18 vjet burg: Si e arsyetoi Gjykata Speciale dënimin e Pjetër Shalës?
Me 18 vjet burg është dënuar ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala. Vendimi është shpallur ditën e sotme nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.
Shala është dënuar për tri vepra të ndryshme: ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Për secilën prej akuzave, Specialja vlerësoi se kanë gjetur prova të mjaftueshme për ta dëshmuar fajësinë e Pjetër Shalës.
Qysh në nisje të fjalës së saj, kryetarja e trupit gjykues tha se në Kosovë drejtësi nuk arriti t’i zbardhë këto raste. Megjithatë, këtë ia atribuoi një dëshmitari.
“Viktimat ishin kryesisht shqiptarë të Kosovës që kanë pësuar vuajtje nga shqiptarë të tjerë të Kosovës. Dëshmitë e tyre ishin të gjalla, të hollësishme, dhe bindëse. Disa prej dëshmitarëve janë viktima pjesëmarrëse në këtë proces. Dëshmitarët folën për përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësi gjatë 25 viteve të fundit. Po e citoj njërin prej tyre: ‘me pas ligj e shtet ish kry atje, po kush me kry, s’ka guxu kush me i marrë lëndët në dorë’”, tha kryetarja e trupit gjykues, raporton Nacionale.
Këto krime të luftës, Specialja tha se u kryen në fabrikën e Metalit në Kukës, ku Shala kishte pasur njëfarë “autonomie”. Në këtë fabrikë, ishin kryer ndalime, maltretime dhe një vrasje e paligjshme për të cilën u shpall fajtor Shala.
Specialja e gjeti së pari fajtor Shalën për veprën penale të ndalimit arbitrar.
“Bazuar në prova, trupi gjykues ka konstatuar se të paktën 18 persona iu hoq liria nga anëtarë të UÇK-së në fabrikën e metalit në Kukës, në periudhën 17 maj 8 qershor 1998. Provat tregojnë se individë u arrestuan dhe u mbajtën të ndaluar me pretendime se ishin tradhtarë ose bashkëpunëtorë të Serbisë, simpatizionin Serbinë, ose nuk mbështesnin përpjekjet e UÇK-së. Rrethanat e arrestimit të një numri prej tyre, tregojnë se paraprakisht ishin bërë hetime lidhur me vendndodhjen e tyre. Të ndaluarit u arrestuan në vendin ku banonin, në rrugë. Z.Shala u përfshi drejtpërdrejt në transferimin e 1 të ndaluari në Fabrikën e Metalit. Personave të ndaluar nuk iu dhanë garancitë bazë. U keqtrajtuan nga anëtarë të UÇK-së, përfshirë z.Shala, dhe njëri prej tyre u vra”, tha gjyqtarja Mappie Veldt-Foglia.
Fajtor u shpallë edhe për veprën penale të torturës ndaj 18 personave në qendrën e ndalimit në fabrikën e Metalit. Pavarësisht se për Shalën, u dëshmua se e ka transferuar vetëm 1 person personalisht në këtë qendër.
“Trupi gjykues ka konstatuar se të paktën 18 të ndaluar që iu hoq liria, u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese. Të ndaluarit u mbajtën në dhoma të vogla, pa shtretër, në dhomë me 13 të ndaluar. Nuk iu jepej ushqim e ujë. Një dëshmitar kujtoi se nganjëherë dy të ndaluar ndanin një vezë të zier. Herave të tjera atyre nuk iu dha aspak ushqim, nuk lejoheshin të laheshin, duhet të kërkonin leje për të përdorur banjat. Të ndaluarit shkonin të shoqëruar në banjë, e me ngacmime rrugës. Nuk iu dha ndihmë mjekësore mjaftueshëm, ose iu refuzua ndihma. Pjetër Shala ishte i pranishëm kur të ndaluarit merreshin në pyetje. Krahas kushteve çnjerëzore, trupi gjykues ka konstatuar me prova se të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht e psikologjisht përditë nga disa anëtarë të UÇK-së. U rrahën gjatë gjithë natës deri në mëngjes, u detyruan të godisnin njëri-tjetrin. Gjatë marrjeve në pyetje rrahën të ndaluarit në formë brutale, i rrahën të ndaluarit me shkopinjë gome e bejsbolli në gjithë trupin. I goditën me grushte, i prenë me thika, i dogjën me cigare, dhe iu hodhën kripë në plagë. Anëtarët i rrihnin me rend të ndaluarit. Keqtrajtimi fizik e psikologjik i shoqëruar me kushte mizore iu shkaktuan të ndaluarve pasoja afatgjata si lëndime në kokë, lëndime nga djegiet”, tha kryegjyqtarja e rastit.
E në fund, Shala u gjet fajtor edhe për vrasje të paligjshme. Pavarësisht se sipas vendimit, Pjetër Shala nuk kishte shtënë në drejtim të viktimës, megjithatë kishte kontribuar me rrahje.
“Vrasje e paligjshme: Trupi gjykues ka konstatuar se më 4 qershor, një prej të ndaluarve, u keqtrajtua rëndë nga një grup anëtarësh ndër të cilët z.Shala dhe Xhemshit Krasniqi, dhe u qëllua me armë zjarri nga ky i fundit. Z.Shala mori pjesë në keqtrajtimin e viktimës para dhe pasi u qëllua me armë zjarri. Ndërkohë që viktima e vrasjes së paligjshme, keqtrajtimi dhe gjuajtja me armë i shkaktuan mavijosje në gjithë trupin, kishte gjakderdhje nga plagët. Viktima e vrasjes së paligjshme pas një agonie vdiq të nesërmen me 5 qershor 1999, ose rreth kësaj date”, tha gjyqtarja e rastit, raporton Nacionale.
Specialja konstatoi përgjegjësinë individuale të Shalës.
“Trupi gjykues në bazë të provave ka konstatuar se z.Shala mori pjesë në transferimin të njërit prej të ndaluarve. Ai gjithashtu mori pjesë në marrjen në pyetje dhe keqtrajtimin e disa të ndaluarve, së bashku me anëtarë të tjerë ndër të cilët Sabit Geci e Xhemshit Krasniqi. Z.Shala ishte i pari që goditi disa të ndaluar. Dëshmitarëve iu kujtohej brutaliteti i tij. Njëri tha se z.Shala i rrahu me shkop gome në gjithë trupin. Ai kishte njëfarë pushteti kur bëhej fjalë për të ndaluarit. Ai mori në pyetje një të ndaluar për të marrë praninë prej tij. Gjatë ndalimit të një dëshmitari, Z.Shala i tha: ‘do të vrasim’”, u tha në vendim.
Si rezultat, Shala u dënua me dënim unik prej 18 vitesh burg.
“Z.Shala duke qenë se jeni shpallur fajtor për më shumë se një vepër penale, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më vete për secilën vepër penale. Trupi gjykues ka përcaktuar dënimet në vijim: dënim me 6 vjet burg për krimin e luftës së ndalimit arbitrar, dënim me 16 vjet burgim për torturë, dhe dënim me 18 vjet burg për vrasjen e paligjshme. Ju dënon me dënim 18 vjet burg”, tha ajo.