Mërgim Cahani mes ligjeratave si profesor në New York dhe udhëheqës i Gjirafës në Kosovë - rrëfimi i padëgjuar i tij - NACIONALE

Mërgim Cahani mes ligjeratave si profesor në New York dhe udhëheqës i Gjirafës në Kosovë - rrëfimi i padëgjuar i tij

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rrëfimet e tilla janë të rralla. Andaj shijohen. Me ëndje. Pafundësisht. Mërgim Cahani, themelues i Gjirafës është shembulli më i mirë i asaj se si një lider apo kompani pa mbështetje, por me një fije shprese në horizont, arrin majat e suksesit.

Kompania e tij sot numëron më shumë se 300 punëtorë, ani se në fillim fare, fati nuk ishte në anën e tij. Siç e përmend vet Cahani si një nga dështimet që e kujton vazhdimisht, ishte maji i 7-8 viteve më parë, kur atëbotë një ekip prej 17 personash së bashku gëzonin vetëm 200 euro në bankë dhe ishin në pritje një marrëveshjeje 1-milionëshe me një investitor të huaj.

Por, rastis që njeriu që duhej ta vënte të zezën mbi të bardhë ishte larguar nga puna prej kompanisë me të cilën Gjirafa ishte pranë akordit "magjik", kjo duke iu referuar asaj periudhe.

Siç edhe mund të shihni, më lart gjeni pjesën e parë të Intervistës së Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale që transmetohet çdo të hënë nga ora 21:30RTV 21, kanalin tonë zyrtar në Youtube dhe më pas si pjesë të ndara në platformat tjera sociale.

Gjithsesi, i ftuari fillimisht përmblodhi një biografi të shkurtër rreth asaj se kush është, çka përfaqëson dhe ndau copëza të rrugëtimit fillor e të mesëm shkollor, përfshirë këtu më pas edhe jetën në dy qytete, Gjakovë, prej nga e ka babain e Prizreni, vendlindja e nënës.

Është interesant të përmendet fakti se ai një pjesë të madhe të kohës së pjekurisë e ka kaluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Unë kam lindë në Gjakovë. Jam rritë në Gjakovë një pjesë të madhe të jetës. Pastaj edhe në Prizren e kam kalu një pjesë, për shkak se nëna e Prizrenit, edhe e pat tërheqë babain në Prizren. Një pjesë të shkollës së mesme e kam përfundu në Prizren, kurse një pjesë të madhe të jetës e kam kalu në New York".

Këtu më pas tregoi edhe atë që pakkush e ka ditur për të, atë të të qenurit ligjerues në New York, vendi ku studoi e kreu studimet Bachelor e ato post-diplomike.

"Dmth, pas shkollës së mesme kam vazhdu në New York, atje kam studiu. Shkenca Kompjuterike. Bachelor edhe Master. Gati 12 vjet kam qëndru atje. Në fakt, programimi është profesioni parësor. Unë kur kam qenë përafërsisht 9 vjet – 10 vjet në Gjakovë, prindërit ma patën ble në atë kohë. Pastaj e kam shkru një program që numëron prej 1-shit deri në 1 milion. Ai ka qenë programi i parë që e kam shënu. Unë kam dhënë edhe mësim në universitet në Amerikë në Shkenca Kompjuterike".

Ndërkaq, në pyetjen se cili është imixhi me të cilin e paraqet kompaninë kur flet me të tjerët, nguroi të përgjigjet drejtpëdrejt, pasi sipas tij nuk është e drejtë që të mbithjeshtësohet puna që bën ose ofron.

"Po t’i japë dy përgjigje, një më të shkurtër, një më të detajuar, sepse nuk mendoj, që me mbithjeshtësu nuk është fer me tregu atë që e bën.Ne jemi biznes, që u lejon biznesve tjera me kriju biznes “online”. Me shitë “online”. Me komuniku “online”", vazhdoi ai.

Në pjesën e fundit, Cahani foli për barrierat me të cilat ishte përballur dhe përballet përderisa vepron në Kosovë. Sipas tij, kosovarët, sidomos ata të rinjtë duhet ta kenë parasysh që aty ku ka pengesa e barriera, ka edhe mundësi.

Çelësin e suksesit, nga ajo çfarë ka mësuar deri më tani, sipërmarrësi thotë se është të dashurosh atë që e bën. Kaq mjafton!

"Një gjë e kam vërejt është që, kur dikush bën diçka, në çfarëdo profesioni që është, me kohë po e vërej që duhet me ekzistu njëfarë dashurie a pasioni për atë që e bën. Nëse nuk eziston ajo dashuri apo pasion për atë punë, mundet me ecë, nuk do të thotë që nuk ecë, probabiliteti që ka me dështu është shumë më i madh. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Gjatë rrugës ke shumë probleme, pra rrugën që e merr".

"Në çfarëdo profesioni ke me pasë sfida, ke me pasë barriera. Esenca për m’u zhvillu është qysh i zgjidh ato barriera. E nëse ke shumë barriera, e s’ke dashuri, dikur ke me lënë. Unë e shoh kështu, nëse ka sfida siç i ka edhe Kosova, shoh edhe mundësi. Këtu edhe konkurrencën ndërkombëtare e ke më të vogël. Ti nuk mundesh me ble sot aq lehtë në Amazonë prej Kosove. Kështu që, definitivisht në Kosovë mundet m’u bë. Pyetja duhet me qenë: Sa është kapaciteti që mundesh me arrit prej Kosovës?", pohoi ai.

Lajme të ngjashme