje, dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet e antidrogës. Jo rrallë herë, gjilanasit e kanë quajtur qytetin e tyre "Italia e vogël", duke iu referuar Italisë së shekullit të kaluar, kur operonin mafiozët.
E plotë:
Departamenti i Hetimeve të Policisë së Kosovës vazhdon operacionet kundër drogës, ‘Shpërndarësi’ arreston katër të dyshuar dhe konfiskohen 1,549.2 gramë heroinë si dhe 54.7 gramë kokainë
Prishtinë, 19 maj 2023
Me datën 19.05.2023, hetuesit policorë të Drejtorisë për hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN-së)-Njësia Gjilan, pas një pune të gjatë hetimore, kanë zhvilluar një operacion të gjerë në qytetin e Gjilanit, të koduar ‘Shpërndarësi’, me qëllim ndalimin dhe kapjen e personave të dyshuar për trafikim me narkotik. DHTN në Gjilan, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, Prokurorinë dhe Gjykatën ka zhvilluar operacionin policor në katër lokacione të ndryshme ndaj katër personave të dyshuar.
Gjatë kontrollit te katër të dyshuarit (V.S., L.N., L.M., A.A.), janë gjetur dhe është konfiskuar në cilësi të provave materiale:
• Substancë, dyshohet të jetë heroinë me peshë 1,549.2 gramë me vlerë rreth 34.400 euro,
• Substancë, dyshohet të jetë kokainë me peshë 54.7 gramë në vlerë rreth 5400 euro,
• Para të gatshme të konfiskuara 2.010 euro,
• Armë e shkurtër dhe 1 karikator me 15 fishekë,
• Tri peshore elektronike,
• Një telefon mobil,
• Një veturë me targa vendore.
Të gjithë të dyshuarit e përfshirë janë recidivist të veprave të tilla, ku edhe më herët nga DHTN-Gjilan kanë qenë të arrestuar për vepra penale të narkotikëve.
Në konsultim me prokurorin kompetent, pas intervistimit katër të dyshuarit e lart-cekur ndalohen për 48 orë dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente të antidrogës.