Heqja e kravatës me shqiponjë, Specialja: Është konfirmuar se bartja e saj është e lejuar
Gjykata Speciale i është përgjigjur polemikave rreth largimit të kravatës me shqiponjë të Jakup Krasniqit.
Incidenti, i cili ndodhi dje, ngjalli debat të madh pasi Krasniqit iu kërkua të hiqte kravatën para se të hynte në gjykatë.
Në një përgjigje për Nacionalen, Gjykata Speciale ka sqaruar se kravata është konfiskuar përkohësisht në pritje të konfirmimit nga kryeshefi i paraburgimit.
Pas shqyrtimit të mëtutjeshëm, është konstatuar se mbajtja e kravatës nuk ka shkelur asnjë rregullore dhe më pas i është kthyer Krasniqit.
“Para seancës dje, siguria e DHSK-së i ka kërkuar zotit Krasniqi të hiqte kravatën ndërsa kërkonte sqarime nga Shefi i Burgimit nëse rregullat e burgimit që ndalojnë veshjen e caktuar do të zbatoheshin në këtë rast. Kravata iu kthye zotit Krasniqi dhe Shefi i Burgimit ka konfirmuar që është e lejuar të mbajë kravatën” – thuhet në përgjigjen e tyre.