Dyshimet për dallavere në BKS: Caktohet paraburim për katër nga 39 të arrestuarit
Gjykata Themelore në Prizren ka marrë vendim këtë të shtunë lidhur me masat e sigurisë ndaj grupit të gjerë prej 39 personave të arrestuar, të cilët dyshohen për keqpërdorime financiare masive në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Gjyqtari i procedurës paraprake, Fatmir Krasniqi, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj katër të dyshuarve kryesorë, ndërsa për 35 të tjerët janë caktuar masa alternative
Për S.M. dhe V.B. ekziston dyshim i bazuar për veprat penale “Keqpërdorimi i besimit” (në vazhdimësi) dhe “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”. Ndërkaq, Florent Sylejmani dyshohet për “Falsifikim të dokumenteve” (në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi), si dhe për “Keqpërdorim të besimit”, ndërsa Yll Çollaku për “Keqpërdorim të besimit”.
Për pjesën tjetër të grupit prej 35 të pandehurve, Gjykata ka vendosur masën e paraqitjes në stacionin policor dhe ndalimin e afrimit ndaj objektit të BKS-së apo personave të caktuar. Këta individë, të cilët dyshohen kryesisht për ndihmë në keqpërdorim të besimit dhe falsifikim dokumentesh, janë të obliguar të paraqiten në polici një herë në javë.
Skema e mashtrimit: Mbi 1 milion euro dëme përmes aksidenteve fiktive
Nga periudha korrik 2022 deri në tetor 2023, personat në fjalë dyshohet kanë orkestruar një skemë komplekse duke realizuar qindra transaksione të dyshimta. Dyshohet se Mazreku dhe Berisha kanë autorizuar pagesa për dëme nga aksidente që në realitet ishin fiktive ose për raste që tashmë ishin kompensuar më parë. Sipas dosjes, shuma totale e dëmit të shkaktuar ndaj buxhetit të BKS-së kap vlerën e 1,043,284.00 eurove.
Prokuroria ka evidentuar se paratë transferoheshin te llogaritë e personave të tretë (bashkëpunëtorëve), të cilët paraqiteshin rrejshëm si palë të dëmtuara apo të autorizuar. Transaksionet varionin në shuma të ndryshme, duke përfshirë pagesa individuale që arrinin deri në mijëra euro për një rast të vetëm.
Në arsyetimin për caktimin e paraburgimit, Gjykata ka theksuar rrezikun e lartë të ikjes së të pandehurve kryesorë. Përveç dënimeve të larta që parashihen për këto vepra, gjyqtari Krasniqi ka përmendur specifikisht se "kushtet që janë krijuar me rastin e liberalizimit të vizave" lehtësojnë arratisjen dhe fshehjen e të pandehurve në botën e jashtme.