Huqja e Prokurorisë: Hudhet aktakuza për kurdisjen e ndeshjes Trepça vs Fushë Kosova - NACIONALE

Huqja e Prokurorisë: Hudhet aktakuza për kurdisjen e ndeshjes Trepça vs Fushë Kosova

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Mitrovicë e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj të akuzuarve Fidaim Haxhiu, Besim Haxhiu, Kemal Dumnica dhe Fisnik Haxhiu, të cilët ngarkoheshin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, me arsyetimin se nuk është përmbushur elementi thelbësor i kësaj vepre penale, pasi të njëjtit nuk kishin cilësinë e personit zyrtar.

Aktvendimi për hedhjen e aktakuzës, është marrë më 22 mars 2023 nga gjyqtari i rastit Avni Mehmeti, raporton Betimi për Drejtësi”.

Të njëjtit po ngarkoheshin nga prokuroria, se Fidaim Haxhiu si trajner i Klubit Fudbollisik “Trepça”, Besim Haxhiu si përfaqësues i KF “Trepça”, Kemal Dumnica si delegat i FFK-së dhe Fisnik Haxhiu si sekretar në KF “Trepça”, duke shfrytëzuar autoritetin e tyre zyrtar, kanë ndërmarrë veprime të caktuara për kurdisjen e ndeshjes së datës 25 shkurt 2019 në mes të KF “Trepça” dhe KF “Fushë Kosova”.

Me këtë aktvendim, janë aprovuar si të bazuara kundërshtimet e paraqitura nga mbrojtësi i të akuzuarit Fidaim Haxhiu, avokati Armend Deskaj, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Haxhiu, avokati Hysni Veseli, mbrojtësi i të akuzuarit Fisnik Haxhiu, avokati Durim Osmani dhe mbrojtësi i të akuzuarit Kemal Dumnica, avokati Arbër Osmanaj.

Kështu, mbrojtja i kishte arsyetuar kundërshtimet e tyre duke theksuar se aktakuza e ngritur kundër të akuzuarve nuk i plotëson kushtet dhe kërkesat ligjore që parashihen me KPP, e njëjta sipas mbrojtjes bazohet në dy prova të pavlefshme të cilat nuk krijon fizionominë e veprës penale për të cilën akuzohen të pandehurit, dhe se prokuroria nuk ka arritur të mbështesë dyshimin e bazuar në prova konkrete se të akuzuarit e kanë kryer ndonjë veprim inkriminues që do të përbënte elementet e veprës penale në fjalë.

Tutje, sipas mbrojtjes, provat nuk janë marrë në mënyrë të ligjshme nga ana e policisë dhe prokurorisë, të njëjtat janë në kundërshtim me rregullat e kapitullit XVI të KPP-së, për të cilat ka bazë të artikulueshme që gjykata të çmojë provën si thellësisht të papranueshme.

Gjykata pas vlerësimit të pretendimeve në kundërshtimet e mbrojtësve të të akuzuarve, dhe pasi ka shqyrtuar provat në tërësi, ka gjetur se kundërshtimet ndaj akuzës janë të bazuara dhe të njëjtat i ka aprovuar.

Fillimisht, gjykata përmes këtij vendimi, ka rikualifikuar veprën penale në favor të të pandehurve, ashtu që ka aplikuar Kodin aktual Penal në fuqi, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas nenit 414 par.1.

Në këtë rast Gjykata ka zbatuar ligjin me të favorshëm penal, sepse sipas Kodit të ri Penal, vepra penale për të cilën akuzohen të akuzuarit, nuk përbën vepër penale sepse mungon një nga elementet e veçanta dhe thelbësore të kësaj vepre, ku në rastin në fjalë, të akuzuarit nuk janë dhe nuk kanë cilësinë e personit zyrtar.

Kështu, në vendim thuhet se gjykata detyrohet të zbatojë ligjin më të favorshëm për të pandehurin, në pajtim me nenin 3 të KPRK-së, dhe se gjykata nuk detyrohet me cilësimin juridik të veprës penale dhe mund të rikualifikojë veprën penale, që është parashtruar nga prokuroria në aktin akuzues.

Sipas gjykatës, për tu konsumuar elementet e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, është e domosdoshme që krahas elementeve të tjera, kryerësi të ketë statusin apo cilësinë e personit zyrtar, e që në këtë rast, veprimet për të cilat dyshohen të pandehurit, nuk i kanë ndërmarrë në cilësinë e personit zyrtar, sepse të pandehurit nuk kanë qenë persona zyrtar të një autoriteti publik shtetëror të nivelit qendror apo lokal.

“Të pandehurit, nuk kanë qenë të punësuar brenda organit shtetëror dhe nuk kanë kryer detyrë apo ndonjë punë që lidhet me detyrën zyrtare, siç parashihet me nenin 2.1 të nenit 113 të KPRK-së. Për më tepër, asnjëri nga të pandehurit nuk ka qenë i zgjedhur apo emëruar në organ shtetëror apo të administratës të pushtetit lokal, sipas nën par. 2.2 të nenit 113 të KPRK-së”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Tutje, në vendim konstatohet se sipas dëshmive të ofruara nga Federata e Futbollit të Kosovës, rezulton se të pandehurit Fidaim Haxhiu, Besim Haxhiu dhe Fisnik Haxhiu gjatë periudhës kohore gjatë së cilës ngarkohen me aktakuzë, kanë qenë të punësuar në KF Trepça, në pozitat: Besim Haxhiu si person përgjegjës për siguri, Fisnik Haxhiu në pozitën Sekretar, Fidaim Haxhiu kryetrajner, ndërsa i pandehuri Kemal Dumnica, sipas aktakuzës, ka qenë i punësuar në pozitën delegat në FFK.

Në aktvendimin për hedhje të aktakuzës, është konstatuar se sipas certifikatës së regjistrimit, KF “Trepça”, ka qenë i regjistruar si OJQ, e po ashtu e regjistruar si e tillë dhe statusin e organizatës joqeveritare e ka edhe Federata e Futbollit të Kosovës.

Në këto rrethana, të akuzuarit nuk kanë qenë të punësuar në asnjë organ shtetëror, nuk kanë qenë të zgjedhur, emëruar apo caktuar në ndonjë organ shtetëror për kryerjen e përkohshme apo përhershme të detyrave zyrtare.

“Gjykata kishte parasysh se sipas nenit 337 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, është sanksionuar si vepër e veçantë penale “Kurdisja e ndeshjes ose e sportit”. Megjithatë, kjo vepër penale nuk ka qenë e paraparë dhe e sanksionuar si vepër penale e veçantë me Kodin penal paraprak, përkatësisht në kohën kur të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Mbi këtë bazë, Gjykata mori parasysh kufizimet ligjore se askush nuk mund të dënohet penalisht për një vepër që më parë nuk është e parashikuar shprehimisht në ligj si krim ose si vepër penale”, thuhet tutje në vendim.

Gjykata sipas vendimit, ka vlerësuar se për nga përmbajtja, kjo aktakuzë nuk i ka plotësuar kushtet dhe kërkesat ligjore, duke shtuar se ka qenë detyrim ligjor i prokurorisë që para ngritjes së aktakuzës të shqyrtojnë dhe vërtetojnë të gjitha faktet që janë me rëndësi dhe të zbatojë drejtë ligjin, përkatësisht të zbatojë ligjin më të favorshëm për të pandehurit në raport me veprën penale, siç parashihet me nenin 3 par.2 të KPRK-së.

Si përfundim, gjykata ka gjetur se në mungesë të elementit të cilësisë së personit zyrtar, vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, për të cilën ngarkohen të akuzuarit, në këtë rast nuk përbën vepër penale, duke paraqitur bazë për hedhjen e akuzës.

Ndryshe, seanca e shqyrtimit fillestar ku të akuzuarit kishin mohuar në tërësi fajësinë për veprën penale për të cilën akuzoheshin, ishte mbajtur më 1 tetor 2020.

Lajme të ngjashme