Haxhiu numëron dyshimet e ditura për rastin Dehari: Pse nuk po zbardhet rasti? - NACIONALE

Haxhiu numëron dyshimet e ditura për rastin Dehari: Pse nuk po zbardhet rasti?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Minsitrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mbajtur konferencë për media lidhur me rastin e Astrit Deharit.

Haxhiu ka numëruar disa shkelje siç ka thënë ajo, ndër vite, dhe elementet dyshuese se ky rast është manipuluar.

Ministrja e Drejtësisë që u mor në pyetje nga Prokuroria Speciale, këtë të hënë ka përmendur edhe raportet e ekspertizës, edhe situatat me shokët e burgut të Astrit Deharit dhe faljen nga ish-presidenti Thaçi për njërin prej tyre.

Deklarata e Haxhiut:

Në cilësinë e ministres kam obligim të angazhohem për drejtësi, dhe të interesohem për vrasjen e një aktivisti politik. Prokurori special, reagoi më shpejtësi ndaj deklaratës time. Por nuk ishte hera e parë që unë kam thënë diçka të tillë publikisht. Të gjitha deklarimet e mia i kam dhënë tek ju ose në rrjete sociale, ato kanë qenë publike.

Shtrohet pyetja pse reagoi tash, pse jo më herët. E poashtu a ka reaguar njësoj prokurori special ndaj deklaratave të zyrtarëve të shtetit që Dehari është vetëvrarë. Ose a ka reaguar po aq shpejtë ndaj zyrtarëve të përfshirë në rastin Dehari. Prokurori nuk ka treguar të njëjtin zell as ndaj reagimeve, ndaj mosveprimeve, apo veprimeve të gabuara.

Nëse tani për tani nuk mund të dihen se kush kanë qenë urdhërdhënësit apo ekzekutorët, prokurori është dashur të merrej me personat që nuk e kanë kryer punën si duhet. Drejtësi paralele nuk mund të bëjmë. Kur flasim për prova, prokurori duhet ta dijë që provë nuk është vetëm emri i përveçëm i personit të dyshuar, por gjithçka që të çon deri te vërteta.

Po ta kisha emrin e kryesit apo kryesve nuk do ta prisja ftesën e prokurorit. Kjo është puna e tij. Për këtë paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës, që të bëjë hetime. Punën e tij unë nuk mund ta bëj. Madje ata shpesh më thonë se nuk je prokurore. Ka mjaftueshëm arsye për t’u brengosur se që nga vdekja e tij nuk janë zhvilluar ende hetime të mirëfillta.

A janë marrë në pyetje Sylë Hoxha e Nexhmi Krasniqi pse kanë reaguar që Astrit Dehari është vetëvrarë? Kanë tentuar ta deformojnë drejtësinë. A ka pasur hetim se kush i ka nxjerrë kamerat pa autorizim? Kush ka planifikuar të bëj diçka të tillë? Vdekja e Naser Makollit në burgun e Lipjanit, a ka pasur hetime se për çfarë është ankuar dhe pse ka ndërruar jetë? Adonis Gashi sa ishte në arrati e dinte se çfarë ka ndodhur, pas arrestimit të serishëm të tij i njëjti është marrë në pyetje por e ka kushtëzuar dhënien e deklaratave për rastin që e vuan dënimin. Luz Allakaj i janë hequr 3.5 vite nga ish-presidenti Thaçi. Shokët e dhomës së Astritit ose nuk janë gjallë, ose janë privilegjuar, ose nuk janë shfrytëzuar si duhet.

Në raportin e parë përmendet që një fije floku ka qenë në bluzën e Astrit Deharit, por e njëjta nuk është trajtuar. Në raportin e fundit thuhet se janë dërguar mostra të papërdorshme për shkak të ambalazhimit joprofesional. Ku janë marrë mostrat dhe kush mban përgjegjësi?

Pse nuk po zbardhet rasti Dehari? Drejtësi duhet dhënë llogari secili.

“Arrogant”, e mori në pyetje për rastin Dehari, Haxhiu sulmon ashpër prokurorin Shefkiu

Tutje Haxhiu u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Përgjigjjet e saj, u karakterizuan me kritika ndaj prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu.

Prokurori Shefkiu me arrogancë po u përgjigjet atyre që po duan drejtësi për rastin Dehari. Shefkiu me arrogancë reagon edhe ndaj familjes Dehari, e ndaj meje. Le t’me ftoj sërish për të dëshmuar. Do t’i përgjigjem gjithmonë. Njejt.

Shefkiu mos të bëhet personi që po e pengon këtë rast. Le të marr rastin ndonjë prokurori tjetër.

Prokurori më ka kërkuar që t’ia tregoj emrat se kush janë kryerësit e kësaj vepre. Po t’i kasha emrat unë s’do të prisja 7 vjet.” – ka thënë Haxhiu

Tutje, Haxhiu është shprehur se pikërisht në momentin kur po zgjedhej drejtoresha e IML-së, u zhdukën mostrat e Deharit.

Duke shtuar se e ka pyetur Prokurorinë Speciale nëse Flutura Goga, është nën hetime për këtë rast, që ta di se a mund të bëhet drejtoreshë apo jo, por sipas saj, Kryeprokurori Blerim Isufaj nuk i është përgjigjur.

“Mostrat e Astrit Deharit, janë zhdukur në prag kur kemi qenë në zgjedhje të drejtorit të IML. Por, kur ndodhi kjo, ne e kemi pezulluar këtë proces. Sipas informacioneve që kemi pasur, disa mostra janë gjetur. Znja. Goga ka kërkuar që të bëhet drejtoreshë, por unë e kam pyetur Prokurorinë Speciale nëse rasti është ende në hetim. Por Kryeprokurori Blerim Isufaj, nuk më është përgjigjur ende.” – ka thëksuar minitrja.

Lajme të ngjashme