Diaspora shqiptare ngre sot zërin në Hagë kundër padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së - NACIONALE

Diaspora shqiptare ngre sot zërin në Hagë kundër padrejtësive ndaj krerëve të UÇK-së

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Pas mobilizimit të 7 gushtit në Prishtinë, kur dhjetëra mijëra qytetarë ngritën zërin kundër padrejtësisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot thirrjet e njëjta do të përsëriten edhe në Hagë.

Bashkatdhetarë nga vende të ndryshme, përfshirë edhe shumë qytetarë nga Kosova, janë raportuar se kanë arritur tashmë në Holandë për t’iu bashkuar protestës që nis në orën 14:00 para Dhomave të Specializuara.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje të gjerë, duke e cilësuar protestën si një “zë të përbashkët kundër padrejtësisë”.

Kryetari i saj, Hysni Gucati, theksoi se kjo nismë ka lindur nga mërgata dhe është mbështetur fuqishëm nga të gjitha strukturat e dalura nga lufta.

“Me iniciativën e bashkëluftëtarëve tanë që jetojnë në mërgatë, njërin nga ta e kemi këtu, Fatmir Koci, Ukë Lushi që jeton në Amerikë dhe disa të tjerë. Më 14 shtator 2025 do të mbahet një protestë në qytetin Hagë në Holandë, para Gjykatës Speciale, në orën 14:00.

Ne, si organizata të dala nga lufta e UÇK-së, i kemi dhënë mbështetjen tonë të plotë me të gjitha kapacitetet dhe do të jemi bashkë në organizim. Kërkesën për protestë e kemi bërë te autoritetet holandeze dhe jemi në pritje të konfirmimit për lokacionin. Ju bëjmë thirrje të gjithë mërgimtarëve tanë që të marrin pjesë në këtë protestë paqësore kundër padrejtësive që po ndodhin në Gjykatën Speciale”, tha Gucati.

Sami Lushtaku, kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt, paralajmëroi dje pjesëmarrje masive në këtë protestë.

“Numri i atyre që kanë shkruar edhe nga Kosova por edhe të atyre që jetojnë jashtë vendi, është tepër i madh. Do të befasohen kundershtarët e luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ke njerëz që s’u pëlqejnë, iu ka ardhur keq edhe atëherë kur kanë qenë 100 mijë njerëz në Prishtinë Iu ka ardhur keq edhe herën e dytë.” – deklaroi Lushtaku.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po zhvillohet një proces i stërzgjatur gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi – figura kyçe të historisë së luftës së UÇK-së.

Lajme të ngjashme