Përtej fotografive: Pushteti i Martin Berishajt përballë Albin Kurtit me shuplakë në fytyrë - NACIONALE

Përtej fotografive: Pushteti i Martin Berishajt përballë Albin Kurtit me shuplakë në fytyrë

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

fotografi: Visar Kadrolli

Forcë, autoritet dhe dominim — është simbolika e kravatës së kuqe të cilën sot e mbante në qafë ambasadori i pashkarkuar Martin Berishaj përballë Albin Kurtit, të cilit i shihet shuplaka në fytyrën e rrudhur teksa malësori qeshte.

Tryeza e rrumbullakët me ushqime i bëri përsëri bashkë Martin Berishajn dhe Albin Kurtin. Edhe kësaj here qeshnin.

Forumi ekonomik në mes të Republikës së Kosovës dhe Kroacisë u mbajt në Prishtinë.

Gjatë pauzës, këndi i dyshes Kurti-Berishaj ishte bërë gardh me truproja të kryeministrit, të cilët Kurti dikur i quante truproja dhe xhipa me xhama të zi.

Në hapësirat e hotelit luksoz gazetarët nuk lejoheshin afër dyshes Kurti-Berishaj.

Fotografitë e shkrepura nga larg nga fotografi Visar Kadrolli, morën vëmendjen e Berishajt, i cili urdhëroi mbrojtjen e afërt të Krutit të na tërheqë vërejtjen.

Muhabeti me të qeshura vazhdonte, sikur Berishaj të mos ishte kryefjala e skandalit prej 4 milionë eurove që raportohet se tërhoqi nga GEN-i serb.

Tashmë skandal po e quajnë edhe deputetët e pushtetit, jo vetëm mediat dhe opozita.

Kurti edhe njëherë ruajti dinjitetin e Berishajt, duke grumbulluar të gjitha mediat afër tij, të cilat dje ia bojkotuan konferencën e dy ministrave.

Teksa Kurti prononcohej me fjali të gjata dhe nuk fliste në detaje për darkën e mbrëmshme me Lajçakun, Berishaj arriti t’u përvidhej pyetjeve të gazetarëve duke u larguar nga hoteli.

Berishaj dhe skandali i tij me GEN-in serb, është amnistuar deri tash nga eprorët e tij, duke filluar nga Donika Gërvalla, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.

Lajme të ngjashme