Arianit Sllamnikut i caktohet një muaj paraburgim - NACIONALE

Arianit Sllamnikut i caktohet një muaj paraburgim

2 javë më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj Arianit Sllamnikut, i cili dyshohet iu ka përshkruar ilaçe në vlerë mijëra euro fëmijëve me autizëm, me pretendimin se i shëron.

Sllamniku dyshohet për veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore” dhe “Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barnave”, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykata njofton se Sllamniku dyshohet se në lokalin e tij ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e autizmit, duke përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të paverifikuara e të pakonfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore.

“Nga periudha e papërcaktuar kohore e deri më datë 20.01.2026, në Gjilan, në rrugën ’’17 Shkurti’’, në lokalin e regjistruar si ‘’Consulence’’, i pandehuri, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, pa kualifikim përkatës profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore për ushtrimin e veprimtarisë mjekësore apo farmaceutike, përkundër se i vetëdijshëm se nuk posedonte kualifikime të posaçme dhe të domosdoshme sipas ligjit ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme, ashtu që në lokalin ‘’Consulence’’ ka kryer trajtime mjekësore dhe vizita mjekësore e këshilluese kinse për shërimin e Autizmit duke përshkruar e rekomanduar përdorimin e terapive të ndryshme të pa verifikuara e të pa konfirmuara, përkundër se nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore, ashtu që pas raportimit të lajmit për ushtrimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme gjatë zbatimit të urdhër kontrollit UGJK nr.5/2026 nga NJHP në Gjilan, në lokalin ‘’Consulence’’, gjendet edhe një dëshmitar i cili pas marrjes së terminit kishte shkuar për tu konsultuar për trajtimin Autizmit, e po ashtu gjenden edhe medikamente të ndryshme mjekësore të cilat sekuestrohen”, thuhet në njoftim.

Lajme të ngjashme