Intervistimi në Prokurori Speciale: Pse u përmend dy herë Artane Rizvanolli në bisedat e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin? - NACIONALE

Intervistimi në Prokurori Speciale: Pse u përmend dy herë Artane Rizvanolli në bisedat e Dejona Mihalit me Nagip Krasniqin?

3 javë më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po intervistohet në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Nacionale ka siguruar pamjet teksa Rizvanolli futet brenda objektit të Prokurorisë.

Burimet i kanë thënë Nacionales se intervistimi po bëhet për rastin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

Nacionale javë më parë kishte publikuar biseda të Dejona Mihalit me ish-kryeshefin e KEK-ut.

Aty në disa prej bisedave përmendet edhe ministrja Rizvanolli.

Në një prej mesazheve, diskutohet për pjesëmarrjen e disa personave në një takim që dukej se e kishte organizuar Vetëvendosje për energjinë.

Aty, Dejona Mihali e përmend Gazmendin dhe Naimin, të cilët nuk dihet se kush janë. Megjithatë, Dejona Mihali i thotë Nagip Krasniqit se këta mund t’i thërrasë edhe ministrja Rizvanolli.

“Nëse nuk mundesh le t’i thërrasë Artana direkt. Na duhen dy qymyr”, thuhet në mesazhin e parë ku përmendet ministrja e Ekonomisë.

Në një tjetër bisedë të dytë, sërish përmendet ministrja Rizvanolli.

Dejona Mihali e pyeste Krasniqin për komisionin hetimor për energji, ku i kërkon shpjegime të cilat duhet t’i dërgohen Artane Rizvanollit.

“A je duke i ndjekur? Po sulmojnë për komisionin hetimor dhe për importin”, pyeste Mihali.

“Jo. Skam nerva” u përgjigj Nagip Krasniqi.

“Na nevojiten shpejgimet. Jo vetëm ne por edhe Artanes”, u përgjigj sërish Dejona Mihali.

“Dërgoni pyetjet”, tha Krasniqi.

Nacionale ka mësuar se intervistimi i Rizvanollit po bëhet për hetimet e tjera që rëndojnë mbi Nagip Krasniqin.

Krasniqi po akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe korrupsion.

Ndaj Krasniqit hetimet po vazhdojnë edhe për një aktakuzë tjetër, për të cilën ishte intervistuar edhe Dejona Mihali.

Sipas një dispozitivi të aktakuzës të siguruar nga KALLXO.com, Nagip Krasniqi i kishte mundësuar tregtimin e energjisë një kompanie sllovene në Kosovë, e cila nuk kishte licencë, duke dëmtuar kështu KEK-un në vlerë rreth 3 milionë e 230 mijë euro.

“..ashtu që me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji” – thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, këto veprime i mundësonin kompanisë nga Sllovenia “Holding Slovenske Elektrane” – HSE tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës,

Mes tjerash, në këtë dispozitiv theksohet se të njëjtit i mundësohet përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore duke dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës në vlerë prej 531.920.79 euro.

“..dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Republikës së Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 Euro, dëmtimin apo diskriminimin e operatorëve tjerë ekonomik konkurrent që operonin në tregun e Kosovës e që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore si shkaktimin e dëmit material Korporatës Energjetike të Kosovës në shkallë të madhe apo në vlerë prej 3,229,905.00 Euro” – vijon tutje.

Përveç Rizvanollit, nga pushteti ishin intervistuar për raste të tjera edhe ministrja Rozeta Hajdari për rezervat shtetërore, zv/ministri Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë e ambasadori Martin Berishaj për shpërlarje parash.

Lajme të ngjashme