27-vjeçari që vdiq pas arrestimit nga Policia në Lipjan: Nisin hetimet
Një 27-vjeçar, për të cilin Policia tha se ishte i dehur, ka vdekur në rrethana tejet të dyshimta.
Viktima me inicialet A.Z, sipas Policisë, në gjendje të dehur, po sulmone vetura dhe kalimtarë në rrugën “haradin Bajrami”,
Si rezultat, Policia ka reaguar për ta vënë nën kontroll. Në përgjigjen e Policisë thuhet vetëm se pasi atij i është ofruar ndihma e parë, është konfirmuar vdekja e tij.
Si, nga çka ka, janë pyetje që aktualisht nuk kanë përgjigje.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci.
Sinjali ka publikuar disa pamje të kësaj ngjarjeje, e cila ka shkaktuar shumë reagime në Kosovë.
Në pamje duken disa policë, të cilët tentojnë ta vënë nën kontroll të dyshuarin. Në pamje, duket se atij i është vënë edhe këmba në kokë.
Megjithatë, deri më tash nuk ka asnjë informacion për shkaktarët e vdekjes.
Nacionale ka mësuar se Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për këtë rast. Gjithashtu, edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Nacionale ka mësuar se familja e viktimës ka aranzhuar një avokat, i cili ka filluar me grumbullimin e informacioneve.
“Po, avokati ka qenë tek IML. Jemi duke pritur edhe për komunikim me Prokurorinë”, ka thënë një burim për Nacionalen.