Arratiset Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit - NACIONALE

Arratiset Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, është arratisur nga Kosova.

Pas vendimit nga Gjykata me datën 28 qershor, Roshiq është i pakapshëm për institucionet vendore.

Lajmin e ka bërë të ditur Veton Elshani, zv/drejtor i Policisë për rajonin e veriut.

“Ditën kur është marrë vendimi rreth orës 10:00. Neve na kanë sjellur vendimin për ekzekutimin e dënimit dikund pasdite. Po atë ditë ne kemi shkuar për ta arrestuar por ai s’ka qenë në shtëpi”, tha Elshani për Nacionalen.

Elshani ka bërë të ditur se i dënuari tash është në kërkim.

Image

Nacionale ka kontaktuar edhe me avokatin e Marko Roshiq, Mahmut Halimi. Ky i fundit ka thënë se nuk ka pasur asnjë kontakt me klientin e tij.

“Nuk kom pas asnjë kontakt, pasi ditën kur është shpallur vendimi unë kam qenë te një rast i vrasjes në Mitrovicë”, tha Halimi për Nacionalen.

I pyetur nëse do të ankohet në Apel, ai tha se është në pritje që të publikohet aktgjykimi.

“Hala se kemi pranu aktgjykimin, te shoh çka ka vendosur gjykata, me cilat prova e kanë shpallur fajtor”, tha Halimi më tutje.

Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli më 28 qershor aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke i dënuar me burgim katër persona, ndërsa e liroi një tjetër.

Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.

Nedelko Spasojeviq, ish-polic, u dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë prej 4.500 euro për armëmbajtje pa leje.

Marko Roshiq, qytetar i Mitrovicës së Veriut, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.

Dragisha Markoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burgim për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Zharko Jovanoviq, ish-polic, u dënua me katër vjet burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje, si dhe me gjobë prej 1.500 euro.

Sillvana Arsoviq, sekretare e Ivanoviqit, u shpall e pafajshëm për akuzën se ishte pjesë e një grupi kriminal.

Të dënuarve do t'iu llogaritet koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak. Ata nuk ishin të pranishëm në sallën e gjyqit kur iu shqiptua dënimi.

Lajme të ngjashme