Dosja e ish-agjentit amerikan: Prokuroria e Hagës e mbron Jack Smithin, i përmend edhe deklaratat e Milaim Zekës
Një kërkesë e avokatit të Nasim Haradinajt, Toby Cadman, e deponuar në Gjykatën Kushtetuese në Hagë, kishte kërkuar hetim ndaj ish-prokurorit të Specializuar, Jack Smith.
Kjo pas një dosje që e kishte deponuar në Departamentin e Drejtësisë ish-agjenti federal John Moynihan, i cili kishte bërë akuza të rënda ndaj Smithit që tash po e heton Donald Trumpin.
Megjithatë, Prokuroria e Hagës i ka dalë mbrojtje ish-shefit. Në parashtrimin e tyre ata kanë vlerësuar se artikujt e tillë në media, janë tendencë për të diskredituar Jack Smithin dhe Prokurorinë e Specializuar.
“Artikulli nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e pabazë për të diskredituar ish-Prokurorin e Specializuar në Shtetet e Bashkuara dhe punën e ZPS-së. Akund në artikull nuk përmend Nasim Haradinaj, sjellja kriminale për të cilën ai u dënua në të vërtetë, apo ndonjë gjë që i afrohet kurthit. Ky informacion nuk ka ndikim në Referim dhe nuk duhet pranuar”, thuhet në parashtrimin që e ka parë Nacionale.
“Së pesti, rrëfimi i përgjithshëm i personave që pretendojnë lidhur me ish-prokurorin e specializuar është transparentisht i pabesueshëm dhe në kundërshtim me të dhënat faktike. Të gjitha akuzat kundër ish-prokurorit të specializuar në artikull i atribuohen nga të tjerët një personi, i cili dyshohet se është agjent i CIA-s, i cili - mes operacioneve të tjera - mori pjesë në arrestimin e Slobodan Millosheviçit dhe në operacionin kur u vra Osama Bin Laden. Dëshmitarët e intervistuar në artikull të gjithë besojnë se ky person është mashtrues dhe gënjeshtar”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë ndaj ankesës së avokatit të Haradinajt.
Prokuroria shkon edhe më tutje duke thënë se artikulli ishte me agjendë politike.
“Kjo mungesë besueshmërie është e dukshme edhe në një vlerësim prima facie. Por ka edhe informacione të shumta përtej një vlerësimi të tillë që tregon se artikulli i tenderuar është përgatitur me një axhendë politike nëpërmjet dëshmitarëve me besueshmëri të dyshimtë”, thuhet aty.
Për të tentuar të vërtetojë qëndrimet e veta, Prokuroria e përmend një deklaratë të Milaim Zekës dhënë në emisionin “Rrethi katror” në Top Channel.
Aty Milaim Zeka flet për një ftesë të pretenduar për të shkuar në Kongesin amerikan, e për të dëshmuar për disa dyshime lidhur me punën e Jack Smith në Speciale.
“Unë nuk kam qenë fshehurazi në Amerikë. Kam qenë i ftuar nga Republikanët nga Kongresi amerikan, pjesa e Republikanëve dhe atje kam qenë pikërisht për të folur për të folur se si agjentët e lartë të BIA-s serbe, domethënë kanë dërgu dëshmi të rrejshme dhe dëshmitarë të rrejshëm në krye me Jack Smithin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Domethënë akteri kryesor i krejt kësaj loje të pistë është kryeprokurori i Gjykatës Speciale që po e heton Donald Trumpin i cili e ka përdorë këtë Faik Imerin – agjentin e BIA-s serbe si njeriun kryesor i cili iu ka premtu miliona njerëzve dhe ndërrim të identitetit që këta të dëshmojnë rrejshëm në Gjykatën Speciale në Hagë.”, kishte deklaruar Milaim Zeka, deklarata e të cilit është pjesë e parashtrimit të Prokurorisë.
Një dosje kundër Jack Smith, ish-Prokurorit të Specializuar të Hagës, është ngritur në Departamentin e Drejtësisë.
Atë e ka bërë ish-agjenti federal për hetimin dhe ndjekjen e krimeve financiare, John Moynihan.
Sipas dosjes, Jack Smith ka udhëhequr skemë korruptive lidhur me Gjykatën Speciale të Hagës.
Në tekst është aluduar se ish-prokurori special për hetimin dhe ndjekjen penale të ish-krerëve të UÇK-së ka kërkuar ryshfet prej “100 milionë dollarëve” nga “një kryetar shteti” në mënyrë që të lirohet nga akuzat e pretenduara për krime lufte, duke mos përmendur në mënyrë specifike se për cilin “kryetar shteti” dhe cilin rast bëhet fjalë.
Krejt kjo është vetëm bazuar në dokumente të cilat ende nuk janë vërtetuar.
Paul Sperry, gazetar dhe kolumnist i tabloidit konservator amerikan New York Post, ka njoftuar nëpërmjet platformës “X” të mërkurën se tashmë në DOJ është dorëzuar një dosje kundër Smithit, në të cilën pretendohet se ai është përfshirë një një “skemë të zhvatjes” së miliona dollarëve nga individë të pasur për t’i liruar nga akuzat për krime lufte.