“Nuk di unë çka ka ndodhë”: KEDS nervzohet me gazetaren pasi dy fëmijë u goditën nga rryma
Në mëngjesin e sotëm, dy fëmijë janë goditur nga rryma elektrike në afërsi të shkollës fillore “Faik Konica” në Prishtinë. Rastin për Nacionalen e ka konfrimuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
"Rreth orës 10:30 kemi pranuar informatën se në rrugën George Bush në Prishtinë, dy persona (të mitur) janë goditur nga rryma elektrike.Personat janë dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që policia në koordinim me institucionet përkatëse po trajton rastin."
Në vendin ku ka ndodhur ngjara, Nacionale takoi punëtorët e KEDS të cilët nuk pranuan të flasin para kamerave, të njëjtit ishin duke punuar te po ajo trafë, ku kanë pësuar fëmijët.
"Nuk e dijmë çka ka ndodhë...", tha njëri prej tyre.
Gjendja e njërit prej fëmijëve është më e rëndë, ndërsa fëmija tjetër gjendjen shëndetësore e ka më stabile.
Në gjendje jo të mirë emocionale ishin familjarët e të miturve të cilët nuk pranuan të flisnin para kamerave.
Në QKUK, për vizitë ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i cili tha se fëmijët janë jashtë rrezikut për jetë.
“Njëri në gjendje më të rëndë, po tash me intervenimin e shpejtë të mjekëve.. të dy janë në gjendje të qetë”.
Po kush duhet të marrë përgjegjësi?
“Unë sot erdha në aspektin shëndetësor me i vizitu se si janë, besoj se përgjegjësitë janë të institucioneve, organeve të tjera. Me rëndësi është që të dy çunat janë jashtë rrezikut për jetë”.