Falsifikim, ryshfet dhe kanosje: Për çka akuzohen 23 të paraburgosurit në Prizren? - NACIONALE

Falsifikim, ryshfet dhe kanosje: Për çka akuzohen 23 të paraburgosurit në Prizren?

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas operacionit masiv policor që çoi në pranga mbi 100 persona për manipulim të procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, Gjykata Themelore në Prizren ka dhënë sot vendimet e para të sigurisë. Departamenti i Krimeve të Rënda ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për 23 të pandehur, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda, përfshirë falsifikimin e rezultateve, dhënien dhe marrjen e ryshfetit, si dhe kanosjen.

Vendimi vjen vetëm dy ditë pas aksionit të gjerë të Prokurorisë, ku dyshohet se keqpërdorimet kanë prekur deri në 60 mijë vota, sipas deklaratave të Kryeprokurorit të Prizrenit, Petrit Kryeziu.

Pas mbajtjes së katër seancave dëgjimore maratonë gjatë ditës së djeshme, gjyqtarët e procedurës paraprake kanë aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për veprat penale.

Të pandehurit janë ndarë në tri kategori bazuar në rëndimin e veprave të dyshuara:

Falsifikimi i Rezultateve (21 persona)

Grupi më i madh i të pandehurve do të qëndrojnë në paraburgim deri më 23 shkurt 2026. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale "Falsifikimi i rezultateve të votimit" në bashkëkryerje, sipas Nenit 216 të Kodit Penal.

“Njëzetenjë (21) të pandehurve, O.Sh., V.B., A:K., B.B., A.H:, A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., I.H., A:D., dhe B:B., D.Sh., J.H., S.B:, A.L., Q.K., A.V., M.J., i’u është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se secili veç e veç ka kryer veprën penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 lidhur me nenin 31 të KP-së.”

Falsifikim dhe Marrje Ryshfeti

E pandehura me inicialet A.V. përballet me akuza më të rënda. Përveç falsifikimit të rezultateve, ajo dyshohet edhe për veprën penale "Marrja e ryshfetit".

“Ndaj një (1) të pandehure, A.V.,, i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, falsifikimi i rezultateve të votimit nga neni 216 par. 2 të KP-së, dhe marrja e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 të KP-së.”

Vëzhguesi i akuzuar për Kanosje dhe Korrupsion

I pandehuri G.P., i cili gjatë zgjedhjeve kishte cilësinë e vëzhguesit, është lënë në paraburgim nën dyshimin për veprat penale "Kanosja" dhe "Dhënia e ryshfetit".

“Ndaj një (1) të pandehuri G.P., (në cilësinë e vëzhguesit) i është caktuar masa e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila mund të zgjasë deri më datën 23.02.2026 për shkak të dyshimi të bazuar se ka kryer veprat penale penale, Kanosja nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 te KP-së, dhe Dhenia e ryshfetit, nga neni 422 paragrafi 1 te KP-së.”

Lajme të ngjashme