Gjykata anulon vendimin e Qeverisë për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve
Gjykatëa Themelore në Prishtinë, ka aprovuar në tërësi kërkesëpadinë e paditëses Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, ndërsa ka anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për uljen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve, vendim ky i nënshkruar nga Kurti me datë 23 nëntor 2022.

“Gjykata në frymën e Kushtetutës së Republikës se Kosovës, dispozitave ligjore të lartcekura, Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, instrumenteve ndërkombëtare dhe praktikave gjyqësore të vendeve të ndryshme evropiane erdhi në përfundim se, vendimi kontestues i të paditurës nuk është i bazuar në ligj, andaj gjykata, kërkesëpadinë e paditëses e aprovoi si të bazuar duke anuluar vendimin e të paditurës, Qeverisë së Republikës së Kosovës të datës 23.11.2022, me numër të referencës Nr.03/109, si të kundërligjshëm dhe duke lënë në fuqi vendimin i datës 12.02.2020 me numër 01/02 , e nxjerr nga Qeveria e Republikës se Kosovës, ashtu si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Themelores.
Në arsyetim përmendet cenimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
“Vendimi i të paditurës është i kundërligjshëm pasi cenon të gjitha standardet dhe garancionet e sistemit të drejtësisë mbi pavarësinë institucionale dhe financiare të institucioneve të drejtësisë dhe po ashtu bije ndesh edhe me dispozita kushtetueses dhe ligjore që garantojnë pozitën financiare.
respektivisht pagën e prokurorëve dhe gjyqtarëve në sistemin e drejtësisë. Ceket se, me dispozitat e Ligjit për Prokurorin dhe Ligjit për Gjykata e Shtetit është përcaktuar qartë se, pagat e prokuroreve dhe gjyqtarëve nuk do të zvogëlohen gjatë mandatit me të cilën janë të emëruar përveç sanksionimit disiplinor të vendosura nga autoritetet kompetente pranë Këshillit Gjyqësor dhe Prokurorial.”
Gjithashtu në arsyetim përmenden edhe praktikat e vendeve të ndryshme evorpiane në çështje të tilla.
“Për me tej, gjykata është bazuar edhe në praktikat gjyqësore të vendeve të ndryshme evropiane si, Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Sllovenisë me numër te referencës SLO -2009-3- 006 - kjo gjykatë kishte arsyetuar se, “Mbrojtja nga ulja e pagës së gjyqtarit individual, si e tillë ka për qëllim të sigurojë stabilitetin e saj dhe rrjedhimisht pavarësinë e gjyqtarit, duhet të kuptohet si mbrojtje ndaj çdo ndërhyrje që mund të shkaktojë ulje të pagës së gjyqtarit, të cilin gjyqtari e pret në mënyrë të arsyeshme me marrjen e detyrës. Kështu që jo vetëm pagat themelore të gjyqtarëve janë ato që mbrohen nga ulja, por edhe të gjitha pagesat për të cilat gjyqtarët kanë të drejtë për shkak të kryerjes së detyrës gjyqësore. Prandaj, Gjykata kushtetuese e Sllovenisë kishte gjetur shkelje duke konstatuar që rregullimi ligjor i kontestuar ishte në kundërshtim me nenin 2 të Kushtetutës Sllovene”.

Ndryse ky ishte vendimi i datës 23, i nënshkruar nga Kryeministri Albin Kurti, i cili u rrezua nga shkalla e parë e Gjykatës.
