15 vjet burg: Rritet pak dënimi për ish-drejtuesit e shërbimit serb Stanishiqit dhe Simatoviqit
Tribunali i Hagës i ka dënuar me nga 15 vjet burg ish-drejtuesit e Shërbimit të Sigurisë Shtetërore të Serbisë, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq.
Kjo pasi është vërtetuar se si anëtarë të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, ata kanë marrë pjesë në persekutimin e myslimanëve dhe kroatëve në Bosnje e Kroaci në vitet 1992-1995.
Gjykata ka rritur me nga tre vjet dënimet e dy të akuzuarve, për dallim nga shkalla e parë që i kishte dënuar me 12 vjet, transmeton Nacionale.
Sipas aktgjykimit përfundimtar, Stanishiq dhe Simatoviq janë përgjegjës për këto krime si pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, qëllimi i së cilës ishte largimi i përhershëm dhe i dhunshëm i popullatës joserbe nga pjesë të Bosnjë-Hercegovinës dhe Kroacisë.