Dokument: Prokuroria fillon hetimet për konkursin ku ‘dosti’ i Luan Dalipit, u emërua zv/drejtor në AKP
Prokuroria Speciale e Kosovës ka filluar hetimet për konkursin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit lidhur me pozitën e zv/drejtorit ekzekutiv në këtë institucion. Nacionale ka siguruar dokumentet të cilat dëshmojnë hetimet lidhur me konkursin ku ish-bashkëpunëtori i Luan Dalipit, u emërua zv/drejtor. Gazeta sjell detaje.
Me datën 18 shtator të këtij viti, në Agjencinë Kosovare të Privatizimit arriti një dokument me rëndësi nga Policia e Kosovës. Të autorizuar prej Prokurorisë Speciale, hetuesit kanë kërkuar nga AKP-ja të gjitha dokumentet për konkursin e datës 19 janar 2024, për pozitën e zv/drejtorit ekzekutiv për operativë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Në këtë pozitë, është emëruar Burim Leci. Ky konkurs tash është nën llupën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, për dyshimet se ka pasur ndikime, dhe gjithashtu pas dilemave për konflikt të interesit.
Gazeta Nacionale e ka siguruar dokumentin e Policisë së Kosovës drejtuar AKP-së. Aty, Prkuroria ka urdhëruar dosjen e kompletuar të konkursit për këtë pozitë, dhe gjithashtu vendimin mbi të cilin Burim Leci është caktuar në pozitën e zv/drejtorit ekzekutiv operativ në AKP.
Deri te nisja e hetimeve, ka ardhur pas dyshimeve se ka pasur ndikime dhe gjithashtu të konflikt të interesit. Kjo, bazuar në dy arsye.
Burim Leci, ‘dost’ i Luan Dalipit, shef i kabinetit të kryeministrit Kurti. Leci e Dalipi kishin punuar bashkë në kompaninë MDA. Për këtë rast, kishte raportuar gazeta Reporteri muaj më parë.
“Kandidati Burim Leci del ka qenë një bashkëpunëtor i afërm i shefit të kabinetit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipit, një nga themeluesit në kompaninë Management Development Associates (MDA) në Prishtinë. Ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Zhvillimin e Qeverisjes në MDA, në të njëjtën kur biznesi drejtohej nga vetë Dalipi, para se ky i fundit, në shkurt të 2020-ës ta braktiste kompaninë e themeluar nga vetë ai për Zyrën e Kryeministrit Albin Kurti”, thuhej në raportimin e Reporterit.
Dyshimet ishin shtuar edhe për konflikt të interesit. Kjo pasi Burim Leci, figuronte si drejtor menaxhues në “IP-KOS SH.P.K”, kompani që ka në pronësi pompa të derivateve “Ip Petrol”. E këta të fundi, kanë në shfrytëzim një numër të pompave të menaxhuara në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
“Z. Leci është njoftuar zyrtarisht nga AKP se është përzgjedhur në këtë pozitë me datë 1 korrik 2024. Procesi i rekrutimit ka zgjatur deri në korrik, për arsye se Agjencia ka respektuar afatet ligjore për ankesat e parashtruara në Komisionin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbyesve Civil të Kosovës KPMShCK. Pra, procesi i konkursit ka qenë i rregullt sipas procedurave ligjore në fuqi dhe nuk bëhet fjalë për ndikime gjatë këtij procesi të hapur, konkurrues dhe i bazuar në përzgjedhje sipas meritës "arritshmërisë së rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave sipas procedurava standarde në fuqi"”, thuhet në përgjigje.
Këto dy aspekte, pritet të marrin rrugë pas nisjes së hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.