Gjetja e një pjese të mostrave të Deharit: A do t’i kthejë Prokuroria përgjigje Tomë Gashit? - NACIONALE

Gjetja e një pjese të mostrave të Deharit: A do t’i kthejë Prokuroria përgjigje Tomë Gashit?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Zhdukja e më pas gjetja e një pjese të mostrave të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, vazhdon të jetë temë diskutimi në Kosovë. Përderisa asnjë nga institucionet nuk ka dhënë asnjë detaj të vetëm për këtë rast, më i zëshëm ka qenë avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.

Ai në rrjetet sociale ka publikuar një letër që ia ka dërguar kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj dhe prokurorit të rastit, Afrim Shefkiu. Aty, Gashi kërkon të ketë detaje lidhur me gjetjen e mostrave të Deharit.

“Edhe pse kemi paraqitur kërkesë me shkrim, deri më tani nuk kemi pranuar asnjë njoftim lidhur me hetimin i cili është duke u zhvilluar nga ana e juaj. Poashtu ditën e premte nga mediat jemi njoftuar se janë gjetur mostrat (apo disa prej tyre) të Astrit Deharit. Ju lutem, që të na njoftoni me shkrim lidhur me çështjet e lartcekura. Unë besoj që familja e Astrit Deharit ka të drejtë që të jetë e informuar për këtë çështje dhe besoj që e keni obligim t’i njoftoni të njëjtit”, thuhet në këtë letër të Tomë Gashit.

No photo description available.

Në postimin e tij lidhur me këtë temë, Gashi ka pasur disa pyetje të gjata për Prokurorinë.

“Kush e vrau Astritin? Kush po i manipulon provat per vrasje? Kush po i vjedhe mostrat? Kush po i kthen mostrat e vjedhura? Kush po hetohet per manipulim te provave e kush per vjedhje te mostrave? Kush po “shperblehet” per kthimin e mostrave? Prokuror, sigurohu qe tiketat ngjitese te vlefshmerise se epruvetave te jene origjinale - te nentorit te vitit 2016, sepse ato fare lehte mund te manipulohen! Prokuror, tregoji Arses kush ia vrau babain, kush e nxiti vrasjen, kush po e fshehe vrasjen, e kush po manipulon me prova te babait te saj, te cilin - baba - ajo nuk e ka takuar kurre!”, kishte shkruar Gashi në rrjete sociale.

Nacionale ka raportuar ekskluzivisht lidhur me gjetjen e një pjese të mostrave të Astrit Deharit. Megjithatë, asnjë nga institucionet deri më tash nuk e ka thënë asnjë fjalë të vetme për këtë rast.

Nacionale ka tentuar vazhdimisht të kontaktojë me Ministrinë e Drejtësisë, Institutin e Mjekësisë Ligjore, Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë. Askush nuk ka pranuar ta thotë asnjë fjalë të vetme.

Si rezultat, nuk dihet nëse do të ketë ndonjë përgjigje pozitive nga institucionet edhe për avokatin e zëshëm, Tomë Gashi. Njëjtë sikur që kishte ndodhur kur u mor në pyetje deputeti Haki Abazi, pas deklaratave për Astrit Deharit. Gashit nuk iu kishte lejuar të marrë pjesë në intervistimin e Abazit.

Nacionale dje ka raportuar se si drejtoresha e laboratorit nga ku u zhdukën mostrat e Deharit, Flutura Goga, ishte kthyer në punë nga një kryetare e komisionit të cilën e kishte avancuar paraprakisht sa ishte zv/drejtoreshë e IML-së.

Cilat mostra u gjetën?

15 epruveta me gjak, një epruvetë e urinës dhe një e lukthit. Të gjitha këto mostra të Astrit Deharit ishin vërejtur se mungojnë në dhjetorin e vitit të kaluar. Megjithatë, Nacionale dje ekskluzivisht raportoi se mostrat e urinës dhe të lukthit janë gjetur sërish. Tashmë mungojnë 15 epruvetat e mostrave të gjakut.

Çudia doli të jetë se një pjesë e mostrave të Astrit Deharit u gjetën në një nga frigoriferët i cili nuk monitorohet nga kamerat e sigurisë. Kështu kanë bërë të ditura burime të sigurta për gazetën Nacionale.

"Komisioni per invertaizim i kanë gjetë tek një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Dje i kanë gjetë nga fundi i orarit të punës. Esenca është që frigoriferi nuk mbulohet prej kamerave. Një pjesë e mostrave janë gjetë, por jo të gjitha." - ka thënë burimi për Nacionalen.

Sipas sinjalizuesve të Nacionales brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore, janë vetëm 3 persona të cilët kanë pasur qasje në pjesën ku janë gjetur mostrat e Deharit. Janë pikërisht disa nga zyrtarët të cilët ishin suspenduar me vendim nga ministrja Albulena Haxhiu, pasi ishin zhdukur mostrat.

Flutura Goga, Nardi Sheqergjiu, Anila Lakna e Ilirjana Shala ishin zyrtarët e suspenduar për zhdukjen e mostrave të Astrit Deharit, të cilët më pas u kthyen në punë.

Madje, Drejtoresha e Laboratorit ku u zhdukën mostrat e Deharit, e ku më pas edhe u gjetën një pjesë e tyre, ka punuar pa licencë për vite të tëra. Për këtë kishte raportuar ekskluzivisht gazeta Nacionale.

Burimet e Nacionales kanë konfirmuar se me gjetjen e mostrave janë njoftuar edhe organet e rendit, të cilat kanë zhvilluar hetime dhe kanë marrë xhirimet e kamerave të komplet objektit.

Megjithatë, për gjetjen e një pjese të mostrave të Deharit nuk ishte në dijeni familja dhe as avokati.

Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit, në një prononcim për Nacionalen ka akuzuar prokurorin e rastit, Afrim Shefkiu për posedimin e mostrave të djalit të saj.

“A e keni pyet prokurorin e rastit? A keni bisedu me to? Pyetne prokurorin e rastit se ai i ka pas, mostrat i ka marrë edhe i ka kthy. Kush ka pas me i pas tjetër, unë si kom marrë të shpia. Pyetne prokurorin ai ju tregon se ai e din ku jon kon mostrat, ai i ka marrë në pyetje njerëzit, ai e din krejt punën, neve askush nuk na ka lajmëru asgjë, nga ju e morëm vesh.” – ka thënë Xhemile Dehari, nëna e Astrit Deharit për Nacionalen.

Zhdukja e mostrave të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar kishte nxitur reagime të shumta në vend.

Lajme të ngjashme