Diplomati amerikan për UÇK-në: Nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë - NACIONALE

Diplomati amerikan për UÇK-në: Nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

I dërguar i posaçëm dhe koordinator i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, James Rubin, ka komentuar për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës.

Ai e ka përmendur edhe Hashim Thaçin për të cilin deklaroi se ishte në qendër të procesit të paqes.

Rubin që aso kohe ka qenë zëdhënës në Departamentin e Shtetit deklaroi që Marrëveshja e Rambujesë e nënshkruar, ishte vendimtare për vendosjen e paqes.

“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për UÇK-në evoluoi ndër vite. Në ditët e para para se të dija më shumë për të, ne kishim dënuar aktivitetet terroriste që ishin kryer nga grupet shqiptare. Por me evoluimin e procesit të paqes, UÇK-ja u bë qendër e atij procesi të paqes dhe ishte Hashim Thaçi në bisedimet e Rambujesë, ai që mori vendimin e guximshëm për të rënë dakord për Marrëveshjen e Rambujeës. Dhe ky ishte vendimi që lejoi NATO-n t’i mbështeste shqiptarët e Kosovës. Po të mos ishte marrë ai vendim nuk mendoj se do të rrinim kaq të lumtur dhe të lirë në një qytet modern evropian këtu në Prishtinë”, tha Rubin për Radion Evropa e Lirë.

“Shumë e shumë shqiptarë do të kishin vdekur. Pra, UÇK-ja luajti një rol vendimtar në marrëveshjet që u nënshkruan nga krerët e saj dhe në zbatimin e çmilitarizimit të premtuar prej tyre. Dhe siç më thanë në atë kohë, nëse ne i zbatonim premtimet tona për të përdorur fuqinë ushtatake në emër të tyre, ata do t’i zbatonin premtimet e tyre. Ata i zbatuan premtimet e tyre për t’u çmilitarizuar dhe kanë qenë ngushtë duke punuar me KFOR-in dhe me përfaqësuesit zyrtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtu, për shumë e shumë vite. Mendoj se është e drejtë të thuhet se se ajo marrëdhënie ishte ajo që u mundësoi shqiptarëve ta shmangin atë që do të ishte një masakër e madhe në këtë pjesë të botës”, deklaroi ai.

“Kështu që, unë kam kujtime të dashura të punës me liderët e tyre. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë që ka ndodhur në atë kohë të luftës, është diçka që unë do ta mbështesja. Natyrisht ka gjëra që janë bërë. Por le të jemi të qartë, kërcënimi erdhi nga forcat ushtarake serbe, kërcënimi i masakrimit masiv erdhi nga forcat ushtarake serbe. Dhe, po, UÇK-ja me gjasë kishte probleme që u ekzaminuan dhe u panë që nuk ishin të përsosura. Por, nuk mendoj se duhet ta rishkruajmë historinë për këtë temë”, tha më tutje ai.

I pyetur për aktakuzën e Gjykatës Speciale, ai deklaroi: “Unë thjesht nuk kam asnjë koment për këtë”.

Lajme të ngjashme