Ish-polici që punon si “delivery guy” hyn në grevë urie para Kuvendit, por ia prish grevën Inspeksioni
Askujt në Kosovë madje as vet policëve nuk u ka rënë ndërmend të marten e 31 Janarit se nuk kanë Sigurim Shëndetësor. Për shume prej tyre, e marta ishte një ditë jashtëzakonisht të ngjeshur me aktivitete politike.
Fokusi i ditës ishte në Dragodan, tek Ambasada më e fuqishme në Kosovë, ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por për Eris Jasharin, kjo agjendë politike dhe diplomatike nuk kishte aspak rëndësi. Ai ka halle të tjera. Dhe për këto halle ka vendosur që të mos rri e të ankohet. Por të veprojë. E jo çfarëdo veprimi. Protestë përmes Grevës së urisë.
Jashari ishte polic i Kosovës për 5 vite. Prej vitit 2012 deri me 2017 kur dha dorëheqje për shkak të kushteve që ai i quan të rënda në Policinë e Kosovës. Tash punon si një transportues i ushqimit për një restorant të gastronimisë në qytet.
Por ai e ka lënë punën për disa ditë sepse ka një mision: të mos haj ushqim e asgjë tjetër përpos ujit, derisa Kuvendi i Kosovës do të miratoj një ligj ose do marrë një vendim që Policët e Kosovës të kenë Sigurim Shëndetësor.
Shpresa e tij është që kjo të ndodhë para 17 shkurtit, kur Kosova feston 15 vjetorin e Pavarësisë. Bile ka shumë shpresa që kjo do të ndodhë. Por qysh në ditën e parë të grevës atij i dolën probleme. Jo me policët, ish-kolegët, por me Inspektoriatin e Komunës së Prishtinës, të cilët vendosën t’ia heqin tendën që e kishte vendosur skaj godinës së Kuvendit të Kosovës. ARsyeja: nuk kishte marrë leje.
Si do ta vazhdojë grevën? Sa mendon se do të durojë pa ngrënë? A do t’ia arrijë qëllimit? Ndiqeni videon me rrëfimin e tij.