Ku janë vilat: Qindra-mijëra euro dëmi që pretendojnë qytetarët nga mashtrimi i ‘G&G Exclusive’ - NACIONALE

Ku janë vilat: Qindra-mijëra euro dëmi që pretendojnë qytetarët nga mashtrimi i ‘G&G Exclusive’

2 javë më parë

nga NACIONALE

Pas një serie raportimesh të Gazetës Nacionale, lidhur me pretendimet e disa qytetarëve se janë mashtruar nga kompania G&G Exclusive që merret me ndërtim të vilave të drurit, Policia e Kosovës arrestoi para tri ditësh pronarin e kësaj kompanie, z.Granit Gojani. Ndërkaq sot, Policia e Kosovës, përmes një thirrje, kërkon bashkëpunim nga qytetarët që ‘mund të jenë mashtruar nga kompania, të paraqiten në polici’.

Çka ndodhi?

Gazetarja Besarta Hoti, nëpërmjet një serie video-raportimesh, ka komunikuar me qytetarë të cilët thonë se janë mashtruar me qindra euro nga kompania në fjalë.

Rrëfimi i të gjithë këtyre qytetarëve, është pothuajse identik. Ai ndryshon vetëm në shumën e parave. Në adresën e Gazetës Nacionale (gazetares Besarta Hoti), kanë arritur edhe disa mesazhe të tjera, që lidhen me pretendimet për mashtrime të ngjashme nga kjo kompani, megjithëse, disa prej tyre, hezitojnë të flasin para kamerës.

Por, Nacionale, më poshtë ju sjell të përmbledhura rrëfimet e deritashme:

  1. Avdi Fazliu, qytetar nga Vushtrria. Dëmi i pretenduar: Mbi 10 mijë euro.

Jam Avdi Fazliu. Jeton në mërgim, unë nusja ime dhe fëmijët e mi, kemi vendosë me bo një banim për fëmijët tonë dhe morën një opsion më të lirin, ta ndërtojmë një vilë të drurit.

Ramë në kontakt me firmën G&G Exclusive dhe ia dhamë një pjesë të pareve me nënshrkimin e kontratës.

Për shkaqe të tij, ose të asaj firme, filluan problemet, kërkimi i pareve, i pruni do drunj i vendosi këtu, filloi skeletin, me vonesa, me do dërrasa, një muaj, dy muaj, një vit. Edhe na lanë kështu, kështu që unë me fëmijë nëpër hotele nëpër motele.

Kemi dhënë 8200 euro pare të gatshme, po i bjen dy vite që kemi pritë, që ka nejtë ashtu vila në shi në borë, janë kalbë me drunj e me gjithcka. Kemi bë kontratë, kemi nënshkru kontratën.

Sipas marrëveshjes, ka qenë në afat 30 ditësh me përfundu.

Ata gjithmonë na thonin: nesër, pasneser, me të parin, me të dytin. Na kanë thënë se me 10 mijë euro përfundon kontrata krejt. Ai i mori paret para kohës, meqë besuam që përfundon sipas fjalëve të tyne, por vazhdojke kjo: nuk po kemi lekë, nuk po kemi punëtorë. I dhash edhe 5 mijë euro shtesë, thash vetëm përfundoma”, thotë Fazliu, që mund ta dëgjoni në videon më poshtë.

  1. Arben Leci, qytetar nga Prishtina. Dëmi i pretenduar: Afër 70 mijë euro.

Arben Leci nga Prishtina, në rrëfimin e tij për Nacionalen, thotë se u dëmtua për afro 70 mijë euro nga kompania në fjalë.

Kam jetu në Londër 32 vite, pas një kohe, kur u rritën fëmijët, vendosëm të vimë në Kosovë. Vajza erdhi këtu dhe e gjeti këtë kompaninë G&G. Pasi e bëmë kontratën, ia dhamë një ‘kapare’, kontrata ka qenë në mars, si të hiqet bora të niset. Kontrata ka qenë në vitin 2020 apo 2021 nuk jam i sigurtë, ka qenë për 45 ditë.

Marrëveshja ka qenë gjysmën e parave me ia dhanë në dorë menjëherë, dhe pjesën tjetër kur ta kryen punën.

Vlera e tyne ka qenë mbi 50 mijë euro. Natën e Bajramit, i ka pru katër punëtorë edhe i ka ngjitë do druna jashtë. I kemi cu mbi 20 emaile, a po e kryen apo po e ndërprejmë kontratën. Kurrë nuk kanë thënë se nuk po e kryejmë. Kanë thënë: shihemi në gjyq. Jashtë e ka përfundu, mrena e ka lanë pa kurrgjë. Projekti nuk ka qenë kështu. Thojke ja kështu ja shihemi në gjyq. E kemi projektin, mundeni me pa projektin.

Diku deri tani i kanë marrë afër 70 mijë euro. 50 mijë euro ka qenë projekti, por ami edhe do, ami edhe do”, rrëfen z.Luzha.

  1. Ardonis Luzha nga Prishtina. Dëmi i pretenduar - mbi 13 mijë euro para kesh

Se vila do të kryhej, megjithëse ‘skeleti’ i saj po kalbej nga të reshurat, e thotë edhe Ardonis Luzha nga Prishtina.

Ai thotë se u dëmtua për mbi 13 mijë euro.

Ndërtimet kanë pasë me u nis me 25.11.2022. nuk ka përfundu. I kam thirrë në mënyrë shumë njerëzore, i kam lutë, përfundoma përfundoma, për arsye se kisha qejf me ardhe me fëmijë, se jam në Amerikë.

Kam pagu 13 mijë e 740 euro, të plota, tani ato tjerat, që i kam përfundu se e kam përfundu vilën vet.

Ka pasë me kanë gjysma në fillim, me tri rata. Dy ratat e fundit që kam pasë me i përfundu, kanë thënë aa bina paret se u kry.

E kanë ndërtu njëfarë skeleti të vogël, tani filloi me ra shi, borë, tani ia fillunë me u mykë sendet.

Krejt kjo ka vazhdu për rreth dy vjet. Mandej e kam përfundu vilën. Ma mashtruës më. Ma kanë hupë kënaqësinë që e pritshim me fëmijë”, thotë Luzha.

Asdren Bytyci, avokat i Ardonis Luzhës – qytetari që thotë se u dëmtua nga kompania G&G Exclusive, thotë se përveç këtij qytetari, ai përfaqëson edhe një qytetar tjetër, viktimë e mashtrimit nga kompania, por që i njëjti, dëshiron të mbetet anonim. E ky qytetar anonim, sipas avokatit, është mashtruar dhe si pasojë, është dëmtuar për afër 30 mijë euro.

“Zotni Ardonis Luzha por edhe një klient tjetër, që ka kërku të mos i bëhet emir public, janë paraqitë te unë që të ushtrohet padi civile për pagimin e borxhit në emër të mospërmbushjes së kontratës sepse kompania G&G Exsclusive ka nënshkru një kotnratë dhe kanë bë një parapagim, zoti Addonis Luzha në vlerën afër 14 mijë euro kurse personi tjetër afër 30 mijë euro, por kompania nuk i ka përmbushë detyrat”, thotw avokati Bytyçi pwr Nacionalen.

Kur Nacionale pati filluar serinw e raportimeve, pati kontaktuar kompaninw nw fjalw – dhe kjo shihet nw video-raportimet lidhur me rastin. Nw fillim, nga kjo kompani, vetwm kanw thwnw se ‘mund tw vazhdoni me denoncimet’.

Policia e Kosovës njoftoi sot:

Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Prishtinë në koordinim me Prokurorinë Themelore, po kryen hetime ndaj një kompanisë ,,1T Group Sh.p.k/G&G Exclusive" me zyre në Çagllavicë të Graqanicës, nën dyshimin se janë kryer veprat penale:

-Mashtrim-sanksionuar nga neni 323 si dhe

-Shmangia nga Tatimi, sanksionuar nga neni 307 të KPRK-se.

Këto vepra penale dyshohet se janë kryer nga viti 2022 deri në gusht të viti 2024.

Ndonëse kemi disa ankues, është ngritur dyshimi se numri i personave që dyshohet të jenë të mashtruar është më i madh, andaj me autorizim nga prokurori ftojmë të gjithë qytetarët që mund të jenë të mashtruar nga kompania në fjalë të paraqiten ne stacionin me te afërt policor.

Te gjitha palët e dëmtuara do të kontaktohen nga hetuesit e rastit.

Lajme të ngjashme