BE mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën: Serbia të bashkëpunojë, do të ketë pasoja - NACIONALE

BE mirëpret ngritjen e aktakuzës për Banjskën: Serbia të bashkëpunojë, do të ketë pasoja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Bashkimi Evropian ka mirëpritur ngritjen e aktakuzës ndaj 45 personave të grupit terrorist që organizoi sulmin e 24 shtatorit në Bajnskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka theksuar edhe një herë pritshmërinë që fajtorët të mbahen përgjegjës.

“BE-ja e mirëpret faktin që Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimet e sulmit të Bajnskës dhe ka ngritur aktakuzën. BE-ja në vazhdim ka theksuar pritshmërinë që të gjithë ata që janë të përfshirë dhe përgjegjës në këtë sulm brutal të mbahen përgjegjës. Parashtrimi i aktakuzës nënkupton që tani procesi gjyqësor do të fillojë dhe ne po presim për përfundimet e këtyre procedurave gjyqësore.” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.

Tutje, Stano është pyetur mbi takimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq me ambasadorin evropian në Serbi, dhe mbi mundësinë që të jetë diskutuar kjo temë.

“Ne s’i komentojmë përmbajtjen e takimeve, në nivel të ambasadorëve me palët në shtete. Ne nuk kemi nevojë për një takim që të përcjell pozicionin e BE-së, sepse dihet qartë, është përsëritur shumë herë që nga dita tragjike e 24 shtatorit të vitit të kaluar, dhe pritshmëria është që Serbia të bashkëpunojë plotësisht në hetim, dhe nëse është e nevojshme të bashkëpunojë për t’i mbajtur përgjegjës.” – tha ai.

Stano ka paralajmëruar pasoja sapo të përfundojë procesi gjyqësor:

“E kemi thënë edhe atëherë, në fund të shtatorit të vitit të kaluar, ky sulm përbën një eskalim të qartë dhe të paprecedentë. Dhe do të ketë pasoja, kështu që sapo Gjykata në Kosovë të vendos kush është fajëtorë, atëherë do të ketë pasoja”.

Ndërkohë, në pyetjen se a do ta nxisë BE-ja, Serbinë që ta ekstradojë kryekriminelin Milan Radojiçiq, ai u përgjigj:

“Pozicioni ynë është i qartë, presim nga Serbia të bashkëpunojë plotësisht për procedurat e ndërlidhura”.

Çka thotë aktakuza?

Prej vitit 2017 deri në 24 shtator 2023, kryeterroristi Milan Radoiçiq, kishte nisur me grumbullimin e armatimit të rëndë, uniformave e mbështetjes logjistike për kryerjen e sulmit që u krye në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrim Bunjaku.

Kështu të paktën thuhet në pjesën hyrëse të aktakuzës së Prokurorisë Speciale e cila është ngritur sot. Nacionale e ka siguruar aktakuzën, në të cilën janë të përfshirë 45 persona, në mesin e të cilëve edhe Milan Radoiçiq.

“Në periudhën kohore nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023, i pandehuri Milan Radoićić, në cilësinë e kreut të grupit terrorist të strukturuar, ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, ku pjesa më e madhe e tyre janë përdorur për armatim të rëndë - blerje dhe furnizim me armë të rënda për grupin terrorist, uniforma ushtarake - sigurimi i uniformave për pjesëmarrësit e grupit, mbështetje logjistike - sigurimi I pajisjeve dhe shërbimeve logjistike për operacionet e grupit, pagesën e pjesëmarrësve të grupit - financimi i pjesëmarrësve të grupit terrorist për të siguruar përfshirjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm në veprimtaritë kriminale, veprime këto me qëllim të lehtësimit dhe financimit të veprave terroriste, rrjedhimisht krijimit të kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e akteve terroriste.” - thuhet në aktakuzën e siguruar nga gazeta Nacionale.

Të gjitha lajmet në lidhje me ngritjen e aktakuzës, mund t’i lexoni në KËTË LINK.

Lajme të ngjashme